Kush ishte ish-kryetari i Rahovecit  Esad Haxhijaha

Kush ishte ish-kryetari i Rahovecit Esad Haxhijaha

10:25, 21/01/2020

Esad Haxhijaha, ish-profesor i gjeografisë në vitet 70-ta, më pas drejtues komunal i Arsimit ( vitet 80-ta), veprimtar i LDK-së vitet 90-ta, pjesë e ekzekutivit komunal, paralel të Rahovecit, deri në arrestimin, burgosjen dhe dënimin e tij nga mekanizmat e dhunshme serbe në Kosovë, ka ndërruar jetë të hënën, në moshën 79 vjeçare. 

Haxhijaha, (1940), si ish i burgosur politik, i viteve 90-ta, përjetoi edhe masakrën e forcave të okupatorit serb ndaj veprimtarëve shqiptarë të burgosur e të dënuar (në Burgun e Dubravës së Istogut), mes 19 e 25 majit 1999, së cilës me plagë, ai dhe qundra shqiptarë, i patën mbijetuar!

Në muajin janar, janë shuar jetë të shumë personaliteteve të rëndësishme kombëtare, rilindase, atdhetarë e veprimtarë, udhëheqës politikë-institucionalë. Pikërisht në janar, 14 vjet më parë ndërroi jetë presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, e sot edhe një personalitet i dëshmuar për çështjen kombëtare, veprimtari, politikani, ish-kryetari i parë i Kuvendit Komunal të Rahovecit, nga zgjedhjet e para të lira-demokratike të pas luftës Çlirimtare të Kosovës, Esad Haxhijaha. 

Si bartës i listës zgjedhore të LDK-së, Haxhijaha, u zgjodh kryetar i Kuvendit Komunal të Rahovecit, edhe nga rezultati i zgjedhjeve të dyta për pushtetin lokal, të vitit 2002 e deri më 2007. Të dy mandatet, Haxhijaha, i kreu me devotshmëri, me përkushtim, përgjegjësi dhe dashamirësi të lartë. Përherë dëshmoi nivel të lartë të bashkëpunimit me të gjithë mekanizmat, lokalë, qendror, vendës dhe ndërkombëtarë në Kosovë. La përshtypjen e një intelektuali të mirëfilltë, personalitet me moral të lartë kombëtar, të një politikani të guximshëm, të kalitur dhe të gatshëm për përballje e bashkëpunim në çdo situatë. 

Esad Haxhijaha dha një kontribut të dukshëm për disa dekada në proceset edukative, politike, ekonomike dhe shoqërore, është shprehur të hënën kreu i tashëm i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, duke e vlerësuar figurën e  Haxhijahës. Ai ka vlerësuar angazhimet e Haxhijahës si bartës të përgjegjësive dhe  detyrave në shërbim të komunës dhe popullit të kësaj treve të vyeshme.

Po sipas Latifit, ish-kreu i KK të Rahovecit, në kujtesën e qytetarëve të kësaj komune, mbetet një njeri i mirë dhe me ndikim të madh në popull, i dashur, intelektual i çmuar, një shqiptar i mirë që i dha vendit dhe përpjekjes tonë për liri një kontribut të veçantë. Për kontributin e madh, Esad Haxhijaha, i lindur më 04.11.1940, ishte burgosur, torturuar dhe dënuar me shumë vite burg nga aparati i dhunshëm shtetëror i  Serbisë okupatore. Haxhijaha mbahet gjatë në mend për kontributin e tij në zhvillimin dhe përparimin e komunës së Rahovecit, zhvillimin e arsimit, arsimimin dhe edukimin e brezave.

Në intervistën e parë si kryetar të KK të Rahovecit, Haxhijaha, pati rrëfyer edhe peripecitë dhe përballjet e rënda të kohës së burgjeve, veçmas masakrës në burgun famëkeq të Dubravës mes 19-25 majit të vitit 1999, ku ishin vrarë afër 150 shqiptarë të burgosur, së cilës, me plagë, i pati mbijetuar ai dhe qindra bashkëvuajtës shqiptarë, ish-të burgosur e të dënuar të tjerë! "Njëherë e kam parë vdekjen me sy", më ishte përgjigjur, për të vazhduar se "tash e tutje, çdo minutë, muaj e vite jetë, është veçse dhuratë e Zotit"! 

Esad Haxhijaha, la pas familje të ngritur, të edukuar, të respektuar dhe shumë shokë, bashkëveprimtarë e miq! Esad Haxhijaha, Prehu i qetë në dheun e Kosovës, së lirë, të Pavarur dhe me shumë miq! Lamtumirë, baca Esad!  Esad Haxhijaha,  u lind më 4 nëntor 1940 dhe vdiq me 20 janar 2020

Jusuf Bytyçi

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco