Manekini Haki Çako

Manekini Haki Çako

Nga Agim Xhafka - 24/11/2017

HISTORIA I

Një grua pyeti Xhevrijen, gruan e polic Giut:

-Ku i keni çunat, se nuk i kam parë?

-Në Angli, motër.

-Refugjatë?- u çudit ajo.

-Jo, me studime.

-Ou, po ku i gjetët kaq pare, moj Xhevrije?

-Po ja, Giu jep natën me qira kostumin e policit.

HISTORIA II

U bë merak Nevruzi, se djali i tij, Xhela, u bënë disa net që nuk po flinte në shtëpi. Ai punonte polic e do kishte ndonjë operacion,mendonte. Kur e pa te dera e pyeti:

-Ku ishe o bir, kaq gjatë jashtë shtëpisë?

-Në mal baba.

-Po pse, ndoqët ndonjë vrasës.

-Jo, jo. Kisha radhën të ruaja parcelat me hashash -foli i biri dhe hoqi veshjen e policit e u plandos si i vdekur mbi krevat.

HISTORIA III

Në komisariate mbërriti telegrami: Shihni televizor pa pushim këto ditë. Kush polic sheh emrin atje do të arrestohet 24 orët e ardhshme, ndaj të arratiset dhe të fshihet tek vendi ku rri vëllai i ministrit. Parulla, Ariu, kundërparulla, Miu.

Pas këtyre ngjarjeve policia shqiptare nuk ka më drejtor. Ka veç një manekin. Quhet Haki Çako. Mos i fol se ai nuk kthen përgjigje. Vetëm qesh...

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco