Gruaja në rozë

Gruaja në rozë

12:20, 30/12/2020

Kjo është historia e një luftëtareje.

Një natë të vonë pranvere për të nisi edhe beteja e parë.

Para 16 vitesh, Nafije Latifi vërejti një gjë të pazakontë te vetja. Ishte kthyer nga një festë dhe po i bënte ritualet e zakonshme të mbrëmjes. Por ajo natë s’ishte e zakonshme. Shumë shpejtë do shndërrohej në natën që do i ndryshonte jetën.

“Sëmundjen e kam zbulu me 23 maj 2004. Meqë ndalej uji, unë në shpejtësi hyna me e bo një tush. Në moment mu ndal dora në një gjëndër, një kokërr që e preka. Ta them të drejtën menjëherë më shkoj mendja për ma të keqen sepse natyrisht njerëzit frikësohen së pari nga e keqja e pastaj mendojnë diçka më të mirë”, kujton ajo majin e dikurshëm.

Çdokush mund të kishte dëgjuar për një simptomë të tillë. Por njohuritë ishin të mjegullta edhe për Nafijen, që punonte si gazetare për një kohë të gjatë. Ajo po e mendonte më të keqen dhe më e keqja që i shkonte ndërmend ishte një sëmundje që rrallë i dëgjohej emri nëpër qarqet në të cilat sillej.

Pothuajse dy dekada më parë, rruga s’ishte kaq e trazuar sa është sot. Udhëzimet mungonin.

“U mendova një javë se ku të shkoj e çka të bëj. E kisha një gjysmë informate sepse në 2004-tën kjo ka qenë një temë tabu. Sigurisht shumë gra kanë qenë të atakuara dhe janë ataku në ndërkohë”, tregon Nafija për revistën ZA, e ndërkohë po e shërbente veten me një çaj kamomili.

“Me vetveten isha në dilemë a të shkoj te mjeku a të filloj ndonjë trajtim, apo të pres se çfarë po ndodh”.

Historinë e saj po e dëgjonim në një ambient të qetë. Në një kafene në Prishtinë, e veshur në një këmishë ngjyrë rozë dhe një kostum të teget, ajo po rrëfente pa dorëza përjetimet e saj. Dikur një histori e tillë, as që zihej nëpër gojë, e sidomos në një vend publik e të frekuentuar.

Kanceri i gjirit ishte tabu. Për shumë arsye. Aso kohe nuk flitej për kancerin e gjirit dhe Nafija thotë se cilësohej si diçka e turpshme nga pjesa më e madhe e shoqërisë.

Mendimet kishin zënë vend në përditshmërinë e saj për shtatë ditë me radhë. Nata e 23 majit nuk përfundoi për një javë të tërë. Kontrollin e parë te mjeku ajo e kishte ditë më vonë.

“Nja një javë kam pasur dilema. Netë pa gjumë. Ditë të vështira. Në fillim s’ia thash askujt. Gjithmonë kam dashtë me e kursy familjen edhe miqtë e mi nga lajmet e këqija dhe të tilla kam pasur mjaft në jetën time”.


Vendimi për një ultrazë do të shoqërohej me një mal analizash. Gjërat nuk dukeshin mirë. Nafija ngadalë po e kuptonte se një “mysafir” i paftuar po i hynte në jetë.

“Ultrazëri doli që është diçka e dyshimtë. Ishte një gjëndër e dyshimtë”.

Se çfarë do të ndante me familjen e çfarë jo e kishte ende të mjegullt. Situata ishte e paqartë. Në vizitat fillestare shkonte e vetme. Megjithatë, dëshira për privatësi do të mbetej vetëm dëshirë. Dikush nga ordinanca private ku ajo po mjekohej, e rrodhi një informatë. “Nafija po dyshon në një sëmundje të rëndë” – treguan ata që e kontrolluan. Dhe kjo, e kishte penguar jashtëzakonisht shumë Nafijen, e cila nuk u la e qetë në paqartësinë e saj. Të gjithë e kuptuan, telefonatë pas telefonate që ia bënin njëri-tjetrit duke shkëmbyer shqetësimet për më të dashurën e tyre.

“Kur kam dalë nga njëra prej kontrollave të nesërmen 17 veta kanë qenë para dyerve të ordinancës. Familjarë e miq, fqinjë e të tjerë. Kjo gjë më ka penguar shumë”, tregon Nafija e papenguar nga njerëzit që hynin nga kafeneja e e përshëndesnin herë pas here.

Edhe mendimet e mjekëve ishin të turbullta. Nevojiteshin ende analiza për t’i vënë vulë diagnozës. Kosova nuk ofronte kushte e as infrastrukturë për ta trajtuar sëmundjen e saj – e cila ende nuk dihej përfundimisht se në cilën fazë ishte e as e çfarë tipit.

“I kam thirrë familjarët në kafe dhe ju kam thënë unë këtu nuk do të trajtohem. Më është dashur të pres edhe 3-4 muaj për trajtim kirurgjik”.

Në horizont ajo e shihte se diçka e vështirë po e priste.

“Se diagnoza është pozitive unë e pashë nga vlerësimet e analizat. Kam shkuar edhe për mendime të dyta e të treta. Kam shkuar edhe në Shkup. Të gjithë më thanë që dyshohet për kancer”, thotë ajo, duke kujtuar me detaje ditët e para të betejës së gjatë.

Shkuarja në Gjermani ishte vendimi i duhur, por problematik. Nafija që po përballej me situatën më të vështirë në jetë, prapë duhej të merrej me procedura të mundimshme burokratike si viza e pagesat marramendëse për trajtim. Ajo ishte një qytetare e Kosovës. Kishte punuar tërë jetën e saj por prapë, ndonëse me ndihmën e të gjithëve, kostoja e trajtimit ishte e papërballueshme. Vendimi i radhës ishte të kthehej.

“Unë nuk jam trajtuar në QKUK e ka qenë shumë i kushtueshëm trajtimi në Gjermani. Nisa të hulumtoja nëpër internet, të merrja informata dhe pashë që ajo target terapia kushtonte mbi 100 mijë euro. Mundësitë natyrisht nuk ishin”, thotë ajo, derisa rregullonte shallin e këndshëm me lule ngjyrë rozë.

Ishte vetëm 54 vjeçare kur përfundimisht u diagnostikua me kancer të gjirit. Deri atëherë ajo po punonte. Po i realizonte ëndrrat. Profesionalisht kishte arritur pikun.

Nafija, ishte e diplomuar në gjuhë dhe letërsi shqipe dhe sapo kishte nisur prodhimin e revistës “Rreze”. Revistën e kishte drejtuar për katër vjet. E themeloi në vitin 2000 pas një përvoje të gjatë në gazetari. Nafija si pak gra të kohës së saj kishte nisur të punonte si gazetare qysh kur ishte studente.

“Çdo gjë u ndal për mua”.

“Para se të diagnostikohesha punoja në revistën time për të rinjë. Aty kam qenë edhe editore edhe kryeredaktore edhe gazetare”, tregon ajo përplot entuziazëm.

Në ndërkohë po bënte edhe një punë tjetër. Të dyja përnjëherë. Dita e saj ishte aktive, pothuajse 24 orë. Por për një çast, jeta u ndal për të... Ndoshta kishte menduar se çfarë po i ndodhte ishte e padrejtë. Apo ndoshta që nuk kishte më arsye të vazhdonte të bënte as edhe një gjë sepse në fund të ditës s’do të kishte vlerë.

“E ndala punën sepse mendova se u ndal jeta. Përballja me këtë diagnozë për mua ka qenë shokante. Sikur mbaroi gjithçka dhe do të pritet fundi. E kam pasur një amulli në kokë që nuk di ta shpjegoj”.

Kthimi nga Gjermania me diagnozën pozitive për kancer e kishte trazuar jashtë mase jetën e saj. Ajo kishte nevojë për pak hapësirë, për ta rivlerësuar situatën dhe për t’i marrë vetë vendimet për jetën e saj.

“Mu deshën disa muaj për këndellje. Më lodhshin vizitat formale të njerëzve. Vinin me më pa se isha e sëmurë. Kjo më ka penguar shumë. S’kisha nevojë që të vinin e të më tregonin se qysh dikush është operu e është gjallë hala e dikush i ka edhe dy vjet jetë, kjo tjetra pesë vjet e të tjera. Unë kisha nevojë që ta gjej zgjidhjen më të përshtatshme për mua”, thotë ajo me këmbëngulësi.

Kanceri s’është nga ato sëmundje që shërohen. Prandaj situatën po e përcillte me rregull. Zakonisht, ordinancat ishin përplot me gra që po e ndanin të njëjtin fat me të. Tërë zhgënjimin që Nafija e përjetoi me diagnostikim e përktheu në një forcë që do depërtonte te çdo grua që ajo do të njihte më vonë.

“Ishte protokolli që të shkoja për vizita çdo 3 muaj për ta parë nëse sëmundja që kisha po përparonte. Në kontrollat rutinore nisa të takoja gratë që po përballeshin me situatën e njëjtë. Nisa të komunikoj me to e t’iu jepja vullnet atyre. Ua jepja vullnetin që s’e kisha për vete”.

Koha është relative dhe Nafija e kuptoi mirë relativitetin e saj kur ditëve e netëve s’u ndërronte as ngjyra – ato ishin të zeza, të gjata dhe ndonjëherë dukej se ndalonin fare.

 “Në atë kohë lexoja. Lexoja për sëmundjen por u lodha sepse në internet mund të gjesh informata që janë edhe dezinformata. Prognozat për sëmundjen time aty ishin 2-3 vjet jetë. Ishin mjaft të rënda, vështirë të përballueshme dhe për një moment e lash internetin me informata dhe nisa të lexoja gjëra relaksuese. Shihja filma natë e ditë, e ditë e natë. Nuk kisha gjumë”.

Image

Është ironike ta mendosh. Ajo po ju jepte kurajë të tjerave gra që takonte. Për vete kalonte netë pa gjumë. Por këtu jeta e saj mori një kthesë tjetër. Nafija nuk e kishte njohur asnjëherë në jetë dorëzimin. Shpejtë vullneti i saj për jetë do shndërrohej në forcën kryesore në vend kundër kancerit. Ky ishte misioni i ri.

“Kështu lindi ideja për ta themeluar një shoqatë, meqë veç kisha vullnet t’iu ndihmoja të tjerave”.

Entuziazmi për diçka të re e kishte bërë të mos e mendonte sëmundjen, e cila në ndërkohë s’pyeste për planet e Nafijes. Ndonëse fizikisht ishte e fortë dhe ndjehej mirë, kanceri u shfaq përsëri edhe më i ashpër. Plot 14 muaj pas diagnostifikimit, ajo vërejti simptoma të tjera.

“Edhepse isha në kontrolla të vazhdueshme e zbulova vet kthimin e sëmundjes. Ishte një gjëndër e vogël dhe me disa miq u morëm vesh që të kisha edhe një ndërhyrje. Vendosa që ta bëja me anestezion lokal. Zgjati 45 minuta. Ka qenë përjetim i rëndë”.

Terapitë i kishte marrë në Shkup duke udhëtuar sepse s’e duronte dot atmosferën e spitalit. Betejat me kancerin po i fitonte duke luftuar fort dhe e heshtur.

Në vitin 2006 ajo themeloi Qendrën Kosovare për Luftën e Kancerit të Gjirit. Shoqatës ia la emrin “Jeta-Vita” sepse misioni i saj ishte të shpëtonte jetë. E trajnuar të gjejë informacione dhe kureshtare, Nafija vazhdimisht po hulumtonte që të sillte inovacione në shoqatën e saj. Ajo ishte e vendosur. Do të bënte gjithçka që mundej për t’i informuar bashkëvendëset me të cilat e ndante fatin e njëjtë.

“Pasi i kreva rrezatimet e themelova shoqatën. Duhej një zyre dhe funksionalizim i punës dhe të gjitha idetë që i kisha dhe që i pashë në internet u mundova t’i sjellë në Kosovë. Doja t’i marr përvojat e vendeve të zhvilluara e t’i aplikoj këtu”, kujton ajo me krenari .

Shoqata e udhëhequr nga Nafija ka arritur të krijojë infrastrukturë për trajtimin e kancerit të gjirit. Me dhjetëra mijëra gra janë njoftuar për simptomat e kanë marrë udhëzime për sëmundjen nga projektet e kësaj shoqate.

Lufta me kancerin ia ka mësuar disa teknika. Stratege e pakonkurrencë karshi kancerit. Nafija qëndroi stoike në rezistencën e saj. Ajo identifikohet me shpresën e vullnetin nga gratë që i viziton herë pas here në Institutin Onkologjik. Këtu e gjen përmbushjen.

“Vetë fakti që pas këmbimit të përvojave, që sapo është ballafaqu me sëmundjen, ndjehet më e lehtësuar pas takimit me mua është satisfaksion. Kur i orientoj ku të shkojnë e çfarë të bëjnë është mjaft për mua”.

Për ta luftuar kancerin ende nuk ka një formulë të sigurt kimike. Por ndoshta formula është vetë Nafija. Një zonjë në të 70-tat. E kuruar në pamje, elegante dhe me një qëndrim që të bën të kthesh kokën prapa.

“Po ju them veç vullnet. Keni kujdes për veten, duajeni veten. Jeta është e mirë dhe ia vlen të jetohet. Është mirë me gjet motiv për me e vazhdu jetën”, thotë Nafija, derisa vazhdonte t’i fliste çdo njeriu që hynte e dilte nga dyert e kafenesë. "Sëmundjen e përballon me forcë, ose strukesh në shtëpi. Po u struke e bën jetën tënde e të familjarëve të tu edhe më të vështirë”, e tregon ajo teorinë e saj. 

“Çdo ditë që je funksional ia vlen të jetohet. Unë çdo mëngjes që zgjohem edhe mund të eci e të funksionoj, veç e shoh se çka duhet me bo sot”, përfundon Nafija që muajin tetor e ka pasur të stërngarkuar me aktivitete.

Lobimi i shoqatës së saj e ka sjellë në Kosovë autoambulancën mobile që bën mamografinë. Mbi 10,000 gra janë kontrolluar nga specialistët për të zbuluar kancerin e gjirit.

Nafijes lufta me kancerin i ka zgjatur për vjet të tëra. Ka momente kur ishte dekurajuar. Ka të tilla që i kishte menduar si të fundit. Kujtimet e saja janë të shpërndara, ngase ajo as që do t’i kujtojë më. Por historia e saj duhet të tregohet.

“Kur më është rikthyer sëmundja, pasi e kam marrë vesh kam rezervu pushime në Turqi. Kam shkuar në deti edhe pse s’ishte gjë e mirë për shëndetin tim. Kam ndejtë dy javë edhe ditën e fundit jam përshëndetë me detin. Edhe kam mendu që aq e pat dashuria ime me detin”, rrëfen ajo, duke përmbyllur tërë historinë e luftës së saj të gjatë.

“Por ka ardhur vera tjetër, e tjetra, e tjetra edhe unë prapë kam shkuar në deti”, tregon ajo duke dhënë shpresë për çdokënd që do e dëgjojë.

Shpirtin e kishte më të fortë se çdo gjë që i ndodhi. Filozofia e jetës së saj e nxori ballëhapur para çdo sfide. Nafija s’do as ta mbajë mend se kishte qenë e sëmurë ndonjëherë.

Ajo i hoqi syzet dhe i vendosi në kuti. Largoi pak filxhanin e çajit dhe vendosi duart mbi tavolinë.

“Dua që pacientët tanë të kenë edhe kujdesin paliativ. Kur sëmundja merr hov te ne pacientët i lihen vetes dhe familjes. Është fund i dhimbshëm dhe i vështirë. Është e pafalshme që njerëzit tanë të mos e kenë këtë shërbim. Kjo është domosdoshmëri”, tha ajo dhe vendosi kutinë e syzeve në çantë.

Ky është misioni i saj i ri.

Dikur ajo editonte tekstet në revistë. Përfundimisht, Nafija e editoi jetën e saj duke i dhënë kahjen që donte. Atë e shohim çdoherë në krye të frontit, duke udhëhequr ende luftën, jo më për vetën – për gratë e tjera.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco