​Zulfaj për fondet e BE-së: Nëse nuk kemi institucione, i humbim edhe 100 milionë euro

​Zulfaj për fondet e BE-së: Nëse nuk kemi institucione, i humbim edhe 100 milionë euro

14:10, 04/07/2026

Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka paralajmëruar se funksionalizimi i shpejtë i institucioneve të Republikës është vendimtar për përfitimin e fondeve nga Plani i Rritjes, duke konfirmuar se vendi tashmë ka humbur mbi 40 milionë euro për shkak të vonesave në zbatimin e reformave.

Në emisionin “Intervista e Javës” në KosovaPress, ai tha se Kosova do ta dorëzojë më 15 korrik raportin e parë mbi zbatimin e Agjendës së Reformave (që përmban 111 hapa) në bazë të së cilës pritet të kërkojë lirimin e më shumë se 100 milionë eurove që i takojnë nga Plani i Rritjes.

Pas dorëzimit të raportit, Komisioni Evropian do të ketë tre muaj kohë për të verifikuar nëse reformat janë zbatuar sipas kritereve të dakorduara, e më pas do të vendosë për disbursimin e fondeve.

Zulfaj theksoi se mjetet financiare nuk transferohen automatikisht, por lidhen drejtpërdrejt me përmbushjen e secilit obligim të marrë nga Kosova në kuadër të Planit të Rritjes.

“Ne, me Planin e Rritjes do të duhej që çdo gjashtë muaj, të dërgojmë një raport tek Bashkimi Evropian, për progresin në agjendën e reformave. Agjenda e reformave i ka 111 hapa, të cilat janë vendosur nga institucionet tona si reforma…Ne deri më 30 qershor, rezulton që i kemi përmbushur 18 hapa. Nga këto 18 hapa do të shohim se cili do të jetë vlerësimi i Komisionit. Më 15 korrik ne do ta dërgojmë raportin bashkë me evidencën e përfundimit të hapave. Bashkimi Evropian ka tre muaj në dispozicion për të bërë vlerësimin e raportit tonë, bashkë me evidencën që e bashkëngjitim, për të vlerësuar nëse kështu qëndron siç kemi raportuar ne, dhe në momentin që konstatohet pozitivisht secili hap që është arritur, atëherë secili hap e ka një shumë të fondeve që duhet të jetë mbi 100 milionë euro fatura, le të themi, për lirimin e fondeve që ne do ta kërkojmë në këtë fazë. Sigurisht që do të ishte shumë më shumë sikur të hynte në fuqi marrëveshja më herët, edhe sikur të kishim një Kuvend i cili funksionon”, deklaroi ai.

Zulfaj vlerësoi se vonesat e shkaktuara nga kriza politike e muajve të fundit kanë ndikuar drejtpërdrejt në ritmin e reformave. Nga 13 hapat që duhej të përfundonin deri më 30 qershor, shtatë janë realizuar, ndërsa gjashtë kanë mbetur pezull, kryesisht për shkak se kërkojnë miratimin e ligjeve nga Kuvendi.

Sipas kryenegociatorit, kjo situatë i ka kushtuar Kosovës rreth 40 milionë euro fonde që konsiderohen të humbura për arsye se ato nuk u “merituan” në kohën e duhur.

Ai tha se reformat e mbetura nuk janë braktisur dhe se ato do të mund të miratohen nga legjislatura e re, por vonesat kanë pasoja financiare që ndikojnë në zbatimin e Planit të Rritjes.

“Po ne i kemi 13 hapa i kishim deri në 30 qershor. Prej tyre 7 rezultojnë të përmbushur dhe 6 që nuk kanë arritur të përfundohen. Në mesin e tyre pesë prej hapave janë kërkojnë ligje. Siç e dini, pjesa kryesore ndoshta e kësaj reforme, dhe pastaj do të ta bëj një dallim sepse reformat do të kryhen. Ju e dini që janë 6 ligje të reformës në drejtësi, të cilat ishin si një lloj vetingu i drejtësisë…(rreth 31) Pra të gjitha këto do të bëhen, sepse janë për të mirën e qytetarëve dhe të Republikës dhe janë reforma. Dhe sigurisht që por është e dëmshme që nuk janë përfunduar le të themi në afatin e 30 qershorit, por mund të bëhen tashmë në legjislaturën e re. Mund të bëhen me një muaj vonesë. Dhe kush duhet ta marrë faturën për këto 2 muaj, në mungesën e humbjes së fondeve? Unë mendoj që duhet të shohim shumë vitin e kaluar. Gjithë viti humbi. Jo vetëm që janë 40 milionë euro që llogaritet të humbura. Por unë kisha shtuar këtu, edhe 20 milionë euro tjera e më shumë sa po na kushtojnë zgjedhjet e 10 dhjetorit të vitit të kaluar dhe të 7 qershorit”, shtoi Zulfaj.

Lidhur me fondet që nuk arrijnë të tërhiqen brenda afateve, Zulfaj sqaroi se vendimi për fatin e tyre i takon Bashkimit Evropian. Sipas tij, ato mund të rishpërndahen te shtetet e tjera të rajonit, të rikthehen në formën e asistencës teknike për Kosovën ose të mbeten në buxhetin e BE-së.

“Sipas marrëveshjes këto mjete konsiderohen të humbura por vlerësimi përfundimtar i takon Bashkimit Evropian. Ata mund të vendosin nëse këto mjete rishpërndahen prej vendeve tjera. Nëse këto mjete mund të kthehen në asistencë teknike, pra mund t’i kthehen Kosovës prapë në asistencë teknike. Por vendimin duhet ta marrin ata, apo mund t’i kthehjnë në buxhetin e Bashkimit Evropian. Sepse këto janë reforma, le të themi, mjetet janë në Bashkimin Evropian, dhe bëhen tuat kur përfundojnë reformat. Pra nuk është se kanë ardhur në Kosovë edhe tash po humbin. Janë në Bashkimin Evropian dhe ti duhet t’i marrësh…Sepse marrëveshja rregullorja e Bashkimit Evropian për Planin e Rritjes e thotë këtë mundësi. Pra që zotimi prej gjashtë miliardë që mund të mbetet në rajon është për t’i nxitur shtetet të cilat bëjnë hapa përpara”.

Duke folur për përgjegjësinë politike për humbjen e këtyre mjeteve, Zulfaj tha se bllokada institucionale e 2025-ës ka ndikuar në mosarritjen e objektivave për 2026, teksa insistoi se çështjet politike nuk duhet të pengojnë proceset që lidhen me përfitimin e fondeve evropiane.

Ai theksoi se Kuvendi duhet të sigurojë miratimin e reformave edhe nëse mungon konsensusi për tema të tjera politike, pasi projektet që financohen nga Plani i Rritjes lidhen drejtpërdrejt me interesin e qytetarëve.

“Kur them Kuvendi është të gjitha subjektet të cilat janë në Kuvend. Mirëpo përgjegjësia duhet të ndahet karshi veprimeve që i merr. Si shumicë, ne kemi bërë propozime të shumta, e të ndryshme se si edhe t’i japim vendit qeveri e Kuvend e president, por edhe të mos humbim nga reformat që janë në planin e rritjes. Nëse Kuvendi, nëse nuk ka konsensus për të shkuar përpara me presidentin, qysh ishte rasti tash këtë vit, nuk do të duhej që t’i faturohej Planit të Rritjes kjo. Pra, le të bëjmë atë që mundemi, si shtet e si shoqëri, si deputetë e si grupe parlamentare, që të arrijmë t’i votojmë, qoftë edhe me procedurë të shpejtuar ashtu që të mos humbim mjetet nga Plani i Rritjes. Sepse, duhet reflektuar nga viti i kaluar, bllokada që ndodhi vitin e kaluar e ka shkaktuar vonesën në arritjen e objektivave këtë vit, edhe për ato ka përgjegjësi kolektive. Por është shumë e qartë për ne që nuk ka qenë aspak e arsyeshme bllokada e vitit të kaluar”.

Ai paralajmëroi gjithashtu se nëse nuk ka marrëveshje e pajtim politik deri në fund të vitit Kosova mund të përballet me një tjetër sfidë, që nënkupton rrezikun potencial për të humbur edhe 100 milionë tjera. Kjo për faktin se deri më 31 dhjetor duhet të zbatohen edhe dhjetëra hapa të tjerë të Agjendës së Reformave, për të cilët vendoset në Kuvend.

Sipas Zulfajt, këto mjete janë të destinuara për investime në infrastrukturë, arsim, drejtësi, digjitalizim dhe fusha të tjera zhvillimore, prandaj ai u bëri thirrje të gjitha forcave të tregojnë përgjegjësi dhe të mos lejojnë që përplasjet politike të bllokojnë reformat dhe fondet e Bashkimit Evropian.

“Me këto 18 hapa të cilat i kemi zbatuar, kanë qenë gjithsej 79 hapa deri në dhjetor. Por kur i heqim këta 18 hapa, rezulton që në dhjetor pastaj mbesin edhe 61 hapa të tjerë, të cilët duhet të zbatohen deri me 31 dhjetor, por në këtë pjesë, vetëm 22 nëse nuk gabohem, ose mbase 27 hapa, janë që e kanë afatin shtesë, periudhën grace që quhet, deri me 31 dhjetor. Dhe shuma që përllogaritet që mund të humbet në fund të dhjetorit, nëse nuk zbatohen hapat të cilat afatin e fundit e kanë 31 dhjetor, mund të jetë mbi 100 milionë euro. Pra çka duhet të bëjmë, si shtet edhe si shoqëri, duhet ta kemi parasysh që këto fonde, janë për projekte infrastrukturore në Republikën e Kosovës. Për rrugë, për çerdhe, për gjykatat, për prokurorinë, për demokracinë, për shkollat, për digjitalizimin. Pra janë projekte të cilat na ndihmojnë neve që të bëjmë reformat shumë më shpejt. Dhe mungesa e Kuvendit, e shkakton, e bën të pamundur funksionimi të Kuvendit, bën të pamundur që ne t’i miratojmë ligjet”, tha ai.

Zulfaj iu ka bërë thirrje partive opozitare që, edhe “nëse vendosin të mos e bëjnë kuorumin për zgjedhjen e presidentit dhe më pas ta çojnë vendin në zgjedhje”, të paktën të mos pengojnë miratimin e reformave të nevojshme në Kuvend, madje me procedurë të përshpejtuar, nga të cilat varet shumë përfitime që mund të vijnë nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.

“Gjithmonë rrezik është nëse Kuvendi nuk funksionon. Ajo çka ne po bëjmë, është që të navigojmë, domethënë në një situatë ku Kuvendi funksionon me më pak kohë se sa do të duhej, Kuvendi mendohet që duhet të zgjidhet për katër vjet, zgjedhjet janë një herë në katër vjet, sipas Kushtetutës, dhe jo dy herë në vit. Kuvendi duhet të funksiononte kështu. Dhe kemi shumicën qeverisëse për ta garantuar këtë. Dhe për të shtyrë reformat përpara. Dhe unë shpresoj shumë që kështu do të ndodhë tash, pas certifikimit të rezultateve dhe formimit të institucioneve. Pra që nuk do të ketë tendencë prapë nga opozita për ta bllokuar presidentin në mënyrë që të bllokojë Qeverinë…41: Unë shpresoj që ato të cilat janë gati, sepse ligjet të cilat hapa të cilat, për afat të fundit e kanë dhjetorin, janë menduar që mbase të shkojnë në gusht, apo në shtator, në një afat të rregullt që të kalohen pastaj në afat të rregullt. Por nëse ata hapa e kanë pasur maturimin për të shkuar në gusht në Kuvend, apo në shtator, apo në tetor, dhe tash duhet t’i dërgojmë në fillim të korrikut ta zëmë, apo në fillim të gushtit, Kuvendi duhet të shfaqë mirëkuptimin për procedurat e shpejta… Nëse deputetët e opozitës vendosin që nuk do të duan ta bëjnë kuorumin për presidentin dhe dojnë me e çu vendin në zgjedhje, atëherë duhet të shfaqin mirëkuptim që në momentin kur t’ia ndërpret funksionimin Kuvendit, duhet të shfaqësh përgjegjësi ndaj reformave që janë në planin e rritjes”, përfundoi ai.

Plani i Rritjes është një kornizë e re e BE-së e cila nxit përshpejtimin e reformave për integrim evropian të tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor, që kombinon reformat me kontribut të drejtpërdrejtë financiar nga fondet e Bashkimit Evropian në buxhetet e vendeve përfituese dhe projekte investuese.

Me zbatimin e këtyre reformave që po i kërkohen, por të cilat i duhet gjithsesi shtetit, Kosova do të përfitojë deri në 882,6 milionë euro fonde të BE-së. Nga kjo shumë totale, 253,3 milionë euro janë grante, ndërsa pjesa tjetër prej 629,3 milionë eurosh janë hua afatgjata./kp

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco