Berisha: Pedagogu i Universitetit të Sporteve u shkarkua sot me urdhër të Ramës

17:38, 28/09/2022

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një takim me sindikatat në Tiranë deklaroi se situata aktuale në vend është e rëndë ndërsa theksoi se qeveria vetëm vjedh dhe mashtron qytetarët.

Kryedemokrati Berisha denoncoi duke thënë se sot një pedagog në Universitetin e Sporteve u shkarkua me urdhër të Edi Ramës edhe pse Senati dhe Komisioni Etik voton kundër shkarkimit të tij. Berisha tha se punonjësit në vendin tonë janë të pasigurt.

Jam shumë i gëzuar dhe ju falenderoj për praninë tuaj këtu. Në situatën vërtetë dramatike në të cilën ndodhet sot Shqipëria, punonjësit, mësuesit, mjekët, minatorët, bizneset e vogla, të rinjtë, studentët, pensionistët, qytetarët me ndihmë ekonomike.

Është një situatë e pashoqe, e pashembullt në Europë dhe më gjerë. Është një rrokullisje e madhe e gjendjes ekonomike, morale, në raport më dëshpërimin dhe pesimizmin, e mungesës së plotë të prespektivës me këtë qeveri, që siç jeni dëshmitarë vetë, nuk është gjë tjetër veç se një makineri gjigante mashtrimi ndaj qytetarëve shqiptarë, në çdo deklaratë, firmë, fjalë.

Është një makineri gjigante vjedhje e grabitje të shqiptarëve, një plaçkitëse e pashembullt e fondeve publike, e pasurive kombëtare, dhe vjedhje e pashembullt direkt në xhepat e qytetarëve me çmimet.

Ju jeni sindikalist, por ju siguroj se nuk ka pasur regjim kolonial që të ketë shfrytëzuar një popull të kolonizuar, siç e shfrytëzon me egërsi, Edi Rama dhe qeveria e tij, popullin shqiptar. Ju jeni dëshmitarë dhe i njihni, se si pasuritë përrallore të shqiptarëve, të cilat bëhen miliarda euro, me vlerën e tyre janë shndërruar në një mallkim të vërtetë për qytetarët e këtij vendi. Shfrytëzohen në mënyrë të egër nga klientela e qeverisë, kurse shqiptarët përfitojnë prej tyre, asgjë më shumë seç fitonin të kolonizuarit, nga fillimi i këtij shekulli nga shfrytëzimet e kompanive koloniale.

Ju jeni dëshmitarë se si rrogat mësuesve, mjekëve, infermierëve, të policëve, ushtarakëve, minatorëve, e sektorit privat, gjatë këtyre 9 viteve për shkak të mbi dyfishimit të çmimeve të produkteve bazë të jetesës, jo që nuk janë rritur, por sot të paktën 30 % më të ulëta se në vitin 2013.

Ju jeni dëshmitarë se çfarë përçmimi, qëllimi përçmues mbahet sot ndaj punonjësve në këtë vend, ndaj rrogëtarëve të këtij vendi. Çfarë satre e vërtetë qëndron mbi qafën e tyre me çmimet.

Çfarë mashtrimesh të mëdha bëhen. Firma për sipërmarrje fantazëm që shkojnë në 420 milionë euro, vendosen palë, palë dhe ndërmarrjet nuk ekzistojnë askund. Asnjë incenerator nuk është, tani pas 5 vitesh. Edhe i Elbasanit është jashtë funksionit. Janë me qindra punonjës që janë nxjerrë jashtë sistemeve me kritere strikte politike, jashtë çdo procedure dhe askund nuk gjejnë dot të drejtën e tyre.

Sot një pedagog në Universitetin e Sporteve, shkarkohet edhe pse Senati dhe Komisioni Etik voton kundër shkarkimit të tij, rektori tiran zbaton urdhrin e Ramës dhe e nxjerr nga sistemi. Raste të tilla janë me qindra. Nuk ka më të pasigurtë në botë se sa punonjësit në Shqipëri. Pak ditë më parë, solla një shembull, një mësuese model, 30 vite mësuese në shkollë të mesme dhe tani ja merr orët drejtori dhe i thonë ik në shpi. Nuk ndodh kund, nuk mund të ndodhë, nuk ka ligj që lejon një akt të tillë, të flakësh punonjësit si lecka, pasi kanë shkrirë jetën e tyre në të mirë të shoqërisë dhe profesionit."-tha Berisha.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco