Ekspertët ndërkombëtarë dhe FSHF sjellin në Tiranë përvojën më të mirë të së drejtës sportive

Ekspertët ndërkombëtarë dhe FSHF sjellin në Tiranë përvojën më të mirë të së drejtës sportive

17:58, 30/11/2021

Është zhvilluar nën kujdesin e Federatës Shqiptare e Futbollit workshop-in me temë “Gjykata e Arbitrazhit Sportiv, Çështje të Zgjedhura Procedurale dhe Fair-Play Financiar”, ku morën pjesë figura të njohura të së drejtës sportive në Europë dhe në Shqipëri.

Në panelin e referuesve ishin Zv.Presidenti i FSHF-së, Edvin Libohova, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, Drejtori i Departamentit Juridik në FSHF, Aldi Topçiu, Giulio Palermo avokat në studion Archipel në Gjenevë, Jacopo Tognon, Avokat, Pedagog i Universitetit të Padovas dhe Arbitër në KAS si dhe William McAuliffe, Kreu i Disiplinës në UEFA.

Në këtë workshop merrnin pjesë anëtarët e Komisionit të Disiplinës dhe Etikës, anëtarët e Komisionit të Apelit, DHKZK dhe Komisionit të Licencimit si dhe juristë e përfaqësues të klubeve anëtare të FSHF-së.

Në fjalën hapëse të këtij takimi pune Zv.Presidenti i FSHF-së, Libohova, u uroi mirëseardhjen miqve në Shtëpinë e Futbollit për këtë workshop mbi arbitrazhin sportiv dhe fair play-n financiar ndërsa vlerësoi faktin që ky event i rëndësishëm me ekspertë ndërkombëtarë zhvillohet nga FSHF.

“Ky event mbart një rëndësi të posaçme për FSHF-në në disa aspekte. Së pari në nivel teknik është i rëndësishëm për shkëmbimin e eksperiencave mes trupave tona juridike dhe eksperteve te se drejtës sportive ne Evrope. Drejtësia sportive tashmë është konsoliduar tashmë edhe brenda organeve vendimmarrëse të FSHF-së ndonëse jashtë federatës ajo le ende për të dëshiruar. Së dyti në nivel njohjesh ky workshop duhet të shërbejë për klubet tona anëtare si urë lidhjeje me ekspertët e huaj për të shkëmbyer eksperienca dhe pse jo, për të vendosur bashkëpunime në të ardhmen”, – tha Libohova.

Në workshop-in ndërkombëtar për të çështje të së drejtës sportive që organizua nga FSHF në vitin 2019, ekspertët juridikë të FSHF dhe klubeve shqiptare patën rastin të njihen e të shkëmbejnë eksperiencat me specialistë të së drejtës ndërkombëtare, të cilët më vonë u kthyen në bashkëpunëtorët e FSHF në çështje të rëndësishme si ajo e Nedim Bajramit në FIFA dhe më pas në CAS.

Ky ishte një takim i programuar në kuadër të politikave të federatës Shqiptare të Futbollit për shkëmbimin e dijes mes organeve juridike të FSHF dhe atyre të UEFA-s. Në workshop u trajtuan nga lektorët ndërkombëtarë specifikisht disa çështje me natyrë procedurale dhe themelore të arbitrazhit në KAS, pranueshmërisë së padive, ndihmën juridike falas dhe fair-play-n financiar, ndërkohë që të pranishmit kanë pasur mundësi të diskutojnë dhe të shkëmbejnë ide mes tyre.

Tre vite më parë FSHF u angazhua të kthejë evente të tilla profesionale në një zakon të mirë dhe sot, pas vështirësive të pandemisë Federata Shqiptare po i qëndron këtij angazhimi duke vijuar të shërbejë si një pike takimi për profesionistët e sektorit.

Ky workshop është i dyti që u organizua në Tiranë pas atij të janarit 2019 dhe shërbeu gjithashtu si një lloj platforme për krijimin e kontakteve mes profesionistëve të së drejtës sportive.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco