Kryeministrja serbe flet me gjuhën e Ramës, reagon ashpër Kosovare Kelmendi

Kryeministrja serbe flet me gjuhën e Ramës, reagon ashpër Kosovare Kelmendi

14:19, 19/06/2022

Kryeministrja e Serbisë, Anna Bërnabiç, e cila është shfaqur disa herë duke u përqafuar ngrohtë me Edi Ramën, këtë fundjavë foli me gjuhën e tij. Ajo mohoi që në Kosovë të ketë pasur ndonjë gjenocid serb, por foli vetëm për disa rrëmuja dhe trazira.

Duke folur në Samitin e Prespës, kryeministrja serbe tha se nuk ka asnjë dënim apo rast që lidhet me të ashtuquajturin gjenocid në Kosovë.

Por avokatja e njohur kosovare, Kosovare Kelmendi ka reaguar ashpër ndaj saj. Duke kujtuar nënën e saj, ish-ministren e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, në 11-vjetorin e ndarjes nga jeta, avokatja thotë se prindërit e saj kanë dorëzuar në Tribunalin e Hagës me qindra dosje të krimeve të Serbisë mbi shqiptarët.

REAGIMI I PLOTE

“19 qershori e 25 marsi janë data të rënda për mua, sepse në këto data unë i humba më të dashurit e mi. Më 25 mars 1999, forcat policore të Serbisë m’i ekzekutuan babanë dhe vëllezërit me urdhër të Millosheviçit, kurse mamin ma lanë të gjallë, siç thoshte edhe vetë ajo, që ta mbysnin ngadalë nga dhimbja e vuajtja për ta.

Për aq sa jetoi pas vrasjes se tyre, ajo u kthye në simbol të qëndresës duke e kthyer dhimbjen personale në përkushtim dhe angazhim në ndërtimin e institucioneve shtetërore, sidomos atyre të drejtësisë dhe të sundimit te ligjit.

U nda nga ne përgjithmonë më 19 qershor 2011 dhe me vete mori dëshirën e parealizuar për vendosjen e drejtësisë për babanë dhe vëllezërit, si edhe për mijëra shqiptarë të vrarë nga regjimi i Serbisë.

Teksa tani dëgjoj udhëheqësit e Serbisë duke i mohuar krimet e veta në Kosovë, me duhet t’ua rikujtoj që prindërit e mi, si avokatë dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut ishin ata që dorëzuan në Tribunalin e Hagës qindra dosje të krimeve të Serbisë mbi shqiptarët dhe se babai im e ka paditur Serbinë dy herë për gjenocid, me fakte dhe dëshmi te pakontestueshme.

Kjo ishte edhe arsyeja se pse e ekzekutuan. Pa kërkim faljeje dhe pa vendosjen e drejtësisë për mijëra shqiptarë të vrarë, dhe pa ofrimin e informatave për të zhdukurit me dhunë, Serbia të mos presë kurrë që do të mund të ketë raporte normale me Kosovën.

E marr guximin ta them ketë në emër të të gjithë familjarëve të viktimave, sepse askush më shumë se ne nuk i ndien pasojat e politikave të saj gjenocidale mbi shqiptarët. Serbia m’i vrau prindërit e vëllezërit, por krenarinë për jetën dhe veprën e tyre nuk mund të ma marrë askush”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco