Evropa pranoi lobimin e shtetit që organizoi sulmin në Banjskë

Evropa pranoi lobimin e shtetit që organizoi sulmin në Banjskë

Nga Dren Dushi - 24/05/2024

Nga: Dren Dushi

Pasi e fuqizoi Putinin përmes një bashkëpunimi ekonomik dy dekadash, duke pasur përherë sigurinë e garantuar nga taksapaguesit amerikanë si garantues të superioritetit ushtarak të NATO-s, BE si akter politik vazhdoi me një qasje diplomatike anemike nëpër gjithë rajonet kufitare të saja, por edhe rajonet kufitare të Rusisë. Si shtetet që pësuan nga paaftësia diplomatike, mos-koordinimi dhe herë-herë hipokrizia politike e Brukselit, janë Gjeorgjia, Bosnja, Armenia, Ukraina, Moldavia, dhe së fundi po hyn në cenim serioz edhe Kosova, vendi të cilit akoma shteti serb nuk ia kthen as eshtrat e të vrarëve e masakruarve. Sot që po shkruhet ky shkrim, kujtojmë masakrën e të burgosurve politik shqiptarë në burg Dubravës.

Por kjo anemi diplomatike e Brukselit, merr goditjen më të rëndë, nga partneri i saj ekonomik dy dekadash, Presidenti rus Putin, i cili një mëngjes vendosë të pushtoj Ukrainën. Në fillim, Brukseli sikur bënte kalkulimet nëse Ukraina do luftonte, apo thjeshtë do dorëzohej, dhe do të gjendej një rrugë e re biznesi me Putinin, por gjërat shkuan disi më ndryshe.

Meqë ukrainasit vendosën të luftojnë, e të mbrojnë vendin e tyre me mijëra jetëra, u desh ndërhyrja e shtetit që zakonisht, ndërhynë pasi vendet evropiane ta kenë bërë punën pisk, siç ndodhi në luftën e parë dhe të dytë botërore, pra u deshtë ndërhyrja e SHBA-ve dhe miliardave të tyre.

Tashmë BE është njëfarë mekanizmi i suksesshëm ekonomik dhe i paqes së saj të brendshme, por me kaq përfundon historia. Në aspektin gjeopolitik rajonal, BE vazhdon të jetë një adresë me kredibilitet të vetëminuar, e cila është shumë larg të qenit akter serioz global, që të kompeditoj me SHBA-të, Kinën, madje siç po shkojnë punët, mund ta ketë problem të merret seriozisht edhe nga shtete të mesme/vogla si Serbia.

Në këtë çoroditje të raporteve ndërkombëtare, BE e frikësuar nga tanket ruse, po bën një diplomaci të panikës, dhe kjo panik po shkaktohet mirë nga Presidenti serb A. Vuçiq, i cili sigurisht, e kupton mirë kompleksitetin, për të mos thënë, mos funksionimin e BE-së. Mjaftoj një vizitë e tij kërcënuese në Paris, dhe Kosova mbeti jashtë KiE-s, pra një lobim i shpejtë, por efikas. Se çfarë kërcënimi mund të ketë bërë Vuçiq në Paris, nuk e di, por mund të hamendësoj që ka përmendur edhe Bosnjën, në mos edhe Malin e Zi, pra duhet të ketë bërë një kërcenim “serioz”.

Gjendja është e thjeshtë, BE është e gatshme të gëlltisë edhe parimet e veta, vetëm e vetëm që Serbia të mos hidhet në vallen luftarake të Putinit, pra aq shumë ka panik në Bruksel, saqë njëmend mendojnë se Serbia mund të hapë një vatër të re lufte në Ballkan. Dhe përse e them këtë?

Po supozojmë se BE paska të drejtë në frikën e saj serbe, por në gjeopolitikë ka një parim për sa i përket luftës, nuk fillohen luftëra të cilat humben, pra Serbia nuk do të filloj një tjetër luftë me NATO-n. Por edhe hiç NATO-n, Serbia është i vetmi vend në Ballkan që ka pretendime territoriale ndaj vendeve tjera që i ka rreth, por jo kapacitete serioze ushtarake, aq më pak gatishmëri të popullatës së saj në ikje për një tjetër marrëzi ballkanike si ajo e Bosnjës, Kroacisë e Kosovës, të gjitha të nisura nga Serbia, dhe njëherësh, të gjitha të humbura. Pikërisht këtu qëndron edhe problemi i një trajtimi të humbjes serbe, ata ndihen të pakënaqur që kanë humbur këto luftëra, ku në secilën prej tyre kanë vrarë, masakruar e dhunuar civilë.

Pra është e pakuptimtë frika e BE-së nga Serbia, por si arriti situata deri këtu, që vendi që organizoj sulmin paramilitar në Banjskë anipse KFOR-i është prezent në Kosovë, të jetë kaq i suksesshëm në lobim te Brukseli, i cili Bansjkën e mban në sirtarë, duke sabotuar gjetjet dhe duke i ikur kësaj ngjarje, sikur nuk ka ndodhur kurrë? Pra a ia doli të korrë sukses Serbia nga Banjska? Duket se po, marrë parasysh devalvimin e diplomacisë së BE-së.

Kosova në KiE, u pengua publikisht në PACE nga Serbia, duke rënë komplet në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit dhe planin Franko-Gjerman, por këtu ka një problem. Ideja është se, pala serbe ankohej për asociacionin e pa bërë nga ana e Kosovës, anipse ky asociacion është totalisht i pa arsyeshëm, meqë në Kosovë nuk ka shkelje të drejtave të serbëve, por ka diskriminim pozitiv. Për më tepër, asociacioni është në paketë të marrëveshjes së Brukselit si pjesë e marrëveshjeve të së kaluarës, të nënshkruara dhe ratifikuara nga Kuvendi i Kosovës (pra përfaqësuesit e popullit), por nuk është nënshkruar nga pala serbe, edhe pse Kosova dha pëlqimin për një gjë të tillë në seri.

Me pak fjalë, Serbia po kërkon një pjesë të marrëveshjes, asociacionin, por pa e nënshkruar marrëveshjen. Pra po kërkon asociacionin pa dhënë asgjë, dhe për këtë, po e arsyeton lobimin e saj kundër progresit të mëtutjeshëm të Kosovës në procese integruese për të cilat është rënë dakord për diçka të kundërt në Bruksel. Dhe tërë këto, po i “ha” Brukseli, “çuditërisht”!

Në ndërkohë që reagimet e Peter Stanos për çdo aksion të policisë së Kosovës për të shtrirë ligjin dhe rendin në tërë territorin e Kosovës janë bërë monotone dhe neveritëse për popullin e Kosovës, çfarë tregon edhe mbështetja masive që ka aktualisht Qeveria Kurti, tregojnë pikërisht për një dorëheqje të Brukselit nga parimet demokratike, ligjore, dhe kufizim te një politikë që ka për qëllim të vetëm, vetëm mbajtjen nën kontrollë të agresivitetit serb, që të mos shkaktoj ndonjë Banjska 2, e pastaj të detyroj Peter Stanon për një tjetër “e dënojmë” reagim, për një tjetër sabotim të gjetjeve, dhe për një tjetër shtim presioni ndaj palës së sulmuar, pra Kosovës.

Është pikërisht Kosova (e dobët) që gjendet nën sanksione të BE-së, dhe se pafuqia e saj e bën Kosovën të jetë vazhdimisht lutëse ndaj BE-së, që të mos shkelë edhe parimet e veta. Si vend me kapacitete të pakta për të shkaktuar dhunë, si ajo në Banjskë, çdo eskalim ka adresë Prishtinën, meqë për BE-në përgjegjësia duket se kërkohet vetëm aty ku ka më pak forcë.

Tërë kjo padrejtësi ndaj Kosovës, dhe interesit të shqiptarëve në Ballkan në përgjithësi, përjashto Partisë Socialiste të Shqipërisë, që si duket shqiptarinë nuk e sheh përtej Milotit, mundësohet pikërisht nga politikat e Edi Ramës, që ka bërë ujditë e tij me lobe të ndryshme akterësh global.

Kryeministri shqiptar Edi Rama, nuk dallon shumë me zëdhënësin e BE-së Peter Stano sa i përket Kosovës. Nën influencën e Qeverisë aktuale të Italisë, dhe nën patronazhin e një miqësie të çuditshme me Vucicin, Edi Rama minon vazhdimisht Kosovën, meqë Kosova ka zgjedhur Albin Kurtin për Kryeministër. Në ditët më të këqija që ishte Kosova, pas përplasjeve me grupe narko të veriut, Edi Rama prishi traditën shqiptaro-shqiptare të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive për herë të parë, duke treguar se ai nuk njeh një Kosovë jashtë miqëve të tij, tashmë në Hagë, të akuzuar për rreth 100 vrasje, dhe që lobonin për ndarjen e Kosovës, sipas një projekti të mundësuar nga disa lobistë të huaj.

Pra dëmi që Shqipëria po i shkakton aktualisht Kosovës, është më i madh se që mund të paramendohet. BE e ka shumë më të lehtë të ndëshkoj Kosovën, kur kjo e fundit arreston ndonjë kapo droge në veri, apo mbyll ndonjë feud financiarë të Vucicit, përderisa Shqipëria është në po të njëjtën linjë me kërkesat e Borrellit, të imponuara nga agresiviteti i Beogradit. Në vend se Shqipëria të ishte mbështetëse e Kosovës këto kohë, e të ndikoj të “risë pazarin” në tavolinën e negociatave, ajo po e ulë, dhe tërë kjo po fashitet nga mediat e kontrolluara në Shqipëri dhe Kosovë, por edhe nga fakti se i përkasim të njëjtit komb, anipse me politika totalisht të kundërta.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco