Merko: Shqiptarët janë bashkuar kundër Ramës, qytetarët kërkojnë ndryshim

11:41, 18/07/2026

E ftuar sot në një lidhje Skype për Syri TV, Ekleva Merko, një mësuese me përvojë 20-vjeçare në sistemin arsimor parauniversitar, u shpreh se protesta qytetare ka sjellë një bashkim përtej ndarjeve politike.

Ajo theksoi se qytetarët janë bashkuar rreth një kauze të përbashkët dhe se në shesh nuk po diskutohen më ndarjet partiake, por kërkesa për ndryshim.

Merko deklaroi se pakënaqësia ndaj qeverisjes së Edi Ramës është rritur dhe akuzoi mazhorancën për korrupsion dhe largim nga interesat e qytetarëve.

“Kur shqiptarët bëhen bashkë, shqiptarët ia dalin”, përfundoi ajo.

Pjesë nga deklarata:

Është vërtet shumë interesante, sepse edhe e kam vënë re, domethënë, dhe kur ka shumë njerëz që janë afër me njëri-tjetrin, reagojnë kur shkelin padashje këmbën e njëri-tjetrit ose kur padashje prekin njëri-tjetrin. Përdorin gjithë kohës fjalët "më fal", "të lutem". Pra, gjë që nuk e kemi parë në raste të tjera. Ose që vijnë, diskutojnë situata nga më të ndryshmet, pra nuk e kanë mendjen vetëm te pjesa e fjalimeve te mikrofoni, por janë të shtrirë në të gjithë bulevardin.

Çfarë i mban bashkë, çfarë i bën të kenë një mendje me njëri-tjetrin?

Unë e thashë që bashkë i ka bërë kauza për të larguar këtë anti-shqiptar që quhet Edi Rama. Dhe nuk ka gjë më të bukur se kur shikon në atë shesh të majtë dhe të djathtë, të cilët nuk diskutojnë më për logo partiake dhe për parti, por diskutojnë sesi të gjejnë mundësinë dhe sesi ta zgjasin, ta shtojnë numrin e qytetarëve në atë shesh dhe të ketë nota pozitive gjithë kohës ajo protestë. Derisa ky i pabinduri që ne kemi për kryeministër aktualisht të bindet dhe të largohet nga kjo qeveri.

Dhe unë kam dhe diçka tjetër, se ne shikojmë grupe të ndryshme, të cilët vijnë me pankarta, me slogane shumë interesante. Ne kemi grupin e studentëve, që gjithë kohës ata vijnë me risira nga më të ndryshmet dhe janë vërtet për t'u vlerësuar. Kemi grupin tjetër, që është grupi i Flamingove, që gjithë kohës mundohet të përcjellë atë harmoninë pozitive, pra mesazhin për mosshitjen e tokave shqiptare, pra siç po ndodhte me Valbonën...

Pra, janë shumë detaje, shumë gjëra të bëra bashkë, të cilat kërkojnë vetëm tërheqjen e Edi Ramës. Pra, qytetarët nuk duan më, qytetarëve u ka ardhur në majë të hundës. Nuk e duan më këtë qeverisje. Korrupsioni është në nivele shumë të larta.

Ne shohim që sot, e pamë edhe te protesta para Parlamentit, që pa të drejtë femrat dhe çunat që ishin në atë shesh, në atë protestë, u goditën edhe pse ishin të ulur në shesh, nuk po bënin asgjë. Thjesht ishin... Një prej tyre isha dhe unë në atë shesh. Ishim thjesht të ulur, po këndonim këngë patriotike shqiptare, ndërkohë që u dha urdhër nga deputetët e majtë, të cilët nuk po e suportonin dot atë pozitivitet dhe atë gjë. U shqetësuan jashtëzakonisht shumë, në fakt, sepse shkaku i korrupsionit, i gjithçkaje, jemi ne, nuk janë ata, domethënë. Kjo është ironia më e çuditshme në këtë vend.

Ne drejtohemi nga njerëz, të cilët e dinë shumë mirë sesi është e vërteta, sepse e dinë shumë mirë sesi kanë arritur deri aty ku janë sot. Pra, nuk kanë arritur në sajë të votës, meritokracisë, por kanë arritur në sajë të krimit të organizuar, në sajë të korrupsionit, në sajë të servilizmit. Pra, janë aty pikërisht për gjëra të cilat nuk u shërbejnë qytetarëve, nuk i shërbejnë Shqipërisë, por i shërbejnë një grupi të vogël interesi, të cilët ne e dimë shumë qartë se cilët janë sot në Shqipëri dhe pse pikërisht Shqipëria është në këtë nivel që është.

Unë kam një shprehje: dardha e ka bishtin mbrapa.

Unë nuk bëj dot parashikime, sepse e thashë që në fillim që kjo protestë është e paparashikueshme realisht. Por di të them që, kur shqiptarët bëhen bashkë, shqiptarët ia dalin.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco