Kush i mbron tradhtarët brenda radhëve të policisë?

Kush i mbron tradhtarët brenda radhëve të policisë?

Nga SYRI.net - 12/10/2016

Gati çdo ditë po dalin fakte të implikimit të një pjese të Policisë së Shtetit në situatën kriminale të mbjelljes dhe trafikut të kanabisit në vend. Faktet e pakundërshtueshme të implikimit të strukturave drejtuese të policisë në rastin e kapjes së drogës në Dibër, Mat dhe së fundmi në Vlorën si edhe informacionet që i vijnë në tavolinë nga SHISH dhe homologët e tyre të përtej detit, e kanë detyruar sot kryeministrin që për herë të parë të pranojë se brenda radhëve të policisë ka njerëz të cilët e tradhtojnë punën e saj.

“A ka në policinë e shtetit njerëz që nuk meritojnë të jenë në këtë uniformë, që duhet të ishin në burg sepse e tradhtojnë këtë uniformë, patjetër. Por a meriton gjithë kjo trupë që i ka dhënë vendit një shpresë të re dhe një besim të ri që ne mund të bëjmë shtet. Ajo që ndodh çdo ditë ndaj policisë së shtetit është shtypja, që vjen me furinë e një dhune verbale të pangjashme me asgjë në botën ku jetojmë. Në asnjë vend normal të botës nuk mund të gjesh një opozitë e cila i kundërvihet policisë së shtetit me gjithë forcën e dëshpërimit të saj, duke çliruar çdo ditë energji negative që dëmtojnë moralin e çdo punonjësi policie.”- deklaroi Rama gjatë fjalës së tij në ceremoninë, “Policia e gjeneratës së re”.

Pra kryeministri pranon më në fund atë që ja ka thënë çdo ditë “media e kazanit” dhe opozita se brenda radhëve të policisë ka individë të lidhur me krimin. Por sërish Edi Rama fajin nuk e gjen tek ata që i kanë emëruar dhe i mbrojnë të vazhdojnë të mbajnë uiformën por te opozita dhe të gjithë ata që këtë fakt që e pranoi sot, kanë kohë që e denoncojnë.

Por pavarësisht këtij pranimi për implikim kriminal të një pjese të policisë, pavarësisht mbjelljes masive që i është bërë kanabisit gjatë këtij viti, jo vetëm që nuk kemi pasur asnjë arrestim të këtyre “tradhtarëve të policisë”, por as një lloj mbajtje përgjegjësie nga ana e ministrit të Brendshëm, të paktën për punë të dobët të drejtuesve të uniformave blu në rrethet, ku ky fenomen ka qenë gati i hapur.

Opozita dhe media e pa kapur nga kryeministri, asnjëherë nuk ka akuzuar policinë si të tërën, për implikim në këtë aktivitet kriminal, por vetëm mafien brenda saj që përbëhet nga një grusht shefash dhe drejtorësh të përmendur edhe në raportet e shërbimeve sekrete shqiptare dhe të huaja.

Askush nuk ka akuzuar policët e thjeshtë që paguhet më keq se të gjithë kolegët në rajon, që kanë kohë pa marrë paratë e orëve shtesë të shërbimit, që nuk kanë mjete për tu kthyer në banesat e tyre pas shërbimeve të gjata. Në fund të fundit që janë të demotivuar dhe të frikësuar për të kryer detyrën e tyre, kur e dinë shumë mirë, se prapa gjithë kësaj që po ndodh me kanabisin në vendin tonë qëndrojnë edhe shefat e tyre të mëdhenj.

Ajo që duhet të shpjegojë kryeministri dhe ministri i Brendshëm është vetëm një gjë; kush dhe përse i mbron këta tradhtarë brenda radhëve të policisë?

SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco