Kurti: Ulja e TVSH-së dhe akcizës krijon boshllëk financiar, minus 10 milionë euro në muaj në buxhetin e shtetit

Kurti: Ulja e TVSH-së dhe akcizës krijon boshllëk financiar, minus 10 milionë euro në muaj në buxhetin e shtetit

19:10, 03/04/2026

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Qeveria nuk do të ndërmarrë masa të shpejta dhe të paqëndrueshme për përballimin e rritjes së çmimeve të derivateve, duke theksuar se prioritet mbeten zgjidhjet afatgjata dhe të qëndrueshme.

Ai tha se ulja e TVSH-së dhe akcizës për naftën do të krijonte boshllëk të madh financiar në buxhetin e shtetit dhe se Qeveria është duke përgatitur Pakon e Inflacionit 2.0 në vlerë prej 200 milionë eurosh për të përballuar rritjen e çmimeve, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit për çmimet e naftës, Kurti u shpreh se në kohë sfiduese është e lehtë të kërkohen zgjidhje të shpejta, por sipas tij, përgjegjësia e institucioneve është të zgjedhin opsionet më të dobishme për vendin.

“Në kohë sfiduese kur çmimet e naftës dhe energjisë kanë luhatje të vazhdueshme, është e lehtë të kërkohen zgjidhje të shpejta. Por detyra jonë nuk është të zgjedhim rrugën më të lehtë, por më të dobishme dhe të qëndrueshme për vendin tonë”, ka thënë ai.

Kryeministri theksoi se pavarësisht zhvillimeve në tregjet globale, situata në Kosovë nuk ka arritur ende në një pikë kritike sa i përket furnizimit me derivate.

“Situata aktuale në tregun e derivateve ka sfiduar edhe ekonomitë më të mëdha të botës, ndërkaq te ne efekti më dramatik ende nuk ka dhënë shenjat e veta, pasi nuk ka pasur kufizim të furnizimit dhe as humbje të derivateve”, u shpreh Kurti.

Ai kritikoi kërkesat për uljen e TVSH-së dhe akcizës për naftën, duke i cilësuar ato si masa joefektive dhe me pasoja për buxhetin e shtetit.

“Në vazhdimësi, në çdo krizë apo luhatje, janë kërkuar ulja e TVSH-së apo e akcizës për naftën. Në pamje të parë kjo duket si zgjidhje e thjeshtë dhe e shpejtë, por në realitet është një zgjidhje e kushtueshme dhe me efekt të pasigurt”, deklaroi ai.

Kurti solli si shembull rastet e mëhershme kur ulja e TVSH-së nuk ka reflektuar në ulje të çmimeve për konsumatorët.

“Ashtu siç e kemi parë më herët, kur është bërë ulja e TVSH-së për produktet ekzistenciale nga 18% në 8% në vitin 2016, çmimet nuk kanë rënë. E njëjta situatë është shfaqur edhe në gastronomi, ku çmimet nuk janë ulur”, tha ai.

Në fund, ai paralajmëroi për ndikimin e madh që do të kishte ulja e taksave në të hyrat buxhetore.

“TVSH-ja dhe akciza janë burime shumë të rëndësishme të të hyrave në buxhetin e shtetit. Ulja e tyre krijon një boshllëk të madh financiar. Me një kalkulim të thjeshtë, nëse hiqen vetëm 16 cent për litër, kostoja mujore do të ishte minus 10 milionë euro për buxhetin e shtetit”, përfundoi Kurti.

Ai bëri të ditur se Qeveria është duke përgatitur Pakon e Inflacionit 2.0 në vlerë prej 200 milionë eurosh, duke theksuar se mbështetja direkte për qytetarët dhe bizneset është mënyra më efektive për të përballuar inflacionin, pasi subvencionimi i produkteve si nafta nuk garanton që përfitimi të arrijë te qytetarët.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco