Brdaric: Penalltia me Partizanin ishte e drejtë, akoma asgjë nuk ka përfunduar ne besojmë te titulli

Brdaric: Penalltia me Partizanin ishte e drejtë, akoma asgjë nuk ka përfunduar ne besojmë te titulli

11:18, 23/05/2021

Vllaznia beson fort te fitimi i titullit. Triumfi 0-1 në kryeqytet ndaj Partizani ka krijuar entuziazëm të madh në Shkodër. Sfida e fundit e kampionatit luhet në “Loro Boriçi” kundër Laçit të Duros. Kuqeblutë kanë nevojë për fitore me një gol më shumë se fitorja e Teutës (pret Apoloninë) për t’u shpallur kampion.

Trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdaric ka dhënë një prononcim për “Zona Gol”, aty ku karikon djemtë e tij për finalen e fundit, thekson se penalltia që vendosi fitoren ndaj Partizanit ishte e saktë dhe e mbyll me një koment për Edi Martinin, trajnerin e Teutës.

“Ne jemi ende në garë për titullin. Kemi treguar entuziazmin tonë. Është gjithçka e hapur dhe tifozët duhet të jenë të lumtur. Kush fiton? Nuk e di asnjë se cila skuadër do e fitojë titullin“, deklaron gjermano-kroati, i cili i rikthehet edhe njëherë suksesit ndaj “Demave”.

“Ishte një ambient i këndshëm, ne ishim shumë të motivuar. Ishim të përqendruar te ndeshja dhe skuadra bëri një paraqitje shumë te mirë. Të gjithë bënë shumë mirë. Skuadra bëri atë që kisha kërkuar, morëm rezultatin e merituar.

Penalltia? Mund të diskutojmë për shumë gjëra. Ishte faull, ishim pak me fat, por duhet të besojmë te gjyqtarët, pasi kanë një punë të vështirë. Duhet të kemi besim te puna e tyre. Nuk duhet ta diskutojmë këtë penallti. Ishte fitore e merituar. Penalltia ishte një vendim i vështirë. Dora nuk ishte e mbyllur, ishte e hapur dhe prandaj penalltia ishte e saktë.

Pikësëpari dua të them se e shoh shpesh këtë situatë. Penalltia ndaj Partizanit është. Për mua është çdo herë penallti. Në ndeshjet e fundit, gjyqtarët kanë bërë paraqitje të mira. Nuk është e lehtë në këtë situatë, për të dhënë vendimet e duhura. Ne flasim për një situatë, të cilën e shikojmë disa herë dhe nuk jemi të qartë nëse është apo jo, ndërsa ata e marrin vendimin në moment.

Shkarkimi pas Bylisit? Kjo është një histori e veçantë dhe do e tregoj pasi të përfundojë kampionati. Takova sot Martinin dhe më tha se titulli është çështje e mbyllur, por unë nuk mendoj se është çështje e mbyllur. Mesazh Arapit? I thuaj Martinit që kampionati ka 36 javë dhe jo 35“, përfundoi Brdaric.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco