Kupa e Amerikës/ Brazili e mbyll grupin si kryesues

Kupa e Amerikës/ Brazili e mbyll grupin si kryesues

09:31, 28/06/2021

Brazili ka barazuar 1- 1 kundër Ekuadorit, në një ndeshje që i pati të gjitha.

Skuadra e drejtuar nga Tite kryeson Grupin B me 10 pikë të marra në 4 ndeshje, ndërkohë që përballja me ekuadorianët i pati të gjitha: gola, nervozizëm dhe… llogari.

“Seleçao” kaloi e para në avantazh me mbrojtësin Militao në minutën e 37-të, teksa ky i fundit mori një pasim të saktë nga Everton dhe e dërgoi topin në rrjetë.

Brazili u duk se mori frenat e lojës në dorë, por kjo zgjati vetëm pak minuta, sepse Ekuadori nuk u dorëzua dhe luajti në mënyrë të organizuar duke mos u lënë shumë hapësira vendësve.

Angel Mena i Ekuadorit barazoi shifrat në minutën e 53-të, duke befasuar portierin Alison.

Duhet saktësuar se trajneri Tite kishte lënë një pjesë të rëndësishme të titullarëve pushim, duke nisur me Nejmarin dhe më pas Tiago Silva, Aleks Sandro, Kasemiro dhe Vinicius.

Këta dy të fundit u aktivizuan në pjesën e dytë, kur Brazili nisi të ndjente lodhjen dhe Ekuadori po bënte të gjitha përpjekjet që të mund të gjente golin e fitores.

Ishte një manovër e qartë e teknikut Tite për t’i dhënë frymëmarrje skuadrës së tij që tashmë e ka siguruar vendin e parë dhe gjithçka ka qenë formalitet.

Ekuadori gjithashtu ka siguruar kualifikimin, sepse i ka mjaftuar pika e marrë ndaj Brazilit në ndeshjen e fundit në grup, duke qenë se Peruja mundi me rezultatin minimal Venezuelën.

Golin për Perunë e shënoi Karrijo në minutën e 48-të dhe Venezuela e pati të pamundur të reagonte, duke u renditur në vendin e pestë dhe duke mbetur jashtë këtij kompeticioni, sepse në katër ndeshje regjistroi vetëm dy barazime dhe dy humbje.

Kujtojmë që për çdo grup kualifikohen 4 ekipe, të cilat më pas kalojnë në fazën çerekfinale.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco