Policia e Kosovës ka reaguar ndaj komunikatës së Eparkisë Rashkë-Prizren, duke i cilësuar si të pabazuara pretendimet se ky institucion ushtron presion, diskriminim apo frikësim ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb dhe Kishës Ortodokse Serbe (KOS).
Në reagimin e publikuar të premten, Policia e Kosovës ka thënë se këto pretendime “nuk mbështeten në fakte” dhe nuk pasqyrojnë mënyrën e funksionimit të këtij institucioni.
“Policia e Kosovës me qëllim të informimit të drejtë, profesional dhe të paanshëm të opinionit publik, hedh poshtë si të pabazuara pretendimet e publikuara në komunikatën e Eparkisë Rashkë-Prizren, sipas të cilave Policia e Kosovës zhvillon një politikë institucionale të presionit, diskriminimit apo frikësimit ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb dhe Kishës Ortodokse Serbe”, thuhet në reagimin e PK-së.
Sipas Policisë, institucioni funksionon mbi bazën e Kushtetutës, ligjeve në fuqi dhe standardeve evropiane të zbatimit të ligjit.
“Policia e Kosovës është institucion kushtetues dhe profesional, i themeluar mbi parimet e shtetit demokratik dhe sundimit të ligjit. Në përbërjen e saj shërbejnë zyrtarë policorë nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Republikën e Kosovës, përfshirë komunitetin serb”, thuhet në njoftim.
Policia ka theksuar se çdo veprim i saj bazohet në ligj dhe në përgjegjësinë individuale, duke mohuar se vepron mbi baza etnike, fetare apo politike.
“Çdo veprim policor ndërmerret ekskluzivisht mbi bazën e ligjit dhe përgjegjësisë individuale”, ka deklaruar PK-ja.
Policia e Kosovës ka folur edhe për ceremoninë e 28 qershorit 2026 në Gazimestan, duke thënë se ajo është zhvilluar pa pengesa dhe ndërhyrje nga ana e policisë.
“Ceremonia është zhvilluar pa ndërhyrje dhe pa pengesa nga Policia e Kosovës”, thuhet në reagim.
Sipas PK-së, veprimet e ndërmarra pas ceremonisë nuk kanë qenë të drejtuara ndaj besimtarëve apo identitetit serb, por ndaj personave për të cilët, sipas saj, kishte dyshime për sjellje që përbënin elemente të nxitjes së urrejtjes, provokimit ose cenimit të rendit publik.
“Vendimet për gjoba, dëbim apo ndalim hyrjeje nuk janë marrë nga Policia e Kosovës, por nga organet kompetente administrative dhe gjyqësore bazuar në dëshmitë për secilin rast veç e veç”, ka bërë të ditur Policia.
PK publikon të dhëna për sigurinë e objekteve fetare
Në reagim, Policia ka prezantuar edhe të dhëna për sigurinë e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe fetare, duke thënë se aktualisht 24 objekte të trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe sigurohen 24 orë nga pjesëtarë të saj.
“Për realizimin e këtij misioni, nga Policia e Kosovës është themeluar Drejtoria për Sigurimin e Objekteve të Trashëgimisë Kulturore (DSOTK), e cila përbëhet nga pjesëtarë të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Sipas PK-së, gjatë vitit 2024 janë evidentuar 53 raste në objektet e trashëgimisë kulturore dhe fetare, prej të cilave 16 raste ose 30 për qind kanë ndodhur në objekte ortodokse.
Në vitin 2025 janë evidentuar 35 raste, prej të cilave 10 ose 29 për qind në objekte ortodokse, ndërsa gjatë periudhës janar-qershor 2026 janë evidentuar 34 raste, prej të cilave 5 raste ose 15 për qind në objekte ortodokse.
Policia ka thënë se shumica e rasteve lidhen me përftime pasurore, si vjedhje dhe vjedhje të rënda.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë të ofrojë siguri për të gjitha komunitetet pa dallim dhe ka ftuar qytetarët për bashkëpunim në ruajtjen e sigurisë publike.
© SYRI.net