Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se do të përpiqet të zhvillojë takim edhe me kreun e Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, në kuadër të përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje për presidentin.
Kurti theksoi se posti i presidentit nuk mund të jetë pronë e një apo dy partive, por duhet të përfaqësojë unitetin e vendit.
“Presidenti nuk duhet të jetë i një partie, e as i dy partive. Ai duhet të jetë shprehje e unitetit”, deklaroi ai.
Duke folur për qëndrimin e PDK-së, Kurti kritikoi mungesën e emrave konkretë për kandidatët për president.
Sipas tij, kjo parti nuk ka propozuar asnjë emër, por ka kërkuar mbështetje të pakushtëzuar.
“PDK ka kërkuar që ne t’i besojmë në mënyrë absolute dhe të verbër, që kandidatët të jenë të tyre, pa na treguar emrat paraprakisht. Si subjekt demokratik, kjo e bën të pamundur një marrëveshje”, u shpreh Kurti.
Ai shtoi se pret që kjo qasje të ndryshojë në takimet e ardhshme me kreun e PDK-së.
“Nuk mund të ketë marrëveshje politike për presidentin e ardhshëm përderisa nuk thuhet asnjë emër”, theksoi Kurti.
© SYRI.net