Rezoluta e propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e mbështetur edhe nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, për uljen e akcizës dhe TVSH-së për naftën, si dhe subvencionimin e çmimeve për sektorët më të ndjeshëm të ekonomisë, nuk është hedhur fare në votim.
Në seancën e Kuvendit të Kosovës ishin të pranishëm vetëm 27 deputetë, ndërsa diskutimet u shoqëruan me tensione dhe përplasje mes pushtetit dhe opozitës.
Pas disa orësh debat, nënkryetari i Kuvendit, Ardian Gola, vendosi që hedhja në votim e rezolutës të shtyhet për seancën e radhës.
Rezoluta nuk u përkrah nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila argumentoi se ulja e akcizës do të kishte efekt të kufizuar për qytetarët, ndërkohë që do të shkaktonte humbje të mëdha për buxhetin e shtetit.
Sipas përmbajtjes së saj, rezoluta parashihte uljen e përkohshme të akcizës për naftën nga 36 centë për litër në 20 centë deri në stabilizimin e çmimeve, uljen e TVSH-së për karburantet nga 18% në 8%, si dhe subvencionimin e çmimeve të naftës për sektorët më të ndjeshëm, përfshirë bujqësinë, transportin publik dhe prodhuesit vendorë.
© SYRI.net