Ardian Gjini refuzon ftesën e Kurtit për takim

Ardian Gjini refuzon ftesën e Kurtit për takim

18:54, 09/07/2026

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, ka refuzuar ftesën e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për një takim lidhur me formimin e institucioneve të reja të vendit.

Gjini ka bërë të ditur se qëndrimi i Aleancës mbetet ai i prezantuar publikisht më 26 qershor, duke e konsideruar ofertën e partisë së tij si të qartë dhe parimore.

“Për hir të transparencës ndaj qytetarëve, po e ndaj me ju përgjigjen zyrtare të Aleancës që sapo i është nisur Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, z. Albin Kurti. Qëndrimi ynë mbetet ai i datës 26 qershor, i qartë, parimor dhe tërësisht publik”, ka shkruar Gjini.

Në përgjigjen zyrtare drejtuar Kurtit, Aleanca ka rikujtuar ofertën e saj për mbështetjen e themelimit të institucioneve të reja, duke theksuar se është e gatshme të ndihmojë në krijimin e kuorumit për zgjedhjen e presidentit, me kusht që të pranohen gjashtë pikat e propozuara nga kjo parti.

“Më datën 26 qershor 2026, kam prezantuar publikisht ofertën tonë për mbështetjen e themelimit të institucioneve të reja të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e AAK-së.

Sipas Aleancës, kjo ofertë synon përparimin e zhvillimit ekonomik të Kosovës, forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit dhe shmangien e një cikli të ri zgjedhor.

“Duke e pasur parasysh qëndrimin tonë të qartë dhe parimor, nuk e shohim të nevojshëm takimin”, thuhet më tej në përgjigjen e Aleancës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco