Kosova po hyn në fazën fillestare të fushatës për zgjedhjet e 7 qershorit, të cilat pritet të përcaktojnë balancat e reja politike në vend.
Partitë kryesore kanë intensifikuar aktivitetet dhe përplasjet politike, ndërsa debatet janë fokusuar te sondazhet, raportet mes liderëve dhe rezultatet e mundshme zgjedhore.
Në qendër të zhvillimeve kanë qenë raportet mes Vjosa Osmani dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, si dhe përplasjet politike mes opozitës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Lidhur me aktualitetin politik në vend, në një prononcim për “Front Online” ka folur ish-kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, i cili ka vlerësuar se LVV mund të marrë një rezultat më të dobët krahasuar me zgjedhjet e shkurtit 2025, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës mund të shënojë ngritje relative, derisa LDK-ja nuk dihet ende.
Ai ka deklaruar se rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit mbetet i vështirë për t’u parashikuar, duke thënë se zhvillimet e fundit politike kanë ndryshuar dinamikën elektorale në vend.
Ymeri tha se afrimi i vonshëm politik mes Vjosa Osmanit dhe LDK-së ka ndikuar që kjo parti të jetë në qendër të vëmendjes publike.
“Është vështirë të thuhet. Për shkak se bashkimi është bërë tash vonë ndërkohë që dinamika e zhvillimeve është e shpejtë. Deri tash Vjosa Osmani dhe LDK kanë qenë lajmi i ditës, dhe kjo është promovim në vete. E kemi edhe një periudhë deri në zgjedhje”, tha Ymeri.
Sipas Ymerit, çdo rritje e mbështetjes për LDK-në dhe Osmanin do të reflektohet drejtpërdrejt me rënie të votave për LVV-në.
“Çfarëdo rritje e LDK-së dhe Vjosa Osmanit është rënie për LVV. Nuk mund ta them me përqindje e aq më pak më numër votash mirëpo gjykuar nga ky pozicion i tashëm unë e shoh që LVV do ta ketë një rezultat pak më të dobët se shkurti i vitit 2025”, ka deklaruar Ymeri.
Ai komentoi edhe pozicionin e PDK-së, duke thënë se kjo parti mund të shënojë rritje relative.
“PDK mund ta ketë një ngritje relative në raport me dhjetorin, duke e pasur parasysh se PDK ka qenë partia e vetme e madhe më një votë stabile të cilën nuk mund t’ia merr askush”, u shpreh Ymeri për “Front Online”.
Ish-kreu i LVV-së: Albin Kurti po tenton të shmangë debatet rreth Vjosa Osmanit
Visar Ymeri, ish-bashkëpartiaku i kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka kritikuar gjuhën politike të përdorur nga kryeministri, duke thënë se ajo i ngjan polarizimit që partia në pushtet e nxiti gjatë zgjedhjeve të shkurtit.
Ymeri deklaroi se kjo qasje synon rritjen e pjesëmarrjes në zgjedhje në favor të VV-së, por shtoi se zgjedhjet e fundit kanë treguar se një strategji e tillë nuk garanton sukses.
“Kjo gjuhë më shumë i përngjason polarizimit që e nxiste VV në zgjedhjet e shkurtit se sa asaj që e provuam në dhjetor të vitit të kaluar. Ky lloj polarizimi bëhet me shpresë se nxit elektoratin dhe e rrit pjesëmarrjen e votën për partinë, në këtë rast për VV-në. Zgjedhjet e shkurtit na kanë treguar që kjo nuk është domosdoshmërisht e vërtetë”, ka thënë Ymeri.
Ai tha se kryeministri po përpiqet gjithashtu të shmangë diskutimet rreth qëndrimit ndaj Vjosa Osmani dhe mosmbështetjes së saj për një mandat tjetër në Presidencë.
“Gjuha që po përdoret nga Kurti këtë radhë ka për synim ta shmang diskutimin racional e programatik për të ardhmen e vendit, si dhe t’i jap përgjigjet e arsyeshme pse nuk e deshi Vjosa Osmanin edhe për një mandat në Presidencë”, tha ai për “Front Online”.
Ymeri: Bashkëqeverisja Kurti-Osmani mund të nxjerrë shumë të panjohura
Analisti politik, Visar Ymeri në një prononcim për “Front Online” u shpreh se gjuha polarizuese në skenën politike nuk përdoret njësoj nga të gjitha partitë.
Ymeri thotë se situata politike po karakterizohet nga përplasje të ashpra, ndërsa ai veçoi raportin mes Kurtit dhe Vjosa Osmani si një zhvillim që mund të sjellë debat të ri publik.
“Nuk mund të thuhet se të gjitha partitë përdorin gjuhë të tillë dhe kanë të njëjtin qëllim e tendencë. Ndodh që partitë a individët brenda tyre të fillojnë t’ia kthejnë Kurtit e VV-së me të njëjtën monedhë. Përtej kësaj mendoj që përplasja Kurti Osmani do ta ketë një dimension tjetër interesant: shpërfaqjen e shumë të panjohurave gjatë bashkëpunimit të tyre dhe qeverisjes 5 – vjeçare të përbashkët”, vlerësoi Ymeri.
Ymeri u bëri thirrje qytetarëve që të mos e pranojnë polarizimin politik dhe të kërkojnë më shumë përgjegjësi dhe llogaridhënie nga liderët politikë.
“Unë uroj që qytetarët të mos e pranojnë këtë polarizim dhe të kërkojnë përgjegjësi e llogaridhënie nga udhëheqësit politikë. Deri tash më duhet të them që kemi parë që edhe qytetarët statistikisht më shumë janë tërhequr nga kjo gjuhë dhe kjo sjellje, ose së paku nuk e kanë parë si problem aq të madh sa ta ndalin përkrahjen për një parti që sillet në këtë mënyrë”, shprehet Ymeri.
© SYRI.net