'Në vend të nekrologut', Teatri Kombëtar kujton jetën dhe veprën e Adem Mikullovcit

'Në vend të nekrologut', Teatri Kombëtar kujton jetën dhe veprën e Adem Mikullovcit

11:45, 15/09/2020

NË VEND TË NEKROLOGUT

Ndahet nga jeta aktori dhe regjisori i shquar shqiptar, Adem Mikullovci!

Mikullovci u nda nga kjo jetë për të lënë pas vetes vepra të shumta dhe të qëndrueshme artistike, në teatër, film dhe në televizion.
Krijimtaria e tij artistike do të mbetet adresë e përhershme dhe e pa kapërcyer për komunitetin artistik, por jo vetëm.

Aureola e tij prej aktori dhe regjisori do të ngelet thesar kulturor për Teatrin Kombëtar në veçanti, për filmin dhe për kulturën kosovare në përgjithësi.

Ai tashmë ka fituar respektin e të gjithëve.
Ishte njëri nga artistët më të vyeshëm dhe më në zë i përmasave popullore.
Ishte i dashur, i këndshëm, çelës edukativ për breza të rinj, mbase, ishte model rrënjësor për lidhjen, komunikimin dhe thjeshtësinë e tij në relacion me bashkëpunëtorët dhe shikuesit.
Mikullovci shquhej për mënyrën e tij kreative në punë, për humorin dhe afërsinë të cilën e manifestonte në secilën rrethanë, kështu, ia arriti që kultin e tij prej aktori ta shndërroj në figurë ikonike.

Mikullovci në kohën e okupimit të Kosovës, vitet e '90 -ta, me vigjilencën e tij prej një artisti të vyer, e gjeti mënyrën e të vepruarit, duke punuar si autor dhe regjisor i projeksioneve të shumta televizive, me karakter tradicional, kanunor, komik, popullor, me të cilat, arriti rekord shikueshmërie, njëherësh, e fitoj epitetin e aktorit të adhuruar nga të gjitha moshat, këtu dhe në mërgatën shqiptare para dhe pas luftës.

Teatri Kombëtar i Kosovës përkatësisht brezi i tij dhe brezat tjerë në vijimësi, sot e për mot, do ta kujtojnë me respekt të veçantë veprën dhe artin e tij, e cila mbetet fjalëkalim për dritaret kulturo-artistike.

Ngushëllimet tona i adresohen familjes së tij, kolegëve të tij, miqëve dhe adhuruesve të shumtë.
…………………………….
Adem Mikullovci ka lindur me; 21. 12. 1937 në Vushtrri,
Bënë pjesë në plejadën e aktorëve të ish - Teatrit Popullor Krahinor tashmë Teatrit Kombëtar i Kosovës.
Studimet Universitare për Teatër dhe Film, i ka ndjekur në Akademinë e Beogradit.
Ka filluar punën në Teatrin Popullor të Kosovës si aktor në fillimet e viteve të ’70 – ta.
Ka interpretuar rreth 45 role kryesore njëherësh rreth 70 role dytësore në teatër.

Është vlerësuar nga kritika për rolet e tij në shfaqjet:
• "Duke pritur Godonë"
• "Po shkoj për gjah"
• "Njeriu që pa vdekjen me sy"
• "Dashuria"
• "Hotel Kashta" (që kishte rekord shikueshmërie)
• "Fundi i botës"
• "Miza në vesh"
• "Erveheja" etj.

Mikullovci, regjisor i shfaqjeve:

• "Pas vdekjës" (Çajupi),
• "Mosha e bardhë "(Agolli),
• "Dan Shejtani"
• "Engjulli i stacionit"
• Monodrama "Bihorasit" (dramatizim i veprës Q. Sijariq)
• Komedia ‘’Shtrati’’
• Stend up komedia "Përgjuesi" etj.

Mikullovci, aktor filmi:
• ''Proka''
• ''Kur pranvera vonohet''
• ''Era dhe Lisi'' etj.

Teatri Kombëtar i Kosovës, shpreh mirënjohje të thellë për kontributin e tij, për dashurinë e madhe që ai e kishte për skenën, për lidhjen e tij me krijuesit e rinj, posaqërisht për filozofinë e të bërit jetë në teatër.

Adem Mikullovci ka ndërruar jetë në orët e hershme të mëngjesit të datës 15 shtator 2020, thuhet në komunikatën e Teatrit Kombëtar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco