Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka anuluar tenderin për shtypjen e fletëvotimeve, broshurave të kandidatëve dhe listave të votuesve për zgjedhjet e 7 qershorit.
Arsyeja e anulimit të tenderit, sipas njoftimit të publikuar në platformën e-Prokurorimi, është mospranimi i asnjë oferte.
“Nuk kemi pranuar asnjë ofertë”, thuhet në njoftim.
Vlera e parashikuar e kësaj kontrate ishte 284 mijë e 506 euro dhe ishte planifikuar të jepet me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës.
Afati për dorëzim të ofertave ka qenë dje.
Dyshimet për parregullësi ishin ngritur për fletëvotimet e shtypura në balotazh. Shqetësimet ishin ngritur gjatë procesit të numërimit të votave në Mitrovicë.
Pas reagimeve të shumta, kompania e kishte pranuar gabimin teknik gjatë printimit të fletëvotimeve në Mitrovicë, teksa kishte mohuar çdo mundësi manipulimi.
Kompania kishte përgjegjësi të plotë për incidentin, duke theksuar se një gabim i tillë është “pothuajse i pamundur” të ndodhë në rrethana normale dhe se fletët e votimit përmbajnë elemente sigurie që nuk mund të falsifikohen
© SYRI.net