Presidentja e Republika e Kosovës, Vjosa Osmani, do të përfundojë mandatin e saj dhe do t’ia dorëzojë detyrën Kryetares së Kuvendi i Kosovës, Albulena Haxhiu.
Sipas njoftimit të Presidencës, ceremonia e dorëzim-pranimit të detyrës do të mbahet të shtunën, më 4 prill, në orën 16:00.
“Në orën 16:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ia dorëzon detyrën Kryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu. Akti ceremonial i dorëzim-pranimit të detyrës do të mbahet në Kabinetin e Presidentes”, thuhet në njoftim.
Në seancën e 5 marsit, partia në pushtet i paraqiti dy kandidatë për president: Glauk Konjufcën dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxhën, pasi bisedimet paraprake mes Kurtit dhe dy partive kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, për një emër të pranueshëm, nuk kishin dhënë fryt.
Kryeparlamentarja Haxhiu do tëa ushtrojë detyrën e Presidentes pasi Kuvendi i Kosovës ende nuk ka zgjedhur presidentin e ri. Ajo mund ta mbajë këtë post për 6 muaj.
Kuvendi ka afat deri më 28 prill për të zgjedhur presidentin e ri. Afati u caktua nga Gjykata Kushtetuese me një vendim të javës së shkuar, duke e shpallur të pavlefshëm një dekret të Osmanit për të shpërndarë Kuvendin.
Osmani pati nxjerrë dekretin me arsyetimin se Kuvendi ka pasur afat deri më 5 mars për ta zgjedhur presidentin, një muaj para përfundimit të mandatit të saj. Gjykata Kushtetuese më 25 mars vendosi që Kuvendi ka edhe 34 ditë afat për të zgjedhur presidentin, duke konstatuar se procedura 60-ditëshe për zgjedhjen ka nisur më 5 mars kur Kuvendi nuk hodhi në votim kandidaturat e Glauk Konjufcës dhe të Fatmire Mulhaxhës së Vetëvendosjes, për shkak të mungesës së kuorumit.
Ndërsa, kryeministri dhe kryetari i VV-së, Albin Kurti, ka thënë se për çështjen e presidentit është në kontakt me dy udhëheqësit e partive më të mëdha opozitare dhe ka paralajmëruar takime me ta në javën e ardhshme.
Kurti kishte zhvilluar takime të ndara me Hamzën dhe Abdixhikun edhe para se çështja të dërgohej në gjykatën më të lartë në vend dhe para se ajo të nxirrte aktgjykimin.
Megjithatë, këto takime nuk prodhuan ndonjë rezultat. Kurti ka thënë sot se do të ketë takime javën e ardhshme për çështjen e presidentit.
Osmani pati shprehur ambicie edhe për mandatin e dytë, ndërsa ka paralajmëruar se në rast të dështimit do të vazhdojë angazhimin politik.
© SYRI.net