‘Haland më duket si lojtar i Ligës së Dytë’

‘Haland më duket si lojtar i Ligës së Dytë’

20:42, 02/04/2024

Roy Keane bëri një vlerësim të pamëshirshëm të performancës së Erling Halandit në barazimin 0-0 të Mançester Sitit me Arsenalin në “Etihad”.

Golashënuesi më i mirë i Premier Ligës u përball me një pasdite zhgënjyese kundër mbrojtjes më të mirë të kampionatit, gjë që e kufizoi atë duke bërë vetëm disa prekje topi në “Etihad”. Megjithatë, ish-kapiteni i Mançester Junajtid beson se kjo paraqitje është tregues i cilësisë së përgjithshme të sulmuesit norvegjez në lojën e hapur dhe tha se loja e tij në këtë aspekt duhet të përmirësohet.

“Nivelet e lojës së tij të përgjithshme janë kaq të dobëta, dhe jo vetëm sot. Goditjet me kokë, apo çfarëdo që mund të jetë për sa i përket golit, janë më të mirat në botë”, tha ai për “Sky Sports” gjatë analizës së ndeshjes.

“Por për lojën e tij të përgjithshme për një lojtar të tillë, është shumë e dobët, jo vetëm sot. Mendoj se ai duhet të përmirësohet, sepse është pothuajse si një lojtar i Ligës së Dytë. Kjo është mënyra se si unë e shikoj atë, loja e tij e përgjithshme duhet të përmirësohet dhe do të ndodhë gjatë viteve të ardhshme. Ai ka pasur këtë lojë sulmuese fantastike dhe të shkëlqyer, por ai duhet të përmirësojë lojën e tij të gjithanshme”, shtoi irlandezi.

Haland jo vetëm që nuk arriti dot të kërcënojë mbrojtën dhe portën e “topçinjve”, por nuk arriti dot as të përfshihet në manovrën sulmuese të Mançester Sitit të dielën pasdite. 23-vjeçari pati vetëm 23 prekje topi gjatë ndeshjes, nuk bëri asnjë goditje në portë dhe zero pasime. Uilliam Saliba dhe Gabriel e kishin vendosur si në një morsë, duke i lënë shumë pak hapësirë manovre gjatë gjithë ndeshjes.

Pavarësisht se ai është golashënuesi më i mirë i Premier Ligës aktualisht, me 18 gola – dy më shumë se një treshe lojtarësh që e ndjekin – Haland është kritikuar për lojën e tij në mbështetje të skuadrës dhe shpërdorimet e rasteve të pastra që ka bërë këtë sezon.

Ai nuk ka arritur të shënojë në 12 nga 17 paraqitjet e tij të fundit për klubin dhe kombëtaren, ndërsa realizoi në nëntë nga 15 ndeshjet e tij të para në Premier Ligë këtë sezon.

Mançester Siti nuk shënoi gjithashtu gol në një ndeshje të Premier Ligës në “Etihad” për herë të parë që prej humbjes 0-2 ndaj Kristal Palasit në tetor 2021.

Përpara barazimit 0-0 me Arsenalin, “qytetarët” kishin shënuar në 47 ndeshje radhazi të kampionatit në shtëpi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco