I ftuar në një lidhje Skype në “Kafe Shqeto”, në Syri Tv, Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë Shaip Kamberi deklaroi se në Serbi po kultivohet një klimë politike e mohimit të krimeve të luftës, mohimit të gjenocidit të Srebrenicës dhe një gjuhe raciste ndaj shqiptarëve.
Kamberi tha se mohimi i krimeve është një tregues i rrezikshëm, pasi fsheh edhe dëshirën për përsëritjen e tyre, duke akuzuar pushtetin e Aleksandar Vuçiçit se mban gjallë një klimë ku shqiptarët shihen si "armiku numër një".
Ai u ndal edhe te kërkesa për arrestimin ose dëbimin e tij nga Serbia pas një debati në Parlamentin serb, ndërsa shtoi se vendi është pranë zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Fjala e tij:
Për të thënë të drejtën, asnjë befasi.
Në Serbi po kultivohet një klimë politike, në vitet e fundit, e mohimit të krimeve të luftës, mohimit të gjenocidit të Srebrenicës dhe një gjuhe raciste, sidomos ndaj shqiptarëve. Këtu janë përfshirë edhe boshnjakët, edhe të tjerët, kroatët në radhë të parë, siç dihet, por ndaj shqiptarëve kjo ka marrë hov shumë në vitet e fundit.
Autorja e librit "Ndikimi i papërfunduar i Sllobodan Millosheviqit" thotë se mohimi është faza e fundit e gjenocidit. Dhe një tjetër konstatim interesant që nxjerr është se mohimi ka për qëllim përsëritjen, pra fsheh qëllimin e përsëritjes, dëshirën për ta përsëritur krimin.
Dhe kjo në Serbi asnjëherë nuk është zhdukur, asnjëherë nuk është zbehur. Janë tërhequr herë pas here, por, siç shihet në raste të tilla, ata dëshmojnë që e kanë dëshirën e vet për ta përsëritur krimin në Kosovë, për ta përsëritur atë që ka ndodhur në vitin '98-'99.
Kjo është klima e përgjithshme që mbretëron këtu, në pushtetin e Aleksandar Vuçiçit, i cili shqiptarët i sheh si armikun numër një.
Po, ishte fjala në një seancë kur Aleksandar Vuçiç raportonte për dialogun Kosovë-Serbi dhe, pas ndërhyrjeve të mia dhe sqarimit që pata atje, ajo kërkoi arrestimin tim qëllimisht dhe, nëse nuk është e mundur, atëherë të më dëbojnë nga Serbia.
Dhe një konstatim, siç e tha: "Nëse kemi gabuar me Albin Kurtin, mos gabojmë kësaj radhe me Shaip Kamberin".
Por, në fakt, patriotizmi i saj është komercial. Ajo Kosovën e ka në zemër për faktin se shpenzimet e rrugës i merr deri në Pejë. Është zbuluar atje në parlament, i është tërhequr vërejtja disa herë dhe tash e keni parasysh situatën.
Jemi në një situatë në të cilën në Serbi pritet të shpallen zgjedhje të jashtëzakonshme, ndoshta presidenciale, edhe ato parlamentare. Çështja është kohe, ditësh, në të cilat Aleksandar Vuçiç po e mat opinionin se kur do t'i shpallë.
Dhe, në rrethana të tilla, në vazhdimësi Partia Socialiste e Ivica Daçiqit, pra e trashëgimtarit të Millosheviqit, gjithmonë me një retorikë të tillë tenton ta mobilizojë elektoratin që Kosovën e ka për zemër. Këtë duhet ta kemi parasysh.
Por fakti që Serbia nuk i ka shuar aspiratat e veta ndaj Kosovës, se nuk i ka shuar aspiratat e veta për të vazhduar të kryejë gjenocid dhe krime kundër njerëzimit në Kosovë, është dëshmia e radhës, e dalë nga goja e një ministreje.
Dhe ajo që është për t'u habitur është se Serbia, e cila së paku deklarativisht qëllimin e parë të politikës së jashtme e ka integrimin në Bashkimin Evropian, po hesht. Po hesht presidenti, po hesht kryeministri, po heshtin disa ministra të tjerë.
Një numër i vogël i përfaqësuesve serbë në politikë, sidomos në opozitë dhe i figurave të pavarura, kanë kërkuar shkarkimin e saj. Por jo edhe qeveria, e cila akoma vazhdon të heshtë, që do të thotë se e miraton gjithë këtë qëndrim të tillë fashist dhe se në qendër të politikës së saj është politika e spastrimit etnik.
© SYRI.net