430 kg kokainë me vlerë 40 mln euro/ Drejtori i Ramës mbetet në burg

430 kg kokainë me vlerë 40 mln euro/ Drejtori i Ramës mbetet në burg

09:29, 27/11/2022

Gjykata e Posaçme rikonfirmoi dje masat e sigurisë “arrest në burg” për 10 personat e arrestuar për laboratorin e drogës që u zbulua në Frakull të Fierit.

Edhe pse Policia e Shtetit e mohoi që në operacion ishin forca të tjera, SPAK doli dhe tregoi pak detaje të një prej goditjeve më të mëdha në fushën e narkotikëve në vendin tonë. 430 kilogramë kokainë me vlerë tregu prej 40 milionë euro u sekuestrua nga operacioni.

Ajo çka ra në sy në të gjithë punën hetimore që prokuroria ka kryer në këtë goditje, është fakti se bëhet fjalë për një trafik të mirorganizuar, që nga momenti kur është hapur biznesi në Qendrën Kombëtare. Prokuroria pretendon se që nga ai moment e deri pak ditë më parë, ka dyshime që grupi të ketë kryer trafikun e kokainës me porosi të nisura nga Kolumbia dhe të kamufluara në tregtimin e plehut kimik dhe të frutave të thata.

Për pasojë u vunë në pranga pikërisht Viktor, Zenel dhe Denilson Çervanaku, Enxhi Ferhati, vajza e Genci Ferhatit, Nikolin Gjolena, Klajdi Kodra, Julian Malaj, Redion Meshi, Bledar Matoshi dhe Marildo Rona.

Fokusi i hetimit për këtë linjë trafiku droge është ndërtuesi i njohur, Nikolin Gjolena. Ai bashkë me personat e tjerë të përfshirë në role konsiderohen si pjesë e trafikantëve që përmes tonelatave me pleh kimik futën në Shqipëri kokainë me vlerën mbi 40 milionë euro. Sipas planeve, që janë dokumentuar edhe në dosjen hetimore, ngarkesa do të përpunohej në një laborator të improvizuar në Frakull të Madhe përmes ekspertizës së një kimisti kolumbian që hyri në vendin tonë pak javë më parë dhe vazhdon të jetë në kërkim.

Së bashku me të SPAK identifikoi pritësit që i hapën derën kokainës dhe që janë me rol kryesor në grup si Viktor Çervanaku, ish-kryetar komune, aktualisht drejtor drejtorie në OSHEE, vartës i ministres Belinda Balluku; djali i tij, Denilsoni dhe i vëllai Zeneli, i cili rezulton të jetë administrator i firmës që do të furnizohej me pleh kolumbian.

“Në portin e Kolumbisë ishte ngarkuar një sasi me pleh organik artificial, ngarkuar në kontejner me destinacion Pireun e Greqisë, tranzit për në portin e Barit, Mal i Zi, me porosi të një shtetasi shqiptar të Shqipërisë”, u shpreh prokurori Adnan Xholi.

Nga hetimet komplekse ku përfshihen dhjetëra orë përgjime dhe vëzhgime, sipas të dhënave hetimore, SPAK dyshon si financues kryesor shtetasin Nikolin Gjolena, i cili rezulton si personi që mblodhi të gjithë njerëzit e nevojshëm për të realizuar lëvizjen e mallit nga porti i Barit deri në Fier.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco