SYRI TV/ Ulen temperaturat, 'ngrin' Shqipëria. Rrugë me akull në disa akse kombëtare

15:32, 06/02/2023

Pas reshjeve të shiut dhe dëborës, vendi është përfshirë nga temperatura të ulëta që arrijnë deri në -12 gradë celcius. Në Korçë, Dibër, Kukës, Vlorë apo dhe zona të tjera, janë ka pasur ngrica dhe prezencë akulli në rrugë. Akset kombëtare janë të hapura por rekomandohet përdorimi i gomave të dimrit, ndërsa problemet kryesore raportohen në zonat rurale.

SYRI TV

Kjo javë nisi me ulje drastike temperaturash në territorin e vendit, të cilat kanë sjellë për pasojë ngrica dhe akull në shumë qare të endit.

Në Korçë, temperturat minimale arrijnë në -12 gradë celcuis. Në disa akse rrugore rurale, ka prezencë akulli si dhe stuhi ere. Në rrugët kombëtare është bërë kriposja e asfaltit, ndërsa ato po mbahen nën monitorim vazhdimisht.

Ngrica ka pasur edhe në liqenin e Pogradecit, ku uji i ngrirë ka krijuar stalaktide dhe pamje spektakolare. Në këtë qytet, ka pasur prezencë ngricash edhe në rrugët e qytetit, ndërsa deri më tani nuk raportohet për probleme në lëvizjen e mjeteve dhe njerëzve.

Prej dy ditësh i gjithë Qarku Dibër është përfshirë nga temperatura të ulëta, që kanë shkuar në -12 gradë në Peshkopi dhe Bulqizë. Situata rrugore në akset nacionale është pa probleme, por duhet të përdoren gomat dimërore. Më problematike situata është në zonat malore ku ka prezencë të akullit në rrugë, por qarkullimi duhet të bëhet detyrimisht me zinxhirë.

Në Kukës, gjithashtu ka pasur reshje dëbore gjatë natës, të cilat janë shoqëruar me stuhi të forta ere. Rrugët janë të qarkullueshme normalisht, pasi janë kriposur, por gjithashtu rekomandohet përdorimi i gomave të dimrit për shkak të prezencës së akullit.

Probleme me akullin ka pasur edhe në qarkun e Vlorës, kryesisht në rrugët e qytetit por edhe në aksin kombëtar Llogara Dukat. Edhe në rrugët e qytetit të Vlorës, ka pasur prezencë akulli, duke krijuar vështirësi kryesisht për lëvizjen e këmbësorëve.

Gaz. S.Xhomaqi. G.Këllçiu. E.Feta. E.Hoxha. Mont. L.Kotri

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco