SYRI TV/ Zgjedhjet në Rrogozhinë, Memolla fitues me 57% të votave

13:17, 24/07/2023

Edison Memolla i Partisë Socialiste do të jetë  kryetari i bashkisë Rrogozhinë. Pas përsëritjes së zgjedhjeve  në këtë bashki, Memolla rezultoi fitues me 57% të votave përballë kandidatit të opozitës Shkëlqim Hoxha. Procesi i votimit dhe numërimit u shoqërua me një sërë incidentesh dhe parregullsish ndërsa opozita akuzoi socialistët për manipulim të votës

Nga SYRI TV

Edison Memolla  fitoi zgjedhjet e përsëritura të 23 korrikut në Rrogozhinë me 57% të votave.  Në përfundim të procesit të numërimit, i cili u shoqërua me probleme e tensione, Memolla rezultoi  me 6658 vota përballë kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” Shkëlqim Hoxha, i cili siguroi  4906 vota, me një diferencë prej 1500 votash. 

Kryetari i bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla, në një prononcim pas fitores, deklaroi se gjatë 2 muajve,  PS reflektoi dhe mësoi nga gabimet dhe se do të punojë për të ardhmen e qytetit.

Ndërkohë, procesi i votimit dhe i numërimit në zgjedhjet që u përsëritën në Rrogozhinë, u shoqërua me  incidente e  e shkelje të Kodit Zgjedhor, që nga fotografimi i votës, votimi familjar e deri tek kërcënimet ndaj qytetarëve për të votuar Edison Memollën.

Po me tensione u shoqërua edhe procesi i numërimit të votave në KZAZ nr 43, ku disa prej fletëve të votimit ishin të shënjuar  me pikë  në kutinë që mbante emrin e kandidatit socialist Edison Memolla, çka solli përplasje  mes kandidatit të BF, Shkëlqim Hoxha me përfaqësuesin politik të PS, Etjen Xhafajn, duke pezulluar numërimin.

Procesi u ndërpre  në orën 2:30 të mëngjesit për  shkak të konstatimeve nga ana e  opozitës, e cila kërkoi  që numërimi të niste paraditën e së hënës, por kërkesa u hodh poshtë  nga KQZ, e cila urdhëroi rinisjen e  rinumërimit në orën 4:30.  Opozita ka hedhur akuza gjatë fushatës por edhe ditën e zgjedhjeve se qeveria ka përdorur makineri elektorale për tjetërsimin e zgjedhjeve dhe se për këtë është angazhuar drejtpërdrejt Erion Veliaj.

Zgjedhjet në Rrogozhinë u përsëriten pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, i cili  shpalli pavlefshmërinë e procesit të 14 majit për shkak të shkeljeve ligjore të ankimuara nga koalicioni Bashkë Fitojmë.

Në zgjedhjet e 14 majit, Memolla u bë fituues nga kutia e burgut, e cila ka qeënë edhe qendra e akuzave  të opozitës ndaj PS, pasi të dënuarit votuan në shkelje të Kodit Penal.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco