Lladrovci synon mandatin e dytë të plotë, Drenasi – ky bastion i pathyeshëm i PDK-së

Lladrovci synon mandatin e dytë të plotë, Drenasi – ky bastion i pathyeshëm i PDK-së

12:58, 09/10/2021

E vetmja komunë që Partia Demokratike e Kosovës mund ta konsideron bastion të saj të pathyeshëm është Drenasi.

Që nga paslufta kjo komunë ka qenë nën pushtetin e PDK-së.

Gjasat janë tejet të mëdha që edhe pas zgjedhjeve lokale të 17 tetorit, Drenasi të mbetet i PDK-së, shkruan Reporteri.net.

Megjithatë kandidaturat për kryetar të komunës kanë vënë në pah se në PDK-në e Drenasit nuk është gjthçka OK, dhe se ka jo pak pakënaqësi brenda.

Dega në Drenas më 5 korrik zyrtarizoi Driton Ajazajn, si kandidat e jo Ramiz Lladrovcin, kryetarin aktual.

Por nuk vonoi shumë dhe Lladrovci tha se ai do të jetë kandidat sërish për kryetar të Drenasit nga PDK dhe ashtu doli. Qendra në Prishtinë e zyrtarizoi kandidaturën e Lladrovcit.

Pasi e mori mbështetjen nga qendra në Prishtinë, Ramiz Lladrovci ka shprehur bindjen se do të fitojë pa balotazh zgjedhjet në tetor, duke thënë se do të marrë 68% të votave.

Rezultatet e zgjedhjeve lokale në Drenas…

Në zgjedhjet lokale të vitit 2007 të organizuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, PDK-ja fituar në raundin e parë në Drenas me 66.06%, e dyta ishte renditur Inicitiva e Bashkuar Qytetare me 14.16%, AAK-ja e treta me 7.56%, LDK e katërta me 4.27%, pastaj AKR me 4.17%, LDD kishte marrë 2.43% dhe Ora e Veton Surroit 1.35%.

Edhe në zgjedhjet e vitit 2009 PDK kishte fituar tejet bindshëm zgjedhjet në Drenas. Kandidati i kësaj partie, Nexhat Demaku kishte marrë 90.54% të votave të qytetarëve, kurse Halil Kuliqi nga AAK-ja kishte marrë 9.46% të votave, shkruan Reporteri.net.

PDK edhe në zgjedhjet lokale të vitit 2013 kishte dalë fituese sërish me kandidatin Nexhat Demaku, i cili në këto zgjedhje kishte marrë 63.44% të votave të qytetarëve. I dyti ishte renditur Izet Ibrahimi nga Iniciativa Qytetare për Drenasin me 24.33%, i treti Izet Avdyli me 5.05% të votave, pastaj Shaban Has inga LDD/AAK me 4.01% dhe Rifat Demaku nga Vetëvendosje kishte marrë 3.17%.

Por kryetari Nexhat Demaku nuk kishte arritur ta çojë mandatin deri në fund, pasi kishte probleme me drejtësinë dhe në vitin 2016 u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme në Drenas.

PDK garoi me Ramiz Lladrovcin, por ai nuk arriti të fitojë në raundin e parë, kjo i ndodhi për herë të pare kësaj partie në Drenas.

Lladrovci kishte marrë 45.34% të votave, çka kishte shkuar në balotazh me Isa Xhemajlajn e NISMA-s që kishte marrë 26.19% të votave.

Megjithatë në raundin e dytë, Ramiz Lladrovci kishte marrë 62.55% të votave dhe ishte bërë kryetar i Drenasit, pasi kishte mundur Isa Xhemajlaj të NISMA-s që kishte marrë 37.45 të votave.

Edhe në zgjedhjet lokale të 2017-tës, PDK kishte garuar me Ramiz Lladrovcin. Ky i fundit ia shpërbleu besimin partisë, pasi fitoi në raundin e pare, ku kishte marrë 59.04% të votave, duke lënë pas Isa Xhemajlajn e NISMA-s që kishte marrë 24.33%, i treti ishte renditur Xhavit Drenori me 4.17%, i katërti Shemsi Elezi me 3.67%, kurse kandidatët e partive tjera kishte marrë përqindje më të ultë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco