Konferenca kundër Rugovës

Konferenca kundër Rugovës

Nga Dren Dushi - 13/06/2024

Shkruan: Dren Dushi

Apetiti për pushtet i LDK-së (kaq sa ka mbetur) është i madh, i madh sepse është mësuar gjatë në pushtet. Kjo më së miri shihet në Prishtinë, që ndonëse me mbi 100 milionë euro në vit, nuk ia del as të largoj mbeturinat, por koncentrohet në leje ndërtimi të lartë, për të rritur akoma më shumë mbeturinat, kaosin urbanistik dhe ndotjen. Tërë kjo mënyrë e qeverisjes, ka pikërisht shpjegimin se për çfarë apetiti pushteti aspiron LDK sot. 

Por ky apetit i madh nuk po gjenë edhe mbështetje të madhe, dhe kjo për faktin se LDK, përveç e lidhur me korrupsionin e dy dekadave të lëna pas, kjo strukturë është demoluar pothuajse komplet nga SHIK-u i PDK-së, organizata më e fuqishme në Kosovë akoma sot, të paktën sa i përket fuqisë për të shkaktuar deformim të opinionit publik, fuqisë financiare, dhe meqë është forcuar ligji, fuqi jo në dispozicion për të shkaktuar edhe dhunë, por kapacitete po. 

Kur LDK kapi karriget dhe i hodhi në kokat e antarëve të saj, e kur vite më vonë gënjeu elektoratin e saj në seri për mos bërje koalicioni me PDK-në, dhe kur për t’ia vënë “kapakun” prishi një qeveri shprese në kohë pandemie, për t’iu kthyer partisë nga e cila kontrollohet, PDK-së, ajo morri edhe fjalën/goditjen e fundit nga elektorati i saj. Gjatë po kësaj periudhe, LDK përjashtoi edhe Dr. Vjosa Osmanin, gruan që donte diçka ndryshe nga ajo që po ndodhte në LDK, pra ndryshe nga 12%, fare pak e përcollën, sespe shpirti i robëruar e oportunist ishte instaluar gjatë në LDK-në “institucionaliste”. 

E ndodhur në mjerimin e një partie tashmë të vogël, LDK do largonte nga qafa e saj Akademikun me duar në xhepa, me Lutën që lutet te të gjithë që të qëndroj sa më lartë, me Lumin që pret rastin si një oportunist i madh, dhe me Agim Veliun e tronditur nga “mundesh, por pastaj nuk mundesh”. Por në mungesë të “armikut” fiktiv të saj, të cilin në të vërtetë, Akademiku nga Prapashtica e bëri mik me ndërmjetësimin e Lutës lutës, dhe organeve tjera të organizatës më të fuqishme në Kosovë, SHIK-ut, LDK do ta ketë të vështirë të godasë edhe në formë mashtruese për elektoratin e saj (pjesën infantile) PDK-në, pra duhet goditur diku tjetër, kjo gjendje është mungesë kauze, dhe Lumi oportunist e ka të vështirë. 

Lumi është oportunist dhe makiavelist sepse, kur Vjosa Osmani, tashmë Presidente, u përjashtua nga LDK dhe morri rrugën e reformës me Partinë GUXO, Lumi bëri disa kalkylime tjera. Këto kalkylime, sot Lumin e kanë bërë Kryetar të LDK-së, dhe për të, kjo është më me rëndësi se ndryshimet e mëdha në Kosovë, se pensionimi i një ekipe të korruptuar me të cilën sot, Lumi duhet të bashkëpunoj, të marrë besa edhe urdhëra nga ta, në të kundërtën, përjashtohet sikurse edhe u përjashtua tre vite më parë Presidentja Osmani. 

Ndodhur në këtë gjendje totalisht të pavolitshme, LDK me në krye Lumin, që largon foton e Presidentit Rugova kur bënë intervista, meqë sipas tij, Rugova i merr hijen e madhe që bën Lumi, duhet të shpiket diçka për të mbajtur, të paktën pjesën klienteliste, patronazhiste dhe infantile të elektoratit. Për ta bërë këtë, ata erdhën me idenë që të thirrin një “konferencë”, madje e quajtën edhe ndërkombëtare, meqë sollën një ish Kryeministër të Italisë që kishte pasur dilema për bombardimin e Serbisë, madje duke interpretuar Rugovën, siç tregoi Jusuf Buxhovi një ditë më herët. 

Për më tepër, meqë aktualisht projektuesi i ballkanit të hapur të kundërshtuar edhe nga LDK dikur, Kryeministri që sanksionon Kosovën me anulimin e mbledhjes tradicionale të dy qeverive shqiptare, Edi Rama, është kundër Albin Kurtit, do ftohej të fliste në “konferencën ndërkombëtare” për Rugovën, sado qesharake të tingëlloj kush e njeh pak historinë politike.

Figura të fuqishme të LDK-së 90’, Akademik Kraja, Jusuf Buxhovi, madje edhe ish Presidenti Sejdiu, nuk u përfshinë në këtë event, dhe jo pa të drejtë, historiani Buxhovi do e quante këtë si “konferenca kundër” Rugovës. 

Kur vite më parë në Kuvend të Kosovës, në një seancë solemne e historike, Edi Rama as nuk përmendi emrin e Presidentit Rugova, LDK do çohej e dilte nga Kuvendi.  Por tash, edhe Edi është bërë rugovist, meqë me këto, mendojnë Lumi, Edi, madje edhe krerët e PDK-së, se do e rrëzojnë Albin Kurtin, pra me Rugovën e vdekur. 

Nuk çuditem që edhe PDK, të filloj të bëhet rugoviste në të ardhmen e afërt, sinjalet e para veq janë dhënë. PDK-së i konvenon shumë një rikthim i partnerit të saj, LDK-së, vetëm kështu ajo mund të rikthehet si shefe shefash e politikës kosovare, politikë kjo që më së miri shpjegohet nga mbledhja që Fatmir Limaj kishte bërë me të gjitha kompanitë e mëdha të ndërtimit të rrugëve sa kishte qenë Ministër, duke ju thënë, sipas Andrea Lorenzo Capuselas, “ka për tanë”. 

E për të larguar çdo dilemë se LDK ka “grumbulluar” elektoratin e vet, edhe atë të Partisë GUXO, “konferencën” do e drejtonte (në njëfarë mënyre), zonja që u bë deputete me Partinë Guxo, Doarsa Kica Xhelili, për tu transferuar (por pa klauzolë publike) te klubi i vjetër. 

Ata që kanë lexuar librin “Ferma e Kafshëve” të Orwell, mund të kuptojnë lehtë e mirë historikun politik të LDK-së së pas vdekjes së Presidentit Rugova. Pa dyshim, që ky historik përfshinë edhe personazhet e atij libri; pulat, derrat, macet, gomerët e kuejtë. Mund të merrni me mend, se kush është kush. 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco