11 organizata shqiptare në Britani letër të hapur Ramës: Ndalni dhunën, dëgjoni zërin e qytetarëve - edhe Lea Ypi krah tyre

11 organizata shqiptare në Britani letër të hapur Ramës: Ndalni dhunën, dëgjoni zërin e qytetarëve - edhe Lea Ypi krah tyre

16:33, 04/07/2026

11 organizata dhe shoqata shqiptare me seli në Mbretërinë e Bashkuar i kanë bërë thirrje publike Qeverisë dhe Kuvendit të Shqipërisë të ndalin dhunën ndaj protestuesve dhe të dëgjojnë kërkesat e qytetarëve që prej javësh protestojnë në mënyrë paqësore, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

 Letra e hapur, së cilës i është bashkuar edhe shkrimtarja dhe akademikja Lea Ypi, e cilëson të papranueshëm represionin ndaj qytetarëve dhe kërkon transparencë, llogaridhënie dhe dialog me shoqërinë civile.

Dokumenti mban firmat e UKAP Foundation, Kosovar Albanian Youth Against Violence, British Albanian Culture & Arts Association, Edinburgh University Albanian Society, Albanian Book Lovers Culture Club, Cambridge Uni Albanian Society, LSE Albanian Society, Diasporas Speaking, UCL Albanian Society, Successful Mothers dhe Gjurmë Iliriane.

Kërkesa:

Të nderuar përfaqësues të Qeverisë dhe Kuvendit të Shqipërisë,

Ne, shoqatat dhe bashkësitë shqiptare të themeluara dhe me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, shprehim mbështetje për protestat qytetare në Shqipëri dhe dënojmë dhunën policore ndaj protestuesve paqësorë.

Protestat e përditshme paqësore po shpalosin thelbin e një shoqërie civile gjithnjë e më të ndërgjegjshme dhe të organizuar. Mijëra qytetarë shqiptarë, ndër ta të rinj, prindër, profesionistë dhe studiues, kanë dalë në rrugë për të mbrojtur pasuritë natyrore të vendit, hapësirat publike dhe të drejtën për t’u dëgjuar nga institucionet e shtetit.

Këto protesta janë shprehja më e pastër e demokracisë në veprim, e drejta kushtetuese dhe demokratike e çdo qytetari për të shprehur mendimin dhe për t’i kërkuar llogari institucioneve shtetërore.

Është pikërisht për këtë arsye që dënojmë me forcë çdo formë të dhunës, frikësimit apo represionit ndaj protestuesve paqësorë.

I bëjmë thirrje qeverisë shqiptare të marrë parasysh kërkesat thelbësore të lëvizjeve protestuese, të cilat kanë të bëjnë me:

Transparencën e plotë në lidhje me ligjet, vendimet dhe kontratat që prekin mbrojtjen e mjedisit dhe të natyrës, duke përfshirë projektet që ndikojnë në zonat e mbrojtura, lagunat bregdetare dhe ekosistemet ujore të vendit;

Llogaridhënien e institucioneve publike lidhur me shitjen ose dhënien me koncesion të pasurive shtetërore, duke garantuar se çdo vendim i tillë i nënshtrohet shqyrtimit publik, konsultimit paraprak dhe mbikëqyrjes parlamentare;

Mbrojtjen e interesit publik si kriter themelor dhe i panegociueshëm në çdo politikë zhvillimi ekonomik, duke refuzuar modele që i japin prioritet interesave private të ngushta ndaj të mirave kolektive të shoqërisë;

Dialogun e vërtetë dhe konstruktiv me përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe lëvizjeve protestuese.

Me respekt dhe me shpresë,

UKAP Foundation

Kosovar Albanian Youth Against Violence

British Albanian Culture & Arts Association

Edinburgh University Albanian Society

Albanian Book Lovers Culture Club

Cambridge Uni Albanian Society

LSE Albanian Society

Diasporas Speaking

UCL Albanian Society

Successful Mothers

Gjurmë Iliriane

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco