Cili është qyteti më i nxehtë në Europë këtë verë?

Cili është qyteti më i nxehtë në Europë këtë verë?

16:23, 18/07/2023
A+ Aa A-

Me Cerberus që i la vendin Charon, Europa vijon të mbetet e mbërthyer në valën ekstreme të të nxehtit dhe në kontinent pritet të shënohet sot temperatura më e lartë e kësaj vere.

Mesdheu qëndror, ku përfshihet edhe Shqipëria, paralajmërohet se do të përjetojë temperaturat më të larta të këtij sezoni veror me mot ekstrem, ndërsa Agjencia Europiane Hapësinore njofton se ishulli italian i Sardenjës mund të shënojë temperaturën 48 gradë celsius.

Me të tilla parashikime në horizont për 10 ditët e ardhshme, pyetja që mund të shtrohet është se cili është qyteti më i nxehtë në Europë.

Me 45 gradë të pritshme për t’u shënuar nga termometri në Catenanuova, kjo qytezë në Siçili, është aktualisht më e nxehta në kontinentin e vjetër.

Në Catenanuova për momentin termometrat tregojnë 42 gradë, por nëse parashikimet janë të sakta në orët e ardhshme do të kalojnë 45 gradë. Ky qytet, së bashku me Floridia në provincën e Sirakuzës në gusht 1999 madje preku 50 gradë celcius.

Nëse dikush e merr me optimizëm dhe përfiton nga këto ditë vape ekstreme për t’iu përkushtuar nxirjes së lëkurës, farmacisti i qytezës alarmon qytetarët duke shpjeguar në Canale 5, se ditët e fundit ka pasur shumë persona që kanë pësuar gjendje të fikëti me humbje të vetëdijes.

Për të vuajtur më pak nga vapa, do të duhej të kishte më shumë burime ujore, por në Catenanuova shatërvanët janë të thatë dhe uji kushton shumë, pasi është më i shtrenjti në Siçili dhe ndër më të shtrenjtët në Itali.

Ndërkohë, ‘ferri’ në Europë duket se nuk do të përfundojë me kaq. Ka paralajmërime se i nxehti përvëlues mund të vazhdojë edhe për 10 ditë të tjera në disa pjesë të Italisë.

Vala me kushtet e motit ekstrem ka prekur shtete si Spanja, Greqia, Turqia, vendet e Ballkanit Perëndimor.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco