SYRI TV/ Shqiptarët më të dobëtit në rajon për trajnime, 53% e shqiptarëve mbi 15 vjeç me arsim fillor

14:16, 29/11/2023

Shqiptarët janë më të dobëtit krahasuar me vendet e rajonit për të marrë trajnime që kanë të bëjnë me përditësimin e njohurive për risitë teknologjike. Po ashtu grupmosha e punës në vendin tonë vuan nga defiçite të mëdha në arsim, ku më shumë se gjysma kanë vetëm arsimin fillor. Nga ana tjetër, bizneset shqiptare nuk shpenzojnë për rritjen profesionale dhe trajnimet e punonjësve.

Nga SYRI TV

Zhvillimi i pandalshëm teknologjik ka ndryshuar edhe qasjen ndaj profesioneve. Epoka digjitale kërkon përditësim të njohurive për t’u përshtatur me risitë teknologjike, e për këtë nevojitet trajnim i vazhdueshëm gjatë gjithë jetës. Sipas Monitor, Shqipëria paraqitet dobët në këtë tregues në krahasim me rajonin dhe vendet në tranzicion të Europës Lindore dhe Azisë Qendrore.

Të dhënat nga Fondacioni Europian i Trajnimeve tregojnë se në vitin 2022 vetëm 0.7% e popullsisë nga 25-64 vjeç kishte marrë pjesë në një trajnim që ka të bëjë me përditësimin e njohurive. Ky është niveli më i ulët rajonal, pasi në Serbi 5.9% e kësaj grupmoshe ndjek trajnime, në Malin e Zi 3,2%, në Maqedoninë e Veriut 2.5% dhe në Bosnjë 1.8%. Ndërsa në Bashkimin Europian, më shumë se 11% e popullsisë së kësaj grupmoshe morën pjesë në trajnime në vitin 2022.

Mangësitë vërehen gjithashtu edhe në të nxënë. Grupmosha 25-64 vjeç në vendin tonë vuan nga defiçite të mëdha në arsim. Të dhënat nga Fondacioni Europian i Trajnimeve tregojnë se në vitin 2020 gati 53 % e popullsisë mbi 15 vjeç kishte vetëm arsim fillor. Ky nivel i ulët i arsimit në popullsinë në moshë pune, përbën pengesë në përmirësimin e aftësive në vijim.

Nga ana tjetër, edhe bizneset shqiptare nuk shpenzojnë për rritjen profesionale të punonjësve. Bizneset investojnë fare pak tek burimet njerëzore dhe nuk përdorin instrumente stimuluese si bonuse, shpërblime dhe trajnime për të rritur profesionalizimin dhe produktivitetin e punonjësve, teksa realiteti i hidhur na përball me shterim të shpejtë të forcës punëtore, për shkak të emigracionit të lartë dhe rënies së lindshmërisë.  

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco