Albin, e pranove këtë herë ‘Zajednicën’?

Albin, e pranove këtë herë ‘Zajednicën’?

Nga Syri.net Kosova - 02/02/2022

Asociacioni me kompetenca ekzekutive përbën një nivel të tretë pushteti, në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Si i tillë, nëse i lejohet pakicës serbe një mekanizëm i tillë, vendi rrezikon të shkojë drejt bosnjizimit pashmangshëm.

Me pak fjalë, një gjë të tillë e ka paralajmëruar edhe vetë Gjykata Kushtetuese e Kosovës, pasi interpretoi marrëveshjen e nënshkruar nga Hashim Thaçi e Isa Mustafa me palën serbe.

Marrëveshja konsiderohej se shkelte rëndë Kushtetutën dhe duhej rishikuar në fazën kur po diskutohej edhe për statutin e Asociacionit serb.

Kjo marrëveshje ka mbetur në letër, por megjithatë është një detyrim ndërkombëtar e parlamentar që Kosova e ka marrë përsipër.

Kryeministri Albin Kurti, sa ishte në opozitë protestonte ashpër kundër asaj që në opinion njihet si “Zajednica”. Pas takimeve me të dërguarit e SHBA-së dhe BE-së, në Prishtinë, lideri i Vetëvendosjes është cituar nga mediat se “nuk ka frikë” në zbatimin e marrëveshjeve dhe arritjen e një marrëveshjeje finale.

Kjo është ajo që presin të gjithë-njohjen reciproke dhe dhënien fund të statuskuosë.

Por, paqartësitë mbesin në opinion, përderisa nuk ka një transparencë dhe pozicion të qartë në lidhje me Asociacionin, për të cilin, presioni është shtuar.

E përbashkëta e deklarimeve të pushtetit, është se e refuzojnë kategorikisht një Asociacion njëetnik. Kështu ka thënë Kurti, kështu tha edhe presidentja Osmani.

A do të thotë kjo, se një Asociacion multietnik, bëhet i pranueshëm për Prishtinën zyrtare?

Këtë është dashur ta thotë kryeministri dhe presidentja. Çuditërisht as opozita nuk ka një pozicion të kthjellët në këto rrethana.

Asnjë nga partitë opozitare, që dje sa ishin në pushtet e votuan Asociacionin e komunave me shumicë serbe, nuk kanë dhënë qëndrime të qarta për pozicionin e tyre.

Fundja, është në linjën e mëhershme politike, edhe nëse e mbështesin, në përputhje me deklarimin e Escobarit e Lajçakut.

Vetëm Lëvizja Vetëvendosje ka qenë kundër Asociacionit dhe deri tani, një pozicion i tillë është mbrojtur edhe nga qeveria e Albin Kurtit. Por, pas takimeve me diplomatët e SHBA-së dhe BE-së, vërehet një zbutje në këto qëndrime.

Qeveria është e obliguar të zbatojë marrëveshjet ndërkombëtare të miratuara nga Kuvendi i Kosovës. Kurti, edhe pse e ka shumicën, e ka gati të pamundur ta shfuqizojë marrëveshjen për Asociacionin.

Çfarë do të bëjë ai, në këtë situatë, kur presioni për dialogun po shtohet, në veçanti për Asociacionin?

Për ata që thonë se është i pranueshëm një Asociacion që funksionon si OJQ, dihet se tërë këto bisedime nuk do të ishin bërë që të themelohet një organizatë joqeveritare, e cila mund të regjistrohet kurdo.

OJQ nuk mund të jetë, por çka mund të jetë atëherë?

Kurti e Osmani janë votuar që ta udhëheqin Republikën në këtë mandat qeverisës dhe presidencial. Ata e kanë përgjegjësinë e plotë, për t’i dhënë një drejtim procesit e për të mos u bërë pengesë në arritjen e një marrëveshjeje finale, nëse varet nga Kosova.

Me Vuçiqin në krye të Serbisë, gjasat për njohje të Kosovës janë minimale. Çdo lëshim dhe koncesion i ri, mund të ketë pasoja të paparashikueshme.

Sovraniteti dhe integriteti territorial janë të pacënueshme, por pa bashkësinë ndërkombëtare, SHBA-në, BE-në dhe NATO-n, Kosova nuk mund t’i ruajë këto elementë kryesorë të shtetit.

Cila është rrugëdalja? Përgjigjen le ta japin pushtetarët e rinj, sepse nuk mund të sillen sikur janë në opozitë. Vendimet me peshë, kanë koston e tyre politike, prandaj ka nevojë për transparencë dhe guxim.

Kurti thotë se nuk ka frikë. Atëherë le të flasë për Asociacionin. A pranoi apo jo kësaj here?

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco