Ivanoviç ishte një zë i rrallë i moderuar mes serbëve të Kosovës

Ivanoviç ishte një zë i rrallë i moderuar mes serbëve të Kosovës

Nga Rick Noack - 17/01/2018

Vrasja e politikanit serb Oliver Ivanoviç nxjerr në dritë tensione të reja në Ballkan, vite pas konfliktit të dhunshëm që përçau rajonin. I konsideruar si një politikan i moderuar, Ivanoviç u qëllua disa herë pranë zyrës së tij në Mitrovicë, qyteti i drejtuar nga serbët në Kosovën veriore.

Vdekja e tij pati pasoja të menjëhershme, teksa bisedimet politike në Bruksel midis qeverive kosovare dhe serbe u ndërprenë. Thuajse 20 vjet pasi shteti me shumicë myslimane u shkëput nga Serbia dhe një dekadë pasi shpalli pavarësinë, tendosja midis tyre është intensifikuar sërish dhe mund të forcohet edhe më tej pas vrasjes së dyshimtë të së martës.

Pse është me pasoja vrasja e Ivanoviçit?

“Ai ishte një zë moderimi dhe dialogu”, tha William Nash, ish-administrator civil i OKB-së në Mitrovicë, i cili punoi ngushtë me Ivanoviç pak pasi Serbia tërhoqi trupat nga rajoni. Nash e përshkroi Ivanoviçin si mik personal. “Isha atje për rreth tetë muaj dhe gjatë gjithë asaj kohe Oliver ishte inteligjent dhe elokuent, por edhe pragmatik”, tha Nash në një intervistë telefonike me Washington Post.

Një partner negociues kyç gjatë bisedimeve të udhëhequra nga NATO dhe BE, Ivanoviç u dënua me nëntë vjet burg më 2016 për krime lufte kundër shqiptarëve etnikë në fundin e viteve ’90. Megjithatë, verdikti u përmbys më vonë dhe Ivanoviç vazhdoi të debatonte për përfshirjen e tij.

Pas fillimit të konfliktit të dhunshëm më 1998, NATO vendosi të bombardonte Serbinë një vit më pas, duke detyruar qeverinë serbe të tërhiqte trupat. OKB administroi Kosovën në vitet pas konfliktit, duke punuar me Ivanoviç dhe politikanë të tjerë serbë nga Kosova, ndonëse Serbia kurrë nuk e ka njohur zyrtarisht pavarësinë e Kosovës.

Sot Kosova mbetet etnikisht e ndarë – situatë e cila është veçanërisht e dukshme në Mitrovicë, një qytet i cili qeveriset nga shqiptarët në jug dhe serbët në veri dhe ku Ivanoviç punonte. Kjo është arsyeja pse Serbia e sheh vrasjen e tij si një sulm terrorist kundër sovranitetit të saj, ndonëse është e paqartë se kush qëndron pas atentatit.

Ivanoviç ishte përkrahës i fortë i përpjekjeve për pajtim midis dy vendeve dhe të dyja palët tani druhen se vdekja e tij do t’i ndërlikojë përpjekjet për arritjen e këtij qëllimi.

Pse po rriten tensionet?

Tensionet nuk u zhdukën kurrë plotësisht, por u bënë më të theksuara që nga janari 2017, kur Serbia kërkoi arrestimin dhe ekstradimin nga Franca të ish-kryeministrit të atëhershëm (dhe aktual) Ramush Haradinaj. Ndonëse Haradinaj është deklaruar i pafajshëm nga gjykata ndërkombëtare, ai ende kërkohet për krime lufte nga Serbia dhe arrestimi i tij zbuloi prezencën e armiqësive të vjetra. Franca refuzoi ta ekstradonte.

Pak ditë pas refuzimit të ekstradimit nga Franca, Serbia u përpoq të vendoste një lidhje hekurudhore midis Beogradit dhe Mitrovicës. Autoritetet kosovare ndaluan trenin që mbante sloganin “Kosova është Serbi” para se të hynte në Kosovë, duke thënë se kjo iniciativë ishte provokim. Kosova druhet se Serbia mund të përpiqet të aneksojë rajonin verior me shumicë serbe.

“Është modeli i Krimesë”, tha në atë kohë për Reuters Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ndonëse zyrtarët serbë i mohuan akuzat, ndasitë e thella mbeten karakteristikë  e rajonit, sidomos në Mitrovicë, si e ka vënë në dukje kolegia ime Nicole Crowder më 2015:

“Shumica shqiptare në pjesën jugore të Mitrovisë e ka pritur gjatë pavarësinë e Kosovës, por vazhdon të vuajë me problemet sociale dhe ekonomike si rezultat. Euforia fillestare që shoqëroi themelimin e shtetit të Kosovës më 2008 i ka lënë vendin një skepticizmi të përgjithshëm përballë qëndrimit politik në vendnumëro.

Në pjesën serbe, ndjesia e pastabilitetit është kudo. Serbët e kundërshtojnë krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës, pasi ata e shohin Kosovën si zemra e historisë dhe kulturës serbe. Serbët në Mitrovicë megjithatë i druhen braktisjes nga Beogradi, për të cilin besojnë se po përqendrohet në përpjekjet për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian”.

Cilat janë implikimet ndërkombëtare?

Rusia është ndër vendet që kanë refuzuar të njohin zyrtarisht Kosovën si shtet të pavarur dhe vazhdon të përkrahë qeverinë serbe.

Që nga përurimi i Presidentit Trump në Kosovë është rritur frika e ndonjë aneksimi të mundshëm nga Serbia, me përkrahjen e Rusisë, të enklavës serbe në veri. Qeveria e Kosovës beson se qëndrimi pro-rus i Trumpit mund të trimërojë zërat në Serbi që kërkojnë aksion ushtarak.

Vendosmëria e Ivanoviçit për të parandaluar një skenar të tillë, sipas Nash, ish-koleg dhe mik i tij, ishte veçanërisht e dukshme gjatë një vizite që bëri në Berlin pas ndërhyrjes në NATO-s në konflikt. Në Gjermani, politikani serb i Kosovës pa se si një qyet dikur i ndarë gradualisht po rritej i bashkuar.

Vdekja e tij e ka bërë një pajtim të ngjashëm në Ballkan më pak të mundshëm.

Marrë nga Washington Post-Përgatiti: SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Ypsi loni20/01/2018 13:23

Ivanovici e fliste gjuhen shqipe me paster se e gjithe elita politike ne krye te Kosoves; ai ishte nje politikan me aftesi te ralla dhe e njihte ne embrion kulturen dhe traditen kosovare , nje kulture e trishte dhe nje tradite e Frikes deri ne Palce! Me Ivanovicin, Kosova do rikthehej shume shpejte ne origjinen e saj , ne Serbi! Dyshoj qe e kane vrare Shqiptaret, duke ua mbajtur doren dhe pushken qe dridhej nga sherbimet e interesuara!

Shto koment

Denonco