Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka mbërritur në Kuvend për takim me kryeministrin Albin Kurti, në kuadër të konsultimeve për gjetjen e një zgjidhjeje për presidentin e vendit.
Abdixhiku nuk është deklaruar para mediave para takimit.
“Të shohim tash, po shkojmë në takim. Pas takimit deklarohemi”, ka thënë shkurt Abdixhiku.
Kosova tashmë është me ushtrues detyre të presidentit. Të shtunën këtë detyrë kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu e mori nga ish-presidentja Vjosa Osmani.
Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 28 prill për të zgjedhur presidentin. Afati u caktua me një vendim të Gjykatës Kushtetuese, duke e shpallur të pavlefshëm një dekret të Osmanit për të shpërndarë Kuvendin.
Osmani pati nxjerrë dekretin me arsyetimin se Kuvendi ka pasur afat deri më 5 mars për ta zgjedhur presidentin, një muaj para përfundimit të mandatit të saj. Gjykata Kushtetuese më 25 mars vendosi që Kuvendi ka edhe 34 ditë afat për të zgjedhur presidentin, duke konstatuar se procedura 60-ditëshe për zgjedhjen ka nisur më 5 mars kur Kuvendi nuk hodhi në votim kandidaturat e Glauk Konjufcës dhe të Fatmire Mulhaxhës së Vetëvendosjes, për shkak të mungesës së kuorumit.
© SYRI.net