Prokuroria e Shtetit ka njoftuar se ka ndaluar pesë persona për veprat penale kundër të drejtave të votimit.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se nga informatat e pranuara për shkelje, pas verifikimit dhe trajtimit të tyre, deri në mbyllje të procesit të votimit, është konstatuar se 17 prej tyre paraqesin elemente të kryerjes së veprave penale kundër të drejtave të votimit
“Në Prishtinë kemi 4 raste, në Prizren kemi 6 raste, në Pejë 2 raste, në Ferizaj 3 raste dhe në Mitrovicë veri kemi 2 raste. Nga të gjitha këto raste kemi 5 persona të ndaluar dhe 12 persona të liruar në procedurë të rregullt”, theksohet në njoftim.
Aty theksohet se prokurorët e shtetit do të vazhdojnë të kujdestarojnë edhe gjatë numërimit të votave në vendvotime deri në dërgimin e tyre në qendrat komunale të numërimit.
“Me këtë rast Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit falënderon qytetarët e Republikës së Kosovës, mediat dhe shoqërinë civile për bashkëpunimin e treguar me Prokurorin e Shtetit, me qëllim parandalimin dhe ndjekjen e suksesshme të veprave penale lidhur me këto zgjedhje”, përfundon njoftimi./Reporteri
© SYRI.net