Lajmi i fundit

LIVE/ Protesta para bashkisë së Tiranës, qytetarët kërkojnë largimin e Veliajt

Pas “Kurbanit” gati për botim “Shënime për Merkelin” dhe “Me Putinin”…

Pas “Kurbanit” gati për botim “Shënime për Merkelin” dhe “Me Putinin”…

Nga Kastriot Islami - 03/12/2016

Historia imitohet në mënyrë ciklike. Ndërsa “origjinali” gjithnjë rezulton i rrezikshëm, kopje përgjithësisht rezulton qesharake, butaforike, tallëse. Kjo ndodh veçanërisht në Ballkan, por me intensitet të lartë në Shqipëri. Dhe numri i rasteve është proporcional me mediokritetin. Kohët e fundit, imitimi i personazheve vendas e të huaj, është kthyer në një “shkollë” ku teatri i Kicos shërben për të bërë “masterin…

Pasi u botua libri “Kurbani” ku tregoheshin të gjithë metodat, mjetet e marifetet se si ishin eliminuar “shokët në gjirin e partisë” dhe do të vazhdonin të eliminoheshin të gjithë ata që do të tentonin ti bënin hije me njohuritë dhe eksperiencën e tyre “kaporalit”, “lideri lokal” fillonte të ëndërronte për tu shndërruar në “lider rajonal” dhe më tej në “lider global”. Dhe kjo kohë erdhi me shpejtësi sa që edhe ai vetë nuk e kishte menduar. Mbi tavolinën e tij do të gjëndeshin vetëm libra “imitimi” par fjalimesh të “udhëheqësve autoritarë rajonalë e globalë” dhe manuale të “gjuhës së trupit”…

Dhe imitimi do të jepte produktin e vet edhe në fushën e “botimeve”

Fillimisht do të botohej libri i famshëm “Dy popuj miq” që bënte fjalën për marrëdhëniet vëllazërore në “kohën e Jorgos”; por ky muaj mjalti do të ishte i shkurtër për të ardhur te periudha e “liderit nacionalist” që do ti tregonte vendin “monarko fashistëve grekë” të cilëve i kishte koha kur na tregonin arrat.

Armiqësia me fqinjin jugor do të zëvendësohej me “bashkim e vëllazërim” me fqinjin verior me të cilin shfaqjet teatrale do të ishin perfekte; do të fillohej me retorikë nacionaliste për të mashtruar shqiptarët e sidomos kosovarët, do të nisej droni me ideator “vëllain” dhe realizues ballistin e më tej do të bëhej sikur do të lëshohej “bomba e pavarësisë” e cila do të pasohej nga darka e dreka të pasura, deri në orët e mëngjesit, me verë të shtrenjtë dhe këngë me kitare për “liderin global”, epitet që ishte më shumë “emri i pagëzimit” nga miku verior me të cilin po synonin një miqësi të tipit “gjermano-francez”…

Kohët do të kalojnë dhe do të shfaqet armiku përtej oqeanit, “turpi i civilizimit” i cili mesa duket do të bëhej sebep për të shkatërruar marrëdhëniet e vendit tonë të vogël me “imperalizimin botëror”. Ky do të ishte momenti kur “lideri global” do të fillonte të hidhte në letër librin “Rreziku amerikano-trumpist”.

Dhe pas këtij momenti do të vendoste “vezët” e pushtetit personal në “furrikun gjerman”. Por gjërat do të ndryshonin me shpejtësi në drejtimin e padëshpëruar prej tij, dhe ai nuk do të vononte të shkruante për të sqaruar publikun e varfër e kanabisit shqiptar librin “Shënime për Merkelin” ku do të tregoheshin të gjithë përballjet dhe shpërfilljet e tij gjatë darkave me plot “barcaleta” e “gallata”.

Dhe i ndodhur në vetmi do të drejtohej te ideologu i të gjithë veprimeve të tij, deri tani i fshehtë por që paskëtaj do të mbështetej haptas si një personazh i madh që i do shqiptarët. Ky do të ishte momenti; kur vendin e librit “Me Stalinin” do ta zinte bestseller “Me Putinin”…

E gjithë kjo spirale është një imitim “perfekt” i gjithçkaje të ndodhur 50 vjet më parë me të vetmin ndryshim se librin “Me Putinin” do të botohet pas librit “Shënime për Merkel” ndërkohë që origjinale fillimisht kishte botuar ‘Me Stalinin” dhe pastaj ‘Shënime për Kinën”…

Autori është ish-ministër i Jashtëm - Shkruar për SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco