Ekzekutimi i Gentjan Bejtjes/ Dy të arrestuarit heshtin para policisë

Ekzekutimi i Gentjan Bejtjes/ Dy të arrestuarit heshtin para policisë

13:08, 20/03/2024

Asnjëri prej dy të arrestuarve deri më tani për vrasjen e Gentjan Bejtjes nuk është treguar bashkëpunues me policinë. As Ilir Brahimi e as Edison Haxhiu nuk kanë pranuar që të japin detaje të personave të tjerë të përfshirë në ngjarje.

Makina tip “Golf” që kanë përdorur autorët është identifikuar nga kamerat e sigurisë dhe më pas është gjurmuar nga hetuesit deri në afërsi të zonës së Lundrës në një lavazh. Atje 30-vjeçari Haxhiu e ka dërguar mjetin për ta larë, por është ndërhyrë nga policia dhe ai është vënë në pranga.

Ilir Brahimi, 41-vjeç, i cili ka edhe dy identitete të tjera (Ilir Beqaraj dhe Ilir Mançellari) akuzohet nga policia si një prej autorëve të dyshuar të vrasjes së 42-vjeçarit. Ndërsa Edison Haxhiu, 30-vjeç, si personi që siguroi kushtet për kryerjen e vrasjes.

Në njoftimin e saj për mediat këtë të mërkurë, policia dha dhe detaje sesi ra në gjurmët e dy të arrestuarve.

Kështu, pasi qëlluan me breshëri plumbash në drejtim të Bejtjas, në serën që ndodhej në oborrin e shtëpisë së tij, autorët u larguan në aksin rrugor Larushkë-Thumanë dhe pas kalimit të mbikalimit të Fushë-Krujës u kthyen majtas, duke djegur makinën e tyre në fshatit Hasan, aty ku dhe u gjet më pas nga hetuesit. Pas kësaj, autorët përdorën Golfin për t’u larguar drejt fshatit Bubq të Krujës.

Ishte analizimi i kamerave të sigurisë që bëri të mundur identifikimin e kësaj makine, që rezultoi në pronësi të të arrestuarit Edison Haxhiu e që përdorej edhe nga Ilir Brahimi. Policia thotë se fillimisht shoqëroi pronarin e makinës, e më pas Ilir Brahimin.

Nga kontrolli në shtëpinë e këtij të fundit, policia gjeti dy armë zjarri, fishekë, radiomarrëse, si dhe një pasaportë e kartë identiteti me shtetësi kosovare.

Në atentatin ndaj 42-vjeçarit Gentjan Bejtja dyshohet se morën pjesë 4 persona. Në një intervistë, babai i viktimës tha se dy prej tyre hapën zjarr në drejtim të të birit. Njëri kërcënoi gruan dhe fëmijët e 42-vjeçarit ndërsa i katërti priti tek porta.

“Kanë dalë në këmbë te porta, po njëri ka prit, tre kanë hyrë atje, njëri ka prit. Njëri i ka drejtuar automatikun gruas e kalamajve. Ata të dy tjerët janë futur brenda, e kanë vrarë brenda në serë duke vaditur domatet. Breshëri automatiku“, u shpreh Gani Bejtja.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco