Nga finalja e Ligës së Konferencës tek projektet e ardhshme të FSHF-së, Duka rrëfehet për mediat italiane

Nga finalja e Ligës së Konferencës tek projektet e ardhshme të FSHF-së, Duka rrëfehet për mediat italiane

19:20, 06/04/2022

Armand Duka u rizgjodh president i Federatës Shqiptare të Futbollit. Biznesmeni 59-vjeçar, i cili është gjithashtu anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s që nga viti 2019, do të shërbejë për një mandat të gjashtë në krye të futbollit shqiptar.

Së fundmi Duka ka dhënë një intervistë për “Sportpress24”  ku ka folur për fitoren e mandatit të gjashtë, Ligën e Konferencës, projektet e së ardhmes dhe organizimin e Botërorit çdo dy vjet nga FIFA.

1. Kohët e fundit kemi parë që jeni sulmuar shumë, padyshim nga kundërshtarët që nuk mund ta pranojnë suksesin tuaj të ri…

- Ka qenë një periudhë e ndërlikuar dhe e paprecedentë. Eksperienca ime në botën e futbollit është e gjatë por një situatë të tillë nuk e kisha ndeshur asnjëherë më parë. Në periudhën përpara zgjedhjeve në Federatën Shqiptare të Futbollit, për fat të keq, nuk pata mundësi të dëgjoja asnjë alternativë apo program nga konkurrentët dhe kjo është diçka shqetësuese. Nëse dikush kërkon të mbërrijë një destinacion do duhej sëpaku një projekt alternativti prezantohej komunitetit të futbollit në vend. Kjo nuk ndodhi dhe më la një shije shumë të hidhur sepse dua që gjithmonë të flas dhe diskutoj mbi projekte dhe programe e jo për spekulime e akuza boshe që nuk të çojnë askund. Unë shpalosa projektin tim, strategjinë zhvillimore për 4 vitet e ardhshme dhe prita që të kishim një përballje idesh e platformash që do ti shërbente komunitetit të futbollit për të mësuar më shumë mbi projektet e gjithësecilit. Pavarsisht se kjo nuk ndodhi dhe dëgjoja vetëm baltë, kam vendosur të mbaj shënim çdo kritikë, vrejtje apo sugjerim. Jam më shumë se kurrë i fokusuar për të çuar përpara projektet tona të mëdha.

2. Para disa muajsh duhet të kujtojmë situatën, ishte edhe më keq, pasi të kishin hedhur në erë derën e  shtëpisë. Si keni reaguar në atë moment, por edhe pas…

- Padyshim ka qenë një moment shumë i vështirë për mua. Familja ime ka qenë në shtëpi në momentin e shpërthimit dhe për ta ka qenë edhe më e vështirë. Për fat të mirë dëmet kanë qenë vetëm materiale, ndërkohë që sot që flasim nuk ka ende asnjë autor të vënë para drejtësisë për atë sulm. Momenti i parë ishte shokues sigurisht, por pasi mblodha veten vendosa që të mos dorëzohem dhe të vazhdoj përpara me misionin tim. Familja më ka mbështetur shumë në çaste të vështira dhe nëse do të tërhiqesha pas këtij sulmi të rëndë do më dukej sikur po i tradhtoja ato.Ndihem i obliguar ndaj tyre, por edhe karshi familjes së madhe të futbollit, që ka qenë më e bashkuar se kurrë në këto kohë të vështira. Dua t’i falënderoj me këtë rast për të gjithë mbështetjen e madhe që më kanë dhënë, duke më bindur që të mos tërhiqem. Uroj shumë që gjithçka ta kemi lënë pas krahëve dhe të ecim përpara në objektivin tonë për të rritur gjithmonë e më shumë nivelin e futbollit shqiptar.

3. Me fitoren tuaj të 6-të në zgjedhje, ju keni thyer dhe rekordin e ish-presidentit dhe mikut tuaj moldav, Pavel Cebanou…

- Asnjë moment nuk kam numëruar mandatet. Unë numëroj projektet, rezultatet dhe idete për të ardhmen. Nëse disa projekte të mëdha si finalja e UEFA Europa Conference League, ndërtimi i një stadiumi të ri në Kukës apo projekte të tjera të mëdha që kemi lancuar në strategjinë tonë janë në vazhdim e sipër, mendoj se duhet vazhduar. Kur ndjen gjithashtu besimin dhe mbështetjen e komunitetit të futbollit në Shqipëri, mendoj se duhet tëvazhdosh të japësh kontributin për zhvillimin e lojës më të dashur për shqiptarët. Kur rezultatet, projektet e idetë shterojnë mendoj se duhet mjaft. Kemi objektiva të mëdhenj për të arritur dhe tërheqja do të ishte një tradhti ndaj të gjithë atyre që më kanë mbështetur e besuar gjatë këtyre vitevenë drejtimin e FSHF-së.

4. Por le të kthehemi pak pas në kohë. Si u përfshitë fillimisht me federatën e futbollit dhe të ashtuquajturin faktorizëm?

- Në fakt, përfshirja ime konkrete në botën e futbollit nisi në fund të viteve 90-të, kur unë u bëra sponsor i ekipit të qytetit ku jam lindur, Erzenit dhe më pas Teutës së Durrësit, qytetit ku jetoj aktualisht. Të them të drejtën nuk kisha ambicie dhe as e kisha menduar të bëhesha drejtues i një klubi apo Federatës, pasi isha shumë i përkushtuar pas menaxhimit të bizneseve të mia.

Ndodhi që disa miq të mi, drejtues klubesh, më propozuan që të kandidoja për postin e presidentit të Federatës dhe pas një hezitimi të parë, pranova të konkurroj dhe i fitova zgjedhjet.

Me të marrë drejtimin e Federatës së Futbollit angazhimet e mia ndryshuan totalisht, pasi iu përkushtova plotësisht Federatës. Arritëm që brenda disa viteve t’i rikthenim shkëlqimin e duhur institucionit dhe të rivendosnim futbollin shqiptar në shinat e duhura. Federata Shqiptare e Futbollit u kthye në një pikë referimi për nga organizimi dhe arritjet, duke u shndërruar në një lokomotivë të transformimeve në realitetin shqiptar.

5. Çfarë keni arritur në detyrën tuaj të gjatë si president i Federatës Shqiptare të Futbollit?

- Nëse do më duhet të flas për arritjet, nuk do të mjaftonte një libër i tërë. Arritja më e madhe ka qenë pjesëmarrja në finalen e EURO 2016. Më është dukur vetja si në ëndërr kur shikoja Kombëtaren shqiptare të luante në fazën finale të një turneu ndërkombëtar mes ekipeve më të mira të Europës. Gjithashtu, ende më duket e pabesueshme kur shoh stadiumin tonë kombëtar “Air Albania”, një impiant modern e që ofron kushte dinjitoze, njësoj si stadiumet më të mira të Europës. Është një realitet që vjen si pasojë e politikave e strategjive të federatës sonë, i projekteve të përbashkëta e të mbështetura nga UEFA e FIFA e një shpërblim për angazhimin dhe profesionalizmin e administratës tonë. Në këto vite kemi ndërtuar 49 fusha futbolli, 81 fusha mini-futbolli, 59 stadiume janë rikonstruktuar dhe në 8 stadiume kemi financuar sistemet e ndriçimit. Në këto vite përfunduam ndërtimin e 3 stadiumeve të reja e po përmbyllim të katërtin. Kemi licencuar 1719 trajnerë dhe 68 trajnere, kemi ndërtuar një strategji të qartë për ekipet kombëtare dhe futbollin e fëmijëve. Tashmë edhe klubet shqiptare përfaqësohen më mirë në arenën ndërkombëtare, pasi është rritur në çdo drejtim niveli i futbollit shqiptar. Gjithashtu, kemi arritur të masivizojmë futbollin e femrave nëpërmjet incentivave dhe mbështetjes në çdo hallkë, duke krijuar edhe kampionatin kombëtar të femrave dhe disa kampionate moshash. Jemi duke zbatuar një projekt shumë ambicioz për futbollin e femrave, që synon të rrisë përfshirjen e vajzave në futboll.

6. Si i keni përballuar kërcënimet si federatë?

- Kjo e periudhë e vështirë që kaluam na mësoi të çmojmë dhe vlerësojmë më tepër një nga virtytet më të mëdha të qytetërimit: Solidaritetin njerëzor, dashurinë dhe mbështetjen për njeri-tjetrin. Për të arritur objektivat që i vumë vetes dhe për të ecur në rrugën drejt suksesit, ne u mbështetëm te njëri-tjetri, duke qenë solidarë brenda familjes tonë të madhe të futbollit, e cila na jep forcë dhe mbështetje të gjithëve. Asgjë nuk është e pamundur, në qoftë se jemi të gjithë bashkë. Më vjen në mendje shprehja e presidentit të UEFA-s, Ceferin gjatë vizitës në Tiranë: Futbolli vendos për futbollin. Dhe ne ja dolëm mbanë përballë çdo kërcënimi, pasi njerëzit e futbollit vendosën për futbollin në Shqipëri. Kjo periudhë e vështirë tregoi edhe njëherë se kemi ndërtuar një institucion me të vërtet serioz që ja doli të menaxhojë sulmet e pafundme që i ndodhën dhe në të njëjtën kohë të vazhdojë të realizojë me sukses impenjimet e pafundme që ka në përditshmërinë e tij.

7. Mbaj mend që keni gjithmonë si moto, politikën jashtë sportit. Të gjithë e mbajnë mend se në Kongres...

- E kam thënë edhe atëherë dhe e them sërish, çështja e Kosovës nuk ishte aspak politike. Unë i kam kërkuar UEFA-s dhe anëtarëve të saj, që fëmijëve të Kosovës të mos u mohohet futbolli. Kur përfaqësuesi i Zvicrës po ankohej, pas njohjes së Kosovës se mund ti largoheshin 5 futbollistë mbaj mend të kem thënë: “Shqipërisë mund ti largohet gjysma e skuadrës por kjo nuk do të thotë, që ne duhet ti mohojmë fëmijëve të këtij vendi, të drejtën për tëëndërruar që një ditë do të luajnë me kombëtaren e tyre. Kam bërë gjithçka që Kosova të pranohej në UEFA e FIFA dhe për këtë ndihem krenar. Koha ka treguar se ka qenë një vendim i drejtë dhe në të mirë të futbollit. Sot Kosova është një realitet i bukur në hartën e futbollit europian dhe ne të gjithë duhet ta mbështesim në rrugëtimin e saj për të arritur standartet më të mira europiane dhe botërore. Nëse do ndodhte e kundërta sigurisht që futbolli do të kishte humbur shumë nga vlerat që përmbledh.

8. Faza finale e Kupës së Botës po afron, e megjithatë për shkak të ndërhyrjes së Rusisë në Ukrainë, kemi parë që autoritetet sportive të “dënojnë” efektivisht futbollistët dhe sportistët në përgjithësi duke përjashtuar ekipet, klubet dhe kombëtaret e tyre (Rusia).

- Është një situatë, që askush nga ne nuk do ta dëshironte. Në radhë të parë sepse paqja, është shumë e rëndësishme për të gjithë ne dhe sidomos për të ardhmen e fëmijëve tanë. Për këtë duhet të mendojmë të gjithë, por sidomos politikanët, që kanë shumë gjëra në dorë dhe duhet ta orientojnë botën nga paqja. Në Asamblenë e fundit, ne miratuam një Rezolutë, ku dënonim ndërhyrjen ushtarake ruse në Ukrainë dhe bënim thirrje për paqe. Urojmë që kjo situatë të marrë fund sa më parë, dhe gjithçka t’i kthehet normalitetit. Edhe në futboll.

9. A pritet që ky konflikt të marrë fund së shpejti dhe në sezonin e ardhshëm të shohim sërish skuadrat ruse në kompeticionet europiane?

- Në radhë të parë, ne urojmë shumë që konflikti i armatosur të marrë fund sa më shpejt. Zëri i arsyes duhet të triumfojë dhe është e rëndësishme që Bota ka nevojë për paqe dhe kjo është një gjë shumë e rëndësishme. Pas eksperiencave që provuam gjatë kësaj periudhe me masa të shtrënguara për shkak të Pandemisë të shkaktuar nga COVID 19, planeti ka nevojë për sa më shumë paqe, harmoni. Popullsia e botës, ka nevojë të jetë sa më e lumtur dhe të shikojë me optimizëm nga e ardhmja. Për të gjitha këto arsye humane që përmenda më lart, lufta duhet të ndërpritet. Sigurisht, arsyet sportive vijnë më pas dhe shpresoj shumë që gjithçka t’i kthehet normalitetit edhe në futboll.

10. Vendi juaj, pas përpjekjeve tuaja të mëdha, mori përsipër të presë finalen e Ligës së Konferencës së Evropës të kësaj veprimtarie të sapokrijuar. Por lexoni që ekziston mundësia që t'ju heqin të fundit. Kjo është e vërtetë, sepse në emër të UEFA-s, të paktën askush nuk e ka përmendur zyrtarisht këtë çështje.

- Ne kemi punuar shumë, prej vitesh, për të arritur që kjo finale të zhvillohet në Tiranë. Një staf i dedikuar i FSHF ka punuar për plotësimin e një dokumentacioni sa më të plotë dhe në nivel profesional. Gjithashtu një pjesë e madhe e stafit të FSHF po bashkëpunon ngushtë me organizatorët për të arritur maksimumin, që kjo finale jo vetëm të jetë një perfeksion nga mënyra e organizimit por të japë një imazh sa më të mirë, jo vetëm për Tiranën por për të gjithë Shqipërinë. Besoj shumë se e gjithë kjo punë e deritanishme nuk do të shkojë dëm, duke shpresuar në bashkëpunimin me të gjitha strukturat e shtetit shqiptar për të qenë sa më të vlerësuar si vend dhe si strukturë.

11. Në nëntor, për herë të parë në historinë e Kupës së Botës, një vend nga Lindja e Mesme dhe më konkretisht Katari i vogël por i bukur do të presë eventin më të mirë sportiv të vitit 2022. Çfarë duhet të presim këtë ngjarje të madhe dhe sigurisht Katari…

- Ajo që mund të them menjëherë është që do të na presin surpriza shumë të bukura duke parë se Katari ka përdorur teknologjinë më moderne në impiantet sportive që ka ndërtuar, duke ofruar risi të mëdha në prag të kësaj Kupe Bote. Gjëra këto, që ndoshta mendja e njeriut e ka të vështirë t’i përfytyrojë, normalisht. Një pjesë të tyre, ne i zbuluam gjatë pjesëmarrjes në Kongresin e FIFA-s, zhvilluar në Doha dhe gjatë hedhjes së shortit për finalet e këtij Botërori.

Nga ana teknike, e rëndësishme është që të shikojmë për herë të parë në histori, një Botëror që zhvillohet në dimër, si kurrë ndonjëherë. Do të jetë një eksperiencë e re jo vetëm për ekipet përfaqësuese dhe futbollistët por edhe për kampionatet kombëtare në shumë vende, të cilat do të ndërpriten dhe ngjeshin kalendarin si kurrë ndonjëherë.Kjo do të na shërbejë gjithashtu për të vlerësuar dhe projektet e ardhshme në lidhje me kalendarët dhe kompeticionet europiane e botërore. Të gjithë do të mësojmë nga kjo eksperiencë, duke pasur një eksperiencë të vyer në gjykimin e rasteve të tjera në të ardhmen.

12. Shohim që FIFA kërkon që faza finale e Botërorit të organizohet çdo 2 vjet. A jeni dakord me këtë veprim?

- Kjo është një temë e gjerë, e cila si çdo gjë e re ka gjithmonë mendimet “pro” dhe “kundër”. Unë mendoj se e rëndësishme është që gjithçka t’i shërbejë të mirës së futbollit, cilësisë së lojës dhe interesave të futbollistëve, trajnerëve dhe stafeve. Dua theksoj se një Kupë Bote çdo dy vite mund të dëmtojë shumë futbollin duke i sjellë atij dëme të pariparueshme. Nuk është koha për prova dhe nuk do duhet që asnjë të bëj eksperimente në kurriz të futbollit.

13. Cilat janë planet tuaja të ardhshme për këtë mandat të 6-të të presidencës së UEFA-s?

- Ne i kemi shpalosur ato, nëpërmjet strategjisë katërvjeçare “Futbolli për Kombin”, që lançuam përpara disa javësh. Ajo është një punë e mirëfilltë studimore, fryt i hulumtimeve, analizave dhe llogaritjeve të shumta që grupi i punës ka bërë me këtë rast. Nëpërmjet saj, ne jemi të qartë se ku synojmë të arrijmë gjatë kësaj periudhe, duke përcaktuar prioritetet. Dy më kryesoret janë futbolli i femrave dhe ai i fëmijëve. Duhet të bëjmë hapa të tjerë cilësorë në zhvillimin e tyre. Sigurisht, pa hequr dorë nga përmirësimi i infrastrukturës, për të krijuar kushte sa më të mira për stërvitjen e brezit të të ardhmes. Po kështu e qartë është strategjia edhe për ekipet kombëtare apo për punën që bëhet në lidhje me edukimit jo vetëm të kuadrit trajner nëpërmjet kurseve por duke vazhduar edhe me profesione të tjera si mjeku sportiv, fizioterapistët, përgatitësit atletikë e deri tek videoanalistët. Pa hequr dorë edhe nga përgjegjësitë sociale dhe ndihma për shtresa të caktuara.Ne besojmë se jemi një forcë e madhe shtytëse për shoqërinë shqiptare dhe puna jonë do të ketë impakt në të gjithë trupin futbollistik e jo vetëm shqiptar. Jam besimplotë se me punë, siç kemi treguar në të shkuarën, do ti arrijmë të gjitha dhe futbolli shqiptar do të vazhdojë rrugëtimin e tij rritës.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco