'Ora e Nënës', liturgjia e dhimbjes në shpresë që e shoqërinë Marinë

'Ora e Nënës', liturgjia e dhimbjes në shpresë që e shoqërinë Marinë

11:12, 08/04/2023

Që nga shekujt e parë të epokës së krishterë, ekziston një liturgji e së Shtunës së Madhe, që e shoqëron Marinë në pritje e në heshtje të thellë. Është kremtim i ritit lindor, i pranuar edhe nga ai latin, shkruan Radio Vatikani.

Ora e Marisë është liturgji e lashtë, që kremtohet mëngjesin e së Shtundes së Madhe qysh nga viti 1987, vit marian, në Bazilikën romake të Zojës së Madhe, ku u tha për herë të parë në shekullin IX, nga shenjtorët Çirili e Metodi. Gjatë kremtimit ndjekin njëri-tjetrin Psalmet, leximet dhe lutjet e shkurtëra ritmike, që në liturgjinë bizantine njihen me emrin “tropare”.

Por kremtimi nuk mbahet vetëm në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe në Romë. Shpesh mund të ndiqet edhe në vende të tjera, siç ndodhi dy herë në Shën Pjetër, me dëshirën e Papës Shën Gjon Palit II, ose në Kisha të tjera katedrale a famullitare. Kjo traditë rinisi përmes veprimtarive të At Ermanno Toniolo, meshtar i Urdhërit të Shërbëtorëve të Marisë, drejtor i Qendrës së kulturës mariane në Romë e pedagog nderi i Fakultetit Teologjik “Marianum”. E lindur në mjedise bizantine, liturgjia shndërrohet, kështu, në një fill të artë, që lidh lindjen me perëndimin.

Rit, që mund të kremtohet në mjediset shtëpiake

Sivjet, ashtu si në vitin e kaluar, Ora e Nënës, e kryesohet nga kryeprifti-kardinal titullar i Bazilikës së Zojës së Madhe në Romë, e besimtarët ftohen të marrin pjesë në këtë rit të shkëlqyer, përballë figures së Marisë, me leximin e lutjeve e pjesëve biblike kushtuar kremtimeve mariane, botuar nën kujdesin e at Toniolo. Ose duke shfletuar ndonjë pjesë rituali tjetër, ndër faqet e së cilit besimtari e gjen doemos Zojën e Dhimbshme. Nënën, që mbajti në prehër të Birin e vetëm Jezus, të sapo zbritur nga Kryqi.     

Zoja e Dhimbshme

Nuk ka dhimbje më të madhe, se ajo e nënës, që ka humbur birin. Ta përfytyrojmë dhimbjen e pafundme të Marisë Virgjër:  ajo e dinte  çka do t’i ndodhte e megjithatë u mësua ta pranonte këtë gjatë gjithë jetës, që nga çasti i Lajmërimit të Engjëllit Tënzot. Ndaj e shikon tmerrin e kryqëzimit të Jezusit, pa e humbur për asnjë çast  besimin se i Biri saj do të ringjallej. Maria besoi, në kundërshtim me çdo besim. Shpresoi,  kundër çdo shprese!

Bashkimi i Marisë me të Birin

E sot mbarë Kisha shtrëngohet rreth Saj, që bëhet urë ndërmjet të Birit Jezus dhe njerëzimit, ndërmjet vdekjes e jetës, në pritje të Ngjalljes. Nëse e Premtja e Madhe e Pashkëve është Ora e Krishtit, të vdekur mbi kryq, e Shtuna e Madhe  e Pashkëve është Ora e Marisë, që na shoqëron deri nesër, Dita e Pashkëve të Ngjalljes së Krishtit. E ne shikojmë në Të bashkimin e përkryer të Nënës me Birin, lidhje, që kalon përmes zemrës së saj amtare, të shporuar një herë nga “shtatë hanxharë”, siç ia pati parafolur Simeoni në tempull, e të mbushur, pastaj me  gëzimin e pashoq të ngjalljes!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco