Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, bashkë me IKD-në, Lëvizjen FOL dhe aktivisten Flutura Kusari, kanë kërkuar që procesi i zgjedhjes së anëtarëve të Bordit të RTK-së dhe Bordit të KPM-së të pezullohet, pasi siç u tha në një konferencë të jashtëzakonshme për media, procesi është komprometuar, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha tha se i gjithë procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të këtyre dy bordeve është jotransparent që nga fillimi nga ana e partisë në pushtet, Vetëvendosjes. Rexha tha se ky proces, i cili tash është i komprometuar ka për synim, një kapje politike të këtyre bordeve nga Vetëvendosje.
“Në emër të shoqërisë civile që kanë ndjekur nga fillimi procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të bordit të RTK-së dhe KPM-së, po e shprehim shqetësimin tonë për mënyrën se si ka nisur, si është organizuar dhe si është duke vazhduar ky proces kaq i rëndësishëm për mediat në Kosovë, për dy institucione shumë të rëndësishme siç është RTK dhe KPM. I gjithë procesi është jo transparent që nga fillimi, nga ana e Kuvendit të Kosovës, nga ana e në fakt partisë më të madhe, Vetëvendosjes. I gjithë organizimi i shqyrtimit të dosjeve të kandidatëve që kanë garuar është mbi 70 për RTK-në dhe mbi 30 për KPM-në, ka shkuar në mënyrë të tillë që ka pasur mungesë transparence dhe për këtë anëtarë të opozitës dje e kanë bojkotuar mbledhjen e komisionit ad-hoc për RTK-në. Koha në të cilën janë ftuar kandidatët për intervistë ka qenë e e kufizuar dhe ua ka pamundësuar atyre përgatitjen për intervistat që nisin sot, njëri prej kandidatëve është ftuar në orën 9 e 24 në mbrëmje gjatë ditës së sotme, që është praktikë që i kufizon kandidatët
AGK, shoqëria civile pra kërkon që ky proces të pezullohet si i tillë për momentin dhe të rinisë vetëm kur të sigurohet se do të ketë një proces fer, transparent dhe me kohë të përshtatshme për përgatitje si të deputetëve për ti marrë në pyetje ata që duan të bëhen pjesë të këtyre bordeve, ashtu edhe të kandidatëve që kanë garuar. Më mirë të ketë vonesë në përzgjedhjen e anëtarëve të bordeve sesa të ketë një proces i cili tash është i komprometuar dhe që ka për synim, siç e shohim një kapje politike të këtyre bordeve nga Vetëvendosje”, tha Rexha.
Edhe juristja e medias, Flutura Kusari tha se VV-ja po synon të kapë këto dy institucione të rëndësishme. Kusari madje tha se deputetë të VV-së janë parë në shoqëri të disa kandidatëve për anëtarë të bordit të RTK-së.
Po flas për procesin e përzgjedhjes të anëtarëve të bordit të RTK-së dhe KPM-së. Janë praktika tipike, kur një parti synon të kapë një institucion të pavarur. Niveli i kualitetit të kandidatëve, të cilët kanë kandidu është jashtëzakonisht i ulët, është shumë vështirë me e gjetë profesionistë aty, të cilët e meritojnë të jenë anëtarë të bordit të RTK-së dhe kjo ka ndodhë për shkak se profesionistët nuk i besojnë Lëvizjes Vetëvendosje që do të zhvillojë një proces, fer, transparent dhe sipas meritokracisë. U përmend që mbrëmë në orët e vona të natës janë ftu kandidatët për të ardhë sot në intervistë. Kjo është përqeshje me procese të rëndësishme demokratike. Pastaj kemi standarde të shumëfishta, një kandidat favorizohet sepse është qartësisht me Vetëvendosjen. Disa prej deputetëve të VV-së, janë takuar në kafiteri me kandidatë për anëtarë bordi të RTK-së dhe një gjë e tillë është e papranueshme”, tha ajo.
© SYRI.net