Nuk trembet peshkaqeni me muzikë klasike, Ambasador!

Nuk trembet peshkaqeni me muzikë klasike, Ambasador!

Nga Astrit Patozi - 07/11/2017

Të gjithë kishin marrë nga një grep në dorë sot për të kapur "peshkun e madh" të ambasadorit, megjithëse ai ishte imagjinar. Jo thjesht për rëndësinë e vendit të madh, që ai përfaqëson, por edhe për shkak të temës së nxehtë. E cila, natyrisht, që merr vlerë tjetër në kontekstin e tollovisë, që ka shkaktuar saga Tahiri, por jo vetëm ajo.

Shumë interesant, por jo i papritur, ishte fakti që të gjithë e kërkonin "kryepeshkun" tek deti, liqeni, madje edhe tek pellgu i tjetrit, por ky nuk është vetëm fenomen shqiptar. Duket pak si sport, ku rëndësi ka që të ketë peshk për t'u kapur.

Nuk u habita shumë që s'dëgjova njeri të thonte "qëllofsh", e cila është shprehja më tipike, që u pëlqen të dëgjojnë peshkatarët, kur shkojnë për të gjuajtur. Do të tingëllonte teatrale vërtetë, por a nuk është i tillë edhe premtimi se shumë shpejt do të vendoset drejtësia në këtë vend? Se po vjen, më në fund, dita e fitores mbi pandëshkueshmërinë dhe i barazisë së të gjithë qytetarëve para ligjit edhe në Shqipëri.

Të cilat kur shqiptohen prej udhëheqësve tanë, në kohë fushatash apo, kur kanë halle të mëdha, nuk bëjnë asnjë përshtypje, por kur dëgjohen në anglisht ose në një gjuhë tjetër prej të huajve, të paktën merren më shumë seriozisht.

Ndaj, me gjithë respektin për ambasadorët, nuk mendoj se Shqipëria sot ka nevojë për karrema entuziasmi, që lartësojnë një të ardhme të ndritur, e cila nuk ka për të mbërritur ndonjëherë. Boll e kemi, na del e na tepron patetizmi i timonierëve tanë, të cilët gati po na hiqen si viktima të shumëvuajtura të popullit të vet, që herë nuk i kupton dhe herë nuk i ndjek dot në projektet e tyre vizionare.

Ky vend ka nevojë për një sens realizmi, që mungon dëshpërimisht, prej shumë kohësh, jo rastësisht dhe as për arsye fati, por nga nevoja e peshkaqenëve vendas për të mos patur kurrë sezon gjuetie ndaj tyre. Dhe ia kanë dalë mrekullisht deri tani. është një meritë që u duhet njohur.

Ndaj të mos kemi kot iluzione se mund t'i trembim ata, duke tundur grepat në breg dhe duke luajtur muzikë klasike, në rast se nuk duam edhe ne të që të bëhemi pjesë e një shakaje të hidhur me problemin më të rëndë që ka ky vend prej shumë vitesh. Nëse e kemi seriozisht, nuk ka nevojë ta themi patjetër përpara, mjafton që ata të kapen.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

edvini07/11/2017 23:08

O Zaho, o djali i adaptuar i Edvinit qe komenton duke shkruar budallalleqe se te ka zene frika qe Rames po i vjen fundi dhe do te mbyllet ne bunkerin e tij ne Surrel. Lu foli per peshq te medhenj, nuk foli per nje trap si puna tende... se ti nuk je as karem jo me peshk.

zaho07/11/2017 22:09

E sinqerte,patriotike, konçize, e qarte! Prandaj e hoqi nga deputet luluçka, sepse eshte me me kembe ne toke! ..................Do ja kene kekuar valle?

krasasi tp07/11/2017 21:11

Ta marim me seriozitet dhe me besim premtimin e z.Lu.z.Lu kur foli per peshq te medhenj, e kish fjalen per peshkaqen.Delfinet nuk gjuhen.Politikanet jane delfine .Ndaj mos prisni qe te mbaje pergjegjesi, apo te gjykohet ndonji politikan i larte, cilado qofte shkalla e implikimit te tyre ne cdo lloji afere.Per kete shkak edhe nese kapet nji Krap , ne duhet te themi , ua cfare peshkaqeni kane kapur.

Shto koment

Denonco