Skandaloze/ Duhani pushton lokalet anembanë Kosovës

Skandaloze/ Duhani pushton lokalet anembanë Kosovës

13:31, 17/01/2019

Ligji për Kontrollin e Duhanit (LKD) është duke u respektuar shumë pak  në vendin tonë.

Shkeljet e LKD gjegjësisht ndalimit të pirjes së duhanit në vende publike kanë arritur përmasa alarmante me shkallë të lartë të rrezikshmërisë për shëndetin e qytetarëve në Kosovë.

Nga rezultatet e monitorimeve të Qendrës Kosovare për Avokim dhe Zhvillim (KADC), ka dalë se shkelësit më të mëdhenj të ligjit janë klubet e natës, të cilat e shkelin ligjin pa përjashtim me 100%, pastaj vijnë kafenetë me 78% dhe restorantet me 60%.
 
Tashmë kur po hyn viti i gjashtë i hyrjes në fuqi i këtij ligji, shqetësimi bartet tek qytetarët, të cilët nuk e pijnë duhanin. Madje, ata thonë se do të duhej të ketë kontrolla më të rrepta në mënyrë që kjo të ndërpritet, sepse drejpërdrejt ndikon në shëndetin e tyre.

Se duhani ndikon në dëm të shëndetit e thotë edhe Dr. Oflin Sejda, specialist i mjekësisë familjare.

“Duhani nuk prek vetëm duhanpirësit por edhe njerëzit pranë tyre e sidomos në ambiente të mbyllura. Këta duhanpirës pasiv rrezikojnë të zhvillojnë probleme me shëndetin e sidomos fëmijët , personat e moshuar dhe gratë shtatzëna. Nëse qendrojnë shpesh këta joduhanpirës në tymë duhani atëherë rrezikojnë të sëmuren nga semundjet reskiratore, kanceri i mushkërive, dhe sëmundjet kardiovaskulare”, ka thënë Sejda për SyriKosova.
 
 Pirjen e duhanit në kafiteri dhe klube nate e sheh si shqetësuese KADC.  Sipas kësaj qendre vështirësitë kryesore në zbatimin e ligjit për kontrollin e duhanit qëndrojnë në mungesën e vullnetit politik dhe neglizhencës që i bëhet këtij ligji nga ana e qeverisë dhe kryetarëve të komunave, koha e stërzgjatur e trajtimit të lëndëve nga ana e gjykatave, mungesa e inspektimeve nga organet përgjegjëse për zbatim gjegjësisht inspektoratet dhe mos-funksionalizimi i kompetencave shtesë që u jepen organeve zbatuese nga Ligji i ri për Kundërvajtje.

“Monitorimet e realizuara nga KADC kanë treguar për rënie të vazhdueshme të zbatimit të ligjit për kontrollin e duhanit.

Sot, pesë vjet pas hyrjes në fuqi, zbatimi i ligjit është në nivelin më të ulët. Zbatimi i ligjit mbikëqyret dhe zbatohet dobët nga inspektorati sanitar. Ata e ndjejnë se autoriteti i tyre është dëmtuar për shkak të vonesave deri në trajtimin e lëndëve që zgjasin deri në dy e tre vjet, zvogëlimin e gjobave deri në shuma të parëndësishme të të hollave, dhe hedhjes së rasteve nën justifikimin e mungesës së provave.

Një fakt tjetër me rëndësi është që nuk janë ndëshkuar shkelësit recidivë edhe pse dihen se cilët janë, gjë që ka çuar mesazhin e gabuar se shkelja e ligjit nuk ndëshkohet dhe  ka kontribuar në rritjen e konkurrencës jo-lojale”, ka thënë për SyriKosova drejtori Shkumbin Spahija.

Në anën tjetër Zyrtarë të Inspektoratit Sanitarë të Kosovës, për SyriKosova, thonë se Ligji për kontrollin e duhanit mund të ketë shënuar rënje për shkak se shumë fletëparaqitje nga vitet paraprake nuk kanë marrë formën e prerë ekzekutuese ndëshkimore nga ana e Gjykatës.

“Ka pasur edhe vonesa në shqyrtim lëndësh, por si shkas tjetër është edhe vullneti i Kryetarëve të Komunave në zbatimin e këtij ligji, pra në disa Komuna kemi edhe mungesë të Inspektorëve Sanitar Komunal.

Gjatë periudhës Janar - Dhjetor 2018 periudha kohore në të cilën  ka  shkelje më të mëdha të ligjit të duhanit janë kryer 66 kontrolle zyrtare gjatë orarit zyrtar të punës.  Aty ku janë hasur shkelës të ligjit janë penalizuar dhe  kemi iniciuar  12 fletëparaqitje të cilat janë dërguar në gjykata kompetente”, ka thënë Lamir Thaqi, zyrtar për informim në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).

Për muajin janar Thaqi ka thënë “Në këtë muaj me plan për kontrolle kemi paraparë aksion lidhur me zbatuashmërin e ligjit për duhanin. Ndaj të gjithë shkelësve do të merren të gjitha masat ligjore”.

Ndërkaq, përkundër dënimeve ose inspektimeve del të jenë pronarët e lokalave, të cilët lejojnë klientët të pijën duhan me arsyen se nuk dëshirojnë të humbin klientelen.

“Lejohet sepse nëse ua ndalojmë duhanin e humbin edhe klientelën. Pastaj, këtë gjë e bëjmë po ashtu sepse ligji në praktikë nuk është i njëjtë për të gjithë, por, faji është edhe te kultura dhe mentaliteti shoqëror, ka thënë për SyriKosova I.B., pronar i një prej lokaleve në Prishtinë.

Ndryshe, duhani është shkaktari i dytë i vdekjeve në botë. Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron se përdorimi i duhanit shkakton sëmundje dhe goditje kardio-vaskulare, si dhe mund të sjell vdekjen e parakohshme. Sipas kësaj organizate çdo vit në botë vdesin mbi 7 milionë njerëz si pasojë e pirjes së duhanit.

Ndryshe, në Kosovë Ligji për kontrollin e duhanit ka hyrë në fuqi në vitin 2013, por që zbatimi i tij, ende vlerësohet se nuk është në nivelin e kënaqshëm.Ky ligj ndalon pirjen e duhanit rreptësishtë nëpër zona të mbyllura, sikurse nuk lejohet as reklamim i pakove të cigareve.

Image

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco