SYRI TV/ Policia mësyn sërish te MEK, kontrollohet çdo hyrje-dalje e banorëve

14:46, 29/06/2023

Policia e Shtetit rikthehet sërish në kampin “Ashraf 3” të muxhahedinëve në Manëz të Durrësit. Këtë herë nuk janë futur brenda perimetrit të banimit, por në portën kryesore duke kontrolluar e pyetur çdo banorë që hynte apo dilte nga kampi. Sipas policisë, këto masa janë marrë në kuadër të hetimeve që po zhvillon SPAK për aktivitetin e Muxhahedinëve në vendin tonë.

SYRI TV

Efektivët e Policisë së Shtetit kanë zbarkuar sërish në kampin e “ASHRAF3” të  muxhahedinëve iranianë në Manëz të Durrësit. Këtë herë, më të paktë në numër, ata nuk lejojnë asnjë banor të futet dhe dalë nga kampi pa iu nënshtruar pyetjeve të oficerëve të policisë dhe kontrollit të mjeteve. Një patrullë policie është instaluar që prej orëve të para të mëngjesit të të enjtes në dyert kryesore të qendrës së banimit. Këto masa janë marrë në kuadër të hetimeve që po zhvillon SPAK për aktivitetin e muxhahedinëve në vendin tonë. Banorët nuk kanë preferuar të komentojnë për mediat, pavarësisht se jashtë kamerave shprehen të shqetësuar dhe të bezdisur nga veprimet e Policisë.

Referuar burimeve nga uniformat blu, në Manëz do të qëndrojë i instaluar një stacion policor, ndërsa një patrullë do të qëndrojë çdo ditë 24 orë pandërprerje për të paktën 1 muaj, duke verifikuar lëvizjet e banorëve të kampit. Ndërkohë, këto veprime vijnë më shumë se një javë pas përplasjeve në kamp mes policisë dhe banorëve që kundërshtuan urdhrin e kontrollit dhe sekuestrimit të disa pajisjeve e dokumentave.

Lidhur me këtë çështje për të cilën SPAK po heton, mësohet se ende nuk ka një rezultot konkret mbi përmbajtjen e tyre, dhe për zbardhjen e ndonjë elementi që mund të përbëjë vepër penale, është kërkuar mbështetje dhe ekspertizë nga partnerët e huaj. Prokuroria e Posaçme thotë se ndërhyrja në kamp u bë për shkak të presionit të lartë nga shteti i Iranit, madje edhe me nota verbale, nëse nuk do merreshin masa ndaj muxhahedinëve të Manzës. Sipas SPAK, Teherani zyrtar akuzonte MEK për sulme kibernetike ndaj sistemeve të tyre qeveritare, dhe se goditja e sistemeve kritike të Shqipërisë nga Irani vinte pikërisht si një paralajmërim për ndalimin e aktivitetit të muxhahedinëve kundër qeverisë së vendit të tyre. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco