SYRI TV/ Rama dha 4 mln € për koncertin e Kanye West, mediat e huaja ‘kryqëzojnë’ Ramën

14:23, 10/07/2026

Dhënia e mbi 4 milionë eurove nga Edi Rama për të shpëtuar koncertin e Keni Uest, ka zënë faqet e mediave më të rëndësishme botërore. Prestigjozja franceze Le Monde shkruan se vendi më i varfër në Europë jep 4 milionë euro për reperin teksa evidenton zemërimin popullor që ka përfshirë vendin prej më shumë se 1 muaji. Nga ana tjetër Nju York Times vë në dukje kontradiktën mes qëndrimeve të Edi Ramës kundër antisemitizmit dhe vendimit të qeverisë shqiptare për të financuar koncertin e Keni Uest, i njohur për qëndrimet kundër hebrenjve.

SYRI TV

Mediat më të rëndsësishme botërore po kryqëzojnë Kryeministrin Edi Rama pas vendimit për dhënien e mbi 4 milionë eurove për Koncertin e reperit Keni Uest i planifikuar për tu zhvilluar këtë fundjavë nmë Tiranë. Prestigjozja franceze Le Monde evidenton fakton se reperi është i ndaluar të performojë në shumicën e vendeve europiane për shkak të qëndrimeve të tij anti-semite dhe neonaziste dhe sjell në vëmendje protestat masive që kanë shpërthyer në Shqipëri, i konsideruar si vendi më i varfër në Europë.

I shpallur persona non grata në shumicën e vendeve të Evropës për shkak të shpërthimeve të tij neonaziste dhe antisemite, reperi amerikan Kanye Ëest do të pritet, përkundrazi, me krahë hapur të shtunën, më 11 korrik, në Tiranë, nga një pushtet shqiptar që aktualisht po kundërshtohet fuqishëm në rrugë.

Kryeministri i këtij vendi të vogël ballkanik, socialisti Edi Rama, vendosi të hënën, më 6 korrik, të çlirojë "me urgjencë" një subvencion prej 4 milionë eurosh për të shpëtuar koncertin e yllit kontrovers amerikan.

Ky njoftim ka ngjallur zemërimin e mijëra protestuesve, të cilët që nga fundi i majit protestojnë çdo mbrëmje përpara dritareve të zyrës së kryeministrit.

Duke bërë paralelizëm me mungesën alarmante të financimit të spitaleve në këtë vend, që renditet ndër më të varfrit e Evropës, shumë protestues e shohin këtë koncert dhe këtë subvencion si një simbol të ri të mënyrës se si kryeministri, në pushtet që prej vitit 2013, po përvetëson të gjitha institucionet me synimin për t'i shërbyer imazhit të tij dhe interesave nganjëherë të dyshimta.

Nga ana tjetër Prestigjiozja amerikane The Neë York Times ka vënë në dukje kontradiktën mes qëndrimeve të deklaruara të Edi Ramës kundër antisemitizmit dhe vendimit të qeverisë shqiptare për të financuar me 4.5 milionë dollarë koncertin në Tiranë të reperit Ye, i njohur më parë si Kanye West. Sipas artikullit, ka një kontrast të fortë mes retorikës publike të kryeministrit dhe veprimeve të tij konkrete. The New York Times thekson se për një lider që është shfaqur vazhdimisht si zë kundër antisemitizmit, heshtja ndaj deklaratave të Ye përbën një mospërputhje që ngre pikëpyetje mbi koherencën e këtij qëndrimi.

Edi Rama, tha në një postim në rrjetet sociale të mërkurën se Shqipëria ka akorduar rreth 4.5 milionë dollarë për eventin, i cili është planifikuar të mbahet të shtunën. Postimi i Ramës nuk jepte detaje të mëtejshme se si do të shpenzoheshin 4.5 milionë dollarët. Kanye Uest ka shkaktuar zemërim në mbarë botën me deklaratat e tij antisemite dhe shprehjet e admirimit për Adolf Hitlerin dhe nazistët, të cilat më pas i ka tërhequr, por edhe me veprime të tjera provokuese. Polemikat rreth koncertit të Ye vijnë në një kohë kur Rama po përballet me pakënaqësitë për planet e zhvillimit të një resorti luksoz në bregdetin shqiptar të Adriatikut. Rama ka thënë se aktorë që veprojnë me qëllime të këqija në internet kanë përhapur dezinformim dhe kanë ekzagjeruar madhësinë dhe rëndësinë e këtyre protestave për interesat e tyre. Ai dha pretendime të ngjashme edhe në mbrojtje të koncertit të Ye këtë javë.

Duke lidhur të dyja polemikat, Rama tha se kritikët e koncertit të Ye ishin në fakt të njëjtat “sorra dhe korba” që “e kishin rrëmbyer me dinakëri protestën qytetare të flamingove”, me atë që ai e quajti një shqetësim të shtirur për interesin publik.

Deklarata e Ramës nuk trajtonte komentet denigruese ndaj hebrenjve që qëndrojnë si polemikë mbi turneun e Ye.

Pak ditë më parë Kryeministri Rama njoftoi se qeveria ka akorduar 4.2 milion euro për Koncertin e reperit amerikan. Vendimi mori përmasat e skandalit kur u mësua se ky financim ishte tërhequr nga fondi I emergjencave civile, I cili duhet të përdoret vetëm për fatkeqësitë natyrore  si tërmetet, zjarret përmbytjet etj.  

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco