Kosova drejt kutive të votimit

Kosova drejt kutive të votimit

Nga Syri.net Kosova - 11/11/2020

Rreziku nga kolapsi i sistemit shëndetësor ka detyruar qeverinë Hoti të aplikojë një mbyllje të dytë. Muajt që lamë pas nuk i mjaftuan ekzekutivit për ta vënë nën kontroll pandeminë. Masat mbrojtëse u shpërfillën, ndërsa kontrolli i shtetit ishte tepër i dobët.

Qeveria dështoi edhe në miratimin e Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike. PDK ka bojkotuar Kuvendin në shenjë zemërimi pas zhvillimeve në Speciale, ndërsa bojkotit i është bashkuar për arsyet e veta edhe Lista Serbe. Pa votat e opozitës, zor se kalon ndonjë vendim në Kuvendin e Kosovës.

Pasojat mbi ekonominë janë katastrofale nëse izolimi i dytë na mban gjatë. Shëndeti mbi të gjitha, por pa punë e të ardhura, nuk ka as shëndet. Me ministra të paaftë totalisht, Kosova thjesht po improvizon edhe më tutje. Kjo qeveri nuk ka as forcë, as ide e as guxim për t’u ballafaquar me situatën.

E gjendja tash është më e rënduar se kurrë më parë. Sa më tepër thellohet kriza, aq më intensive bëhen pazaret politike. Në vend që të caktohet data e zgjedhjeve, partitë që humbën zgjedhjet po shtyhen se kujt i takon presidenti dhe si mund ta trafikojnë një kandidat në parlamentin e përçarë.

Avdullah Hoti në këto rrethana, duhet të paraqesë dorëheqjen, që t’u hapë rrugën zgjedhjeve. Sa më parë, aq më mirë.

Është absurde kjo që ndodh në vendin tonë. E meqë shpesh, disa politikanë kanë qef t’i referohen Amerikës, sidomos për të piketuar ‘anti-amerikanët’ kosovarë, atëherë le ta tërheqim një paralelë të thjeshtë. Në zgjedhjet presidenciale mbi 75 milionë amerikanë votuan Bidenin e mbi 70 milionë të tjerë mbështetën Trumpin. Në fund SHBA-të i udhëheq fituesi për katër vitet e ardhshme. Më së shumti, dy mandate.

Por, në Kosovë, demokracia ka marrë një trajtë tjetër. Rreth 200 mijë vota i merr Albin Kurti e aty afër Vjosa Osmani. Në fund, katandisemi në duart e qeverisë së Avdullah Hotit, që nuk e votoi as fshati i tij.

Njëzet vjet na qeverisin emrat e njëjtë, Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, Behxhet Pacolli. Është koha për ndryshim. Zgjedhjet e sjellin ndryshimin.

Ka përpjekje që me çdo kusht koalicioni qeverisës bashkë me PDK-në, t’i shmangë zgjedhjet, sepse e dinë se i pret një debakël elektoral i madh. Megjithatë, më mirë një humbje e thellë në zgjedhje dhe një qeveri legjitime, sesa një president pazaresh e qeveri trafiqesh politike.

Muajt në vazhdim, janë të humbur në izolim dhe improvizime të reja, prandaj më mirë për Kosovën, sovrani të vendosë për pushtetin e ardhshëm. Kryeministri Hoti, mund ta zhbllokojë këtë situatë. Ose në rastin në të keq, të bëjë çdo gjë, për karrigen e pamerituar të kryeministrit .

Pavarësisht rezistencës, zgjedhjet janë të pashmangshme. Një qeveri që nuk bën dot kuorum në Kuvend për një vendim të thjeshtë, nuk mund të sigurojë dy të tretat për zgjedhjen e presidentit.

Në këtë rast, është detyrim kushtetues të shkohet në zgjedhje. E për fat, aty nuk është më Hashim Thaçi që të shpikë ndonjë zgjidhje kompromentuese në Gjykatën e kapur kushtetuese.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco