Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se nuk do t’i përgjigjej një ftese për takim të dërguar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, përmes aplikacionit WhatsApp, duke theksuar se komunikimi për çështje të tilla duhet të zhvillohet vetëm në mënyrë zyrtare.
Në një intervistë në Klan Kosova, Hamza tha se një ftesë për takim duhet të jetë formale dhe të përmbajë agjendën e diskutimit.
“Nëse Kurti na fton në takim, ftesa duhet të jetë zyrtare, ftesë me përmbajtje, në mënyrë që edhe përgjigjja të jetë zyrtare. Jo me WhatsApp. Arsyeja është se nuk dëshiroj që pas takimit, për të cilin nuk i dihet përmbajtja, të dalim dhe unë ta përdor takimin në mënyrën si më konvenon, apo dikush tjetër ta përdorë si i konvenon”, ka deklaruar Hamza.
Ai theksoi se për PDK-në prioritet mbeten temat që lidhen me interesin e shtetit dhe se vetëm pasi të ketë dakordim për to mund të diskutohen formulat për krijimin e institucioneve.
“Për PDK-në janë prioritete çështjet e vendit. Fillimisht duhet të diskutohet për to dhe, nëse ka dakordim, atëherë mund të flasim edhe për formula të tjera. Në një ftesë për takim, për ne janë me rëndësi temat dhe prioritetet, e më pas formula e krijimit të institucioneve – Kuvendi, Qeveria dhe Presidenti”, është shprehur ai.
© SYRI.net