Partitë politike në Kosovë po presin certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, pas së cilit pritet të nisë procesi i krijimit të institucioneve të reja dhe bisedimet për zgjedhjen e presidentit të vendit.
Çështja e presidentit pritet të jetë një nga proceset më të rëndësishme politike në ditët në vijim, pasi për zgjedhjen e tij nevojitet bashkëpunim mes subjekteve politike, duke qenë se asnjë parti nuk i ka e vetme votat e nevojshme në Kuvend.
Lëvizja Vetëvendosje dhe partitë opozitare kanë nisur të japin qëndrimet e tyre lidhur me mundësinë e bashkëpunimit për këtë proces.
Nga LVV-ja kanë bërë thirrje për një qasje më bashkëpunuese nga opozita, ndërsa partitë opozitare kanë theksuar nevojën për dialog dhe marrëveshje politike për të shmangur një bllokim institucional.
Rrustemi për zgjedhjen e presidentit: Shpresoj që opozita të ketë reflektuar nga mentaliteti bllokues
Deputeti i rizgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi ka deklaruar se partia ka qenë vazhdimisht i gatshëm për bashkëpunim, duke thënë se ftesat e bëra nga LVV-ja janë refuzuar nga partitë opozitare.
Duke folur për çështjen e zgjedhjes së presidentit, Rrustemi u shpreh se pret një ndryshim të qasjes nga opozita në legjislaturën e re.
“LVV gjithmonë ka qenë për bashkëpunim, por ftesës së VV për bashkëpunim, opozita gjithmonë i përgjigjej me refuzim. Shpresoj që opozita ka reflektuar dhe do të heq dorë nga mentaliteti bllokues e refuzues. Ajo çfarë mbetet të shihet pas këtyre zgjedhjeve, është se a ka ndryshuar opozita”, u shpreh ai.
A do të bashkëpunojë PDK-ja me LVV-në për presidentin? Flet Musliu-Shoshi
Deputetja e rizgjedhur e Partisë Demokratike të Kosovës PDK, Ariana Musliu-Shoshi thotë se partia ku bënë pjesë ajo ende nuk ka zhvilluar diskutime dhe nuk ka marrë ndonjë vendim lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit.
“Ende nuk kemi diskutime e as vendim”, tha shkurt Musliu-Shoshi.
Zogaj: Pas certifikimit të zgjedhjeve do të nisin bisedimet për presidentin, LDK e hapur për bashkëpunim
Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alban Zogaj tha se pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve pritet të nisin bisedimet ndërmjet partive politike për zgjedhjen e presidentit të vendit.
Sipas tij, procesi kërkon domosdoshmërisht bashkëpunim politik.
“Po presim certifikimin e zgjedhjeve, pas kësaj fillojnë bisedimet mes partive politike për të zgjedhur presidentin e vendit duhet bashkëpunim sepse asnjë parti nuk i ka votat e vetme, meqenëse duhet bashkëpunim politik ne do të jemi të hapur për të biseduar me partitë politike për të zgjedhur presidentin”, tha Zogaj.
Ai u shpreh se Kosova nuk duhet të përballet sërish me zgjedhje të parakohshme për shkak të moszgjedhjes së presidentit.
“Kosovës nuk i duhen edhe një palë zgjedhje për shkak të zgjedhjes së presidentit kemi shkuar në zgjedhje dhe ky është problemi kryesor që duhet ta zgjidhim“, ka deklaruar ai.
Deputetja Bytyqi: AAK është e gatshme të mbështesë krijimin e institucioneve, kusht gjashtë pikat
Deputetja e rizgjedhur e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës AAK, Albana Bytyqi tha se AAK është e gatshme të kontribuojë në krijimin e institucioneve të reja pa vendosur kushte për poste qeveritare, por kërkon zotim publik për realizimin e gjashtë prioriteteve që i konsideron jetike.
Sipas saj, qëllimi i AAK-së është që vendi të mos mbetet i bllokuar institucionalisht.
“Aleanca është e gatshme të mbështesë pa asnjë kusht vetjak dhe pa asnjë synim për pjesëmarrje në qeverisje krijimin e institucioneve, me qëllim që vendi të mos bllokohet”, deklaroi Bytyqi.
Ajo theksoi se AAK nuk synon të bëhet pjesë e qeverisë së ardhshme dhe se mbështetja e saj lidhet me realizimin e prioriteteve programore.
“Nuk kemi kurrfarë kushtesh vetjake dhe as nuk synojmë pjesëmarrje në qeverinë e ardhshme. Kemi paraqitur gjashtë kërkesa që i konsiderojmë jetike për të dhënë kontributin tonë në krijimin e institucioneve. Nëse ka nevojë për kuorum, ne do ta bëjmë atë, por na duhet zotim publik se këto pika do të realizohen”, u shpreh ajo.
Ajo theksoi se pesha politike e AAK-së nuk do të përdoret për interesa partiake.
“Pesha politike e Aleancës do të përdoret ekskluzivisht në shërbim të interesit të qytetarëve dhe jo për poste politike”,përfundoi Bytyqi.
Bytyqi rikujtoi se gjashtë kërkesat e AAK-së përfshijnë “kyçjen e Kosovës në projektin e gazit amerikan, nisjen e procedurave për ndërtimin e termocentralit me thëngjill dhe forcimin e pavarësisë energjetike, rritjen e pragut të TVSH-së për bizneset e vogla, lirimin e tokës së punuar nga tatimi në pronë, financimin e projekteve infrastrukturore të papërfunduara dhe krijimin e një fondi të posaçëm për investime kapitale në kryeqytet”./FO
© SYRI.net