VIDEO-SYRI TV/ Befasohen tifozët e ardhur për finalen, shijojnë bukuritë e Tiranës, klimën dhe... birrat

17:01, 24/05/2022

Mijëra turistë të huaj kanë pushtuar kryeqytetin shqiptar, ndërkohë që eksplorojnë atraksionet e Tiranës.

Për SYRI TV, këta turistë janë shprehur tepër të emocionuar, ndërkohë që shijojnë atmosferën festive.

Ata tregojnë se ajo çka iu bën përshtypje në Tiranë është klima dhe mirësjellja e njerëzve.

Atmosfera sportive e festive në kuadër të finales së Conference League ka pushtuar kryeqytetin ku kanë zbarkuar me mijëra turistë italianë dhe holandezë.

Tifozët e Romës dhe Feyenoord kanë zgjedhur të eksplorojnë kryeqytetin shqiptar, ndërkohë që duken tepër të ekzaltuar nga atmosfera, njerëzit, klima dhe bukuritë shqiptare.

Gazetarja e SYRI TV, Fabjona Pasho, ka pyetur disa prej tifozëve  se çfarë mendojnë për Tiranën dhe nëse po e shijojnë kohën e shpenzuar në vendin tonë.

“Mbërritëm dje këtu, është shumë këndshëm, jemi tifozë të Feynoord. Është shumë ngrohtë për ne holandezët. Do ta shohim ndeshjen në stadium. Jemi shumë të emocionuar”, thotë njëri prej tifozëve të Feyenoord, ndërsa një tjetër shton: “Jemi të surprizuar për mirë. Është vizita jonë e parë dhe e vlerësojmë shumë, është shumë interesante”.

Ndërkaq, një tifoz i Romës thekson: “Po, më pëlqen. Më pëlqen moti, është shumë mirë. Më pëlqejnë edhe njerëzit, janë shumë të sjellshëm. Jam tifoz i Romës”.

Ndërsa një tjetër tifoz thotë: “Është një qytet shumë i mirë. Moti është fantastik. Birrat janë shumë të shijshme. Nuk e di a do ta vizitoj përsëri Tiranën, varet nga nesër”.

Këta turistë-tifozë, të cilët janë akomoduar kryesisht në zonat rreth qendrës së kryeqytetit, po shijojnë atraksionet e kryeqytetit shqiptar dhe hapësirat dedikuar atyre për të festuar ndërkohë që të emocionuar presin finalen e madhe të UEFA Conference League.

Shumë prej tyre, janë të emocionuar për këtë udhëtim, si të kishin zbuluar një thesar.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco