Policia e Kosovës ka vlerësuar se procesi i votimit në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, është zhvilluar në një ambient të qetë, të sigurt dhe pa incidente serioze që do të cenonin mbarëvajtjen e tij.
Policia njoftoi se aktivitetet e planifikuara për garantimin e sigurisë janë realizuar në përputhje me planin operacional, ndërsa bashkëpunimi ndërinstitucional dhe angazhimi i zyrtarëve policorë kanë ndikuar që procesi zgjedhor të karakterizohet nga rendi, qetësia dhe stabiliteti.
Për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor janë angazhuar rreth 6.300 zyrtarë policorë, 720 automjete policore dhe afro 320 patrulla reaguese, përfshirë hetues, zyrtarë të inteligjencës, policë kufitarë, të trafikut dhe njësi speciale.
Sipas një komunikate të Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, Policia ka iniciuar 17 raste penale që ndërlidhen me procesin zgjedhor, për veprat penale “Cenimi i fshehtësisë së votimit”, “Asgjësimi i dokumenteve të votimit”, “Keqpërdorimi i të drejtës së votimit” dhe “Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin”. Lidhur me këto raste, pesë persona janë dërguar në mbajtje.
Gjatë ditës janë pranuar dhe trajtuar gjithsej 53 informata të natyrave të ndryshme, por pas vlerësimit të rrethanave dhe mungesës së elementeve të veprave penale, nuk janë iniciuar procedura të mëtejme ligjore për to.
© SYRI.net