VV kërkon votën në balotazh që ta ndalë vjedhjen masive në komuna

VV kërkon votën në balotazh që ta ndalë vjedhjen masive në komuna

23:14, 12/11/2021

Është mbyllur fushata zgjedhore, pesë ditëshe, për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetarë të komunave, që do të mbahen të dielën më 14 nëntor.

Në mbyllje të fushatës, Lëvizja Vetëvendosje ka lëshuar edhe një komunikatë.
 
Përmës kësaj komunikate, sipas kësaj partie, në këto zgjedhje po kërkohet përkrahje nga qytetarët për të ndalur vjedhjet masive nëpër komuna.
 
Komunikata e plotë:
 
Kosova nuk dëshiron të kthehet në të shkuarën, ajo ka zgjedhur zhvillimin, punën e drejtësinë
Të dielën votuesit vendosin se cilët do të jenë ata që qeverisin me komunat tona. Po çka janë komunat? A janë ato veç zyra të mbyllura, ku byrokratë mendjemëdhenj e arrogantë lëshojnë leje për biznese e ndërtime? A është komuna ai vend ku qytetari sa herë që shkon i duhet të plotësojë aplikacione të pambarimta, të endet poshtë e përpjetë nga një zyrtar te tjetri, me dëshirën për të kryer punë që kurrë nuk kryhen? A është komuna një burim të ardhurash që duhen vjedhur për të mbajtur me para partinë apo familjen? A është komuna vend i punësimeve të kota dhe i rehatimeve të njerëzve të paaftë?
Ky nuk është koncepti i Lëvizjes VETËVENDOSJE! për komunën.
Komuna është niveli i parë i qeverisjes, vendi ku përfshirja dhe pjesëmarrja qytetare duhet të jetë e përditshme. Kryetarët e Komunave që vijnë nga radhët e Lëvizjes kanë mandatin dhe detyrën për të zgjidhur hallet e qytetarëve, bashkë me qytetarët, në çdo hap e për çdo ditë. Në punën e tyre për zgjidhjen e problemeve, ata do të kenë ndihmën dhe bashkëpunimin e qeverisë, por edhe monitorimin e rreptë të vetë Lëvizjes, sepse asnjë aktivist nuk e toleron mospunën, ndërsa për arrogantët e abuzuesit do ta kemi tolerancën zero.
I shohim Komunat tona si një mekanizëm i fuqishëm për të zgjidhur krizën urbane në Kosovë. Keqndërtimet që kanë ndodhur për shumë vite me radhë kanë pamundësuar hapësirat e domosdoshme për rrugë e trotuare, për terrene sportive e shkollore, për kanalizime e ujësjellës, dhe mungesa e këtyre e përkeqëson varfërinë dhe pabarazinë brenda së cilës jetojmë të gjithë, edhe më të pasurit mes nesh.
Duke fuqizuar dhe modernizuar transportin e përbashkët, autobusat dhe trenat, do të krijohet mundësia për lehtësimin e trafikut dhe pakësimin e ndotjes, gjë që do të reflektojë menjëherë në cilësinë e jetës pasi do të kemi më shumë kohë, më pak zhurmë, më shumë ajër të pastër. Duke standardizuar lejet e ndërtimeve sipas planit urbanistik dhe rregulloreve komunale, do të fuqizojmë të drejtat e punëtorëve dhe kushtet e punës, si dhe do të garantojmë që të mos ketë më ndërtime që nuk lënë hapësirë për të marrë frymë qyteti. Duke ndihmuar fermerët dhe prodhuesit me subvencione, do të përmirësojmë cilësinë e ushqimeve tona por edhe do të forcojmë punësimin dhe ekonominë. E më shumë çerdhe, shkolla më të mira, qendra mjekësore që punojnë 24 orë, në lagjet e në fshatrat tona, sepse arsimi dhe shëndetësia duhet të jenë sa më pranë secilit vendbanim.
Për vite me radhë niveli komunal është abuzuar më rëndë dhe më vrazhdë se niveli qendror. Ne e kemi ndalur abuzimin dhe vjedhjen në nivel qendror, e kemi nisur punë të mira të cilat po japin rezultatet e para me qeverinë e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Ka ardhur koha që ta ndalim edhe vjedhjen masive që po ndodh në komunat tona, e t´i kthejmë komunat kah e mbara, kah e mira e përbashkët, kah puna dhe korrektesa. Kosova nuk dëshiron të kthehet në të shkuarën, ajo e ka zgjedhur zhvillimin, punën dhe drejtësinë, e kështu do të bëjë edhe të dielën në 14 nëntor.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco